Ndërlidhjet

logo-print

SI DUHET KRIJUAR IDENTITETI KOSOVAR?


Albana Isufi

Shkrimtarë, filozofë e publicistë të ndryshëm çdo ditë e më shumë shtrojnë çështjen e krijimit apo jo të identitetit të veçantë kosovar. Përderisa disa autorë të Kosovës tashmë janë të bindur se Kosova ka krijuar identitetin e saj, me këtë edhe shqiptarët e Kosovës do të konsiderohen si kosovarë, të tjerët e shohin këtë si një shkëputje të shqiptarëve nga rrënjët e kombit shqiptar, rrjedhimisht edhe të papranueshme. Filozofi, Muhamedin Kullashi, i cili ligjëron në Universitetin Paris 8 në Francë, mendon se krijimi i cilitdo identitet varet nga specifikat e realitetit historik. “Nëse merret në konceptin francez, ku definohet sipas projektit politik, si qytetarë, nëse ne definohemi para së gjithash si qytetarë, e pastaj të themi si francez ose si arabë, nëse do ta marrim konceptin komb-shtet i traditës kulturore të SHBA-ve, ata janë të gjithë amerikanë, pastaj janë hebrenj, myslimanë, të krishterë, protestantë, etj. nëse e bëjmë ndarjen midis shtetësisë dhe midis kombësisë, atëherë del një shtetësi që të gjithë janë qytetarë të një shteti, po pastaj janë të kombësive të ndryshme. Pra, duhet parë se çka i përgjigjet specifikave të realitetit tonë historik këtu”, ka thënë zoti Kullashi. Ndërkohë, publicisti nga Tirana, Fatos Lubonja, mendon se pavarësisht dallimeve që janë krijuar mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, nuk duhet shikuar këta si dy identitete të ndara. “Padyshim, që histori të ndryshme, politika të ndryshme, imponime të ndryshme mbi politika, siç ka ndodhur në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë krijuar shumë diferenca që mund edhe të flitet për dy identitete. Dhe nesër, mund të flitet edhe për dy kombe, nëse kombin do ta shikojmë të lidhur me shtetin dhe do të krijohet një shtet kosovar, i cili do të ketë veçantitë e veta. Sot flitet edhe për flamurin që mund të jetë i ndryshëm. Të gjitha këto janë procese që fillimisht nuk pranohen, e pastaj bëhen pjesë e identitetit, në mënyrë të pavetëdijshme, sepse këtu kemi të bëjmë me një histori që varet se si do të zhvillohet”, është shprehur zoti Lubonja. Por, botuesi i së përjavshmes ‘Java’, Migjen Kelmendi, është i bindur në identitetin e ri kosovar, i cili, sipas Kelmendit, dallon nga ai shqiptar, pikësëpari në përdorimin e idiomës gjuhësore. Duke marrë për bazë preambulën e Kushtetutës së Evropës, e cila përkufizon Evropën si komunitet i vlerave, ku hyjnë respektimi i dinjitetit njerëzor, liria, barazia etj. Kelmendi hedh poshtë debatin për identitetin evropian të Kosovës, përderisa kosovarëve, sipas tij, u shkelet dinjiteti çdo ditë, meqë u privohet përdorimi i dialektit gegë. “A e prek dinjitetin njerëzor me u vetkonolizue prej produkteve kulturore, etaloneve kulturore që po importojmë prej Tiranës, një autokolonizim kulturor i Kosovës? Çka do me thënë me ia prek të drejtën, me përdor idiomën njerëzore 4 milionë shqiptarë që gegnishten e kanë idiomë natyrore? A nuk po ia shkelim pak dinjitetin e tij, mos me e lanë me fol në gjuhën e tij amtare, në idiomën e tij natyrore?”, është shprehur zoti Kelmendi. Në anën tjetër, Fatos Lubonja, thotë se nuk duhet karakterizuar identitetet e një kombi a shteti si identitete të ngurta, meqë në fakt, ato ndryshojnë varësisht nga realiteti. “Identiteti evropian është një identitet i lëngshëm. Evropa është një ngjarje historike, është gjithmonë në ripërcaktim identiteti. Dhe futja jonë në Evropë nënkupton marrjen e gjithë atyre vlerave evropiane, që midis tjerash nënkuptojnë dhe ruajtjen e shumë identiteteve tona kulturore”, ka thënë zoti Lubonja. Filozofi Muhamedin Kullashi, ndërkaq mendon se nëse kosovarët përqafojnë vlerat evropiane, krahas ndërtimit të identitetit të ri kosovar, do ta kenë shumë më të lehtë integrimin jo vetëm në shoqërinë, por edhe në institucionet evropiane.

XS
SM
MD
LG