Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA FTON INVESTITORËT E HUAJ


Nadie Ahmeti

Udhëheqës të institucioneve më të larta vendore, sot, u kanë bërë thirrje investitorëve të huaj potencialë, që të investojnë në Kosovë, e veçanërisht në sektorin e minierave. Në Konferencën Ndërkombëtare të Investitorëve për Miniera, të organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, udhëheqësi i kësaj ministrie, Ethem Çeku, ka dhënë shpjegime, se në cilët sektorë, Kosova është e pasur me burime natyrore. Duke folur para 30 përfaqësuesve të kompanive të ndryshme ndërkombëtare, ministri Çeku ka thënë se këto pasuri, Kosovën e bëjnë të gatshme për investime. ”Kosova është mjaft e pasur me burime minerale të linjitit, plumbit, zinkut, nikelit, kromit, boksiteve, magneziteve, arit, argjendit, si dhe mineraleve të tjera, përfshirë elemente të rralla. Sa i përket rezervave të linjitit, Kosova zë vendin e tretë në Evropë. Kosova ndodhet në qendër të Ballkanit, pra afër tregut të madh evropian. Kosova ka popullsi me moshë relativisht të re dhe ofron cilësi të fuqisë punëtore dhe intelektuale”, ka thënë ministri Çeku. Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërkaq tha se Kosova është e interesuar që të krijojë politika nxitëse, fiskale dhe kreditore për investitorët potencialë, duke u garantuar atyre sigurinë e pronës dhe të investimeve. Kryetari Sejdiu tha se në këtë kohë, kur pritet të zgjidhet statusi i Kosovës, do të lehtësohet edhe më tepër bashkëpunimi me kompanitë ndërkombëtare. “Ne jemi të vetëdijshëm për begatitë natyrore që ka vendi ynë, për rezervat e mëdha energjetike dhe të mineraleve metalike, dhe për ofertën tonë për investitorët. Burimet natyrore të Kosovës, sidomos ato minerale, paraqesin një pasuri të rëndësishme nacionale, e cila do të ketë ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Këto resurse vetvetiu nuk na bëjnë më të pasur, nëse nuk i shfrytëzojmë me teknologji më të përparuar dhe në konkurrencë me të tjerët”, është shprehur kryetari Sejdiu. Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, tha me këtë rast, se Kosova nuk është e izoluar. Sipas tij, ajo është e integruar në tregun rajonal dhe nuk bëhet fjalë për një treg, siç tha ai, që përfshin vetëm dy milionë banorë sa ka. “Kosova tashmë është e integruar në marrëveshjen e tregtisë së lirë, të zgjeruar në kuadër të CEFTA-s. Kosova është e integruar në komunitetin rajonal të energjisë, andaj Kosova mund të kontribuojë lidhur me nevojat e rajonit e më gjerë”, ka pohuar zoti Ruecker. Ai po ashtu ka nënvizuar, se një përparim edhe më i madh i Kosovës, në këtë drejtim, do të arrihet me zgjidhjen e statusit, atëherë kur autoritetet ndërkombëtare të dorëzojnë përgjegjësitë në duart e autoriteteve vendore. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se Qeveria do të përpiqet të krijojë kushte të favorshme për investitorët potencialë, duke i siguruar këta të fundit, se Kosova ka infrastrukturë të duhur ligjore për investime. “Dëshirojmë që Qeveria e Kosovës të jetë pjesëmarrëse në çdo minierë, e jo të tjetërsojë apo të privatizojë minierat e Kosovës. Në këtë projekt, investitorët e huaj të kenë parasysh shkollimin dhe trajnimin e kuadrit vendor. Ne nuk parashohim që qytetarët tanë t’i fusim në thellësi në qindra metra. Ne jemi të vendosur, që të aplikojmë standardet më të larta për ruajtjen e ambientit dhe rregullimit hapësinor”, ka thënë kryeministri Çeku. Sidoqoftë, deri më tani, projekti më i madh që është bërë në këtë sektor, është plani për ndërtimin e termocentralit Kosova C, që kap shumën prej 3.5 miliardë euro. Për realizimin e këtij projekti, autore e të cilit është Ministria e Energjisë, janë kualifikuar katër kompani të mëdha ndërkombëtare, por fituesi ende nuk është përzgjedhur.
XS
SM
MD
LG