Ndërlidhjet

VËREJTJET E AGJENCISË ANTI-KORRUPSION NË ADRESË TË KUVENDIT DHE QEVERISË


Arton Konushevci

Kohët e fundit, Agjencia Anti-Korrupsion i ka shpeshtuar vërejtjet në adresë të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, për mungesë përkrahjeje ndaj Agjencisë. Këto vërejtje, sipas zyrtarëve të Agjencisë, kanë të bëjnë me rritjen e numrit të punëtorëve dhe pagat e tyre. Këshilltari i parë i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ramë Manaj, ka thënë se rritja e pagës dhe numrit të punëtoreve në këtë Agjenci, tash për tash nuk mund të bëhet, sepse vendimi për buxhetin e Agjencisë është marrë më 23 dhjetor të vitit 2006. Sipas zotit Manaj, vendimi ka pasuar kërkesën që është bërë nga vetë Agjencia, për të pasur një buxhet prej 536 mijë e 600 euro për gjithë veprimtarinë e Agjencisë. “Ky vendim e miraton buxhetin për Agjencinë Anti–Korrupsion, për vitin 2007, sipas këtyre pozicioneve: për paga dhe mëditje në shumë prej 147 mijë e 151 euro, për mallra dhe shërbime në shumë prej 284 mijë e 649 euro, për shpenzimet kapitale në shumë prej 80 mijë eurosh dhe shpenzimet komunale, 24 mijë e 800 euro. Ose, shuma e përgjithshme 536 mijë e 600 euro, aq sa ka qenë edhe kërkesa e vetë agjencisë”, tha zoti Manaj. Më tej, ai ka njoftuar se kjo shumë e ndarë e parave është e përcaktuar me ligj, ndërkohë që mbështetja e Kuvendit të Kosovës për Agjencinë vazhdon me dispozitat e parapara me ligj. Fitim Krasniqi, sekretar i përhershëm në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se rritja e numrit të punëtorëve aktualisht është e pamundur, ndërkaq buxhetin me të cilin disponon Agjencia, e ka cilësuar si të mjaftueshëm. “Mund t’ju konfirmoj, se është e pamundur që t’ju mundësohet një rritje e numrit të stafit të Agjencisë, por prapëseprapë jemi në bisedime e sipër me MEF-in, mirëpo kjo do të mundësohet në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm. Agjencia ka mjetet e mjaftueshme për të funksionalizuar punën e vet si duhet”, është shprehur zoti Krasniqi. Sidoqoftë, Agjencia Kundër Korrupsionit ka edhe plan-veprimin e vet, në të cilin thuhet se të punësuarit duhet të jenë mirë të paguar dhe se në luftën kundër korrupsionit, mjetet financiare nuk duhet kursyer. Udhëheqësi i Agjencisë, Hasan Preteni, në shumë raste ka deklaruar se me një pagë prej 200 eurosh në muaj, punëtorët e Agjencisë nuk janë në gjendje të luftojnë në mënyrë efektive korrupsionin dhe rrjedhimisht, mund të vihet në pikëpyetje edhe vetë funksionaliteti i këtij institucioni.


XS
SM
MD
LG