Ndërlidhjet

logo-print

GJYSMË MILIONI NJERËZ NË KOSOVË VUAJNË NGA TORTURA


Nadie Ahmeti

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Kosovë vuajnë nga lloje të ndryshme të torturës. Kështu bëjnë të ditur përfaqësues të qendrave që merren me këtë çështje, në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës. Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se prej vitit 1999, kur edhe është themeluar kjo qendër, ndihmë kanë kërkuar më shumë se 13 mijë viktima, por numri mund të jetë shumë më i madh, pasi, sipas saj, jo të gjitha viktimat kërkojnë ndihmë në këtë qendër. “Kryesisht janë viktima të torturës direkte, ish të burgosur politikë, gra të keqtrajtuara seksualisht, fëmijë jetimë dhe viktima tjera direkte apo indirekte”, tha zonja Rushiti. Ajo pohoi, se në të shumtën e rasteve, njerëzit kanë përjetuar trauma gjatë luftës së fundit në Kosovë. Zonja Rushiti thotë se 22 për qind e popullatës vuajnë nga çrregullimet e stresit postraumatik, ndërkaq 43 për qind nga depresioni. “Duke krahasuar me hulumtimin që është bërë në vitin 2005, vetëm 3 për qind ka rënë vlera e çrregullimit të stresit postraumatik. Kategoritë më të dëmtuara janë zonat rurale”, bëri të ditur zonja Rushiti. Sipas saj, përmasat e traumave shtohen edhe nga gjendja e rëndë socio-ekonomike dhe politike. “Padyshim, të gjitha këto çrregullime të shëndetit mental manifestohen edhe me zhvillimin socio-ekonomik të shoqërisë, me tranzicionin, me pasigurinë politike, me mospërcaktimin e statusit. Të gjitha këto me radhë ndikojnë në keqësimin e statusit mental të popullatës”, u shpreh zonja Rushiti. Në Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, në të shumtën e rasteve ndihmë kërkojnë femrat, mosha e të cilave sillet nga 25 deri në 40 vjeçare. “Dominon gjinia femërore. Ndoshta prej natyrës, vetë femrat janë më të hapura për të komunikuar, ndoshta më lehtë i shprehin shqetësimet e tyre, sesa meshkujt”, tha zonja Rushiti. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tërheq vërejtjen se në vitin 2007, tortura është problem serioz dhe kërkon vëmendjen e institucioneve vendore dhe organizatave joqeveritare, që tortura të parandalohet dhe të zhduket.
XS
SM
MD
LG