Ndërlidhjet

logo-print

KULLASHI: “SHUMË SHTETE NË BOTË JANË PRANUAR EDHE PA REZOLUTË TË KS-SË”


Muhamedin KULLASHI, profesor në Universitetin “Paris 8” në Francë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kullashi, si i vlerësoni zhvillimet aktuale rreth zgjidhjes së statusit final të Kosovës?

MUHAMEDIN KULLASHI
Këto zgjidhje për mua janë brengosëse, në kuptimin që hetohet një zmbrapsje kur është fjala te fuqitë perëndimore. Këto hezitime kanë qenë pak më të theksuara brenda Bashkësisë Evropiane. Meqë doli sërish propozimi që të përsëriten eventualisht negociatat, sado që në fillim SHBA-të nuk ishin në favor të bisedimeve, duket që tash edhe ato do të pajtohen. Kjo është brengosëse, sepse tregon, se këtu vendet e Bashkësisë Evropiane, por edhe SHBA-të, në njëfarë mënyre, nuk kanë arritur të gjejnë një përgjigje adekuate ndaj qëndrimit të Rusisë, nuk kanë arritur një qëndrim të përbashkët. Kjo, natyrisht, lidhet me faktin se Bashkësia Evropiane e sheh zgjidhjen e statusit të Kosovës vetëm përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit. E nëse është e qartë se Rusia, në mënyrë decidive thotë se do të vë veto, atëherë kjo është brengosëse dhe shprehje e dobësive të Bashkësisë Evropiane. Dhe, tash në këtë situatë, manifestimi i dobësive bëhet më brengosës; u pa se çka është bërë nga këto negociata, janë shterur, janë negociata që kanë zgjatur 16 muaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për qëndrimin rus. Dihet se rezoluta e re ka ngecur për shkak të kundërshtimit rus. A besoni se, megjithatë, në fund do të arrihet pajtimi rus, apo do t’i bëhen koncesione tjera planit të Ahtisaarit?

MUHAMEDIN KULLASHI
Më duket që kjo mundësia e dytë është më shqetësuese. Plani i Ahtisaarit përmban në fakt mjaft koncesione, mjaft kompromise, kështu që nuk e di deri ku mund të shkojnë ato lëshime apo ato kompromise. Natyrisht, pritja do të jetë se çfarë do të dalë nga biseda Bush-Putin, a do të dalë diçka nga kjo apo jo, mos do të sjellë ndonjë ndryshim? Ndoshta Rusia, për arsye të ndryshme, mund të ndërrojë apo ta zbusë qëndrimin e vet. Nëse shkohet përkundrazi në opsionin që t’i bëhen lëshime Rusisë, lidhur me statusin e Kosovës, kjo është shqetësuese, sepse, në fakt, mund të shkojë në drejtime që mund ta bëjnë vështirë të realizueshëm një shtet stabil. Nëse aty do të futen shumë kushtëzime, si do të funksionojë? Prandaj, koncesionet ose kompromiset mund ta bëjnë të vështirë realizimin e një shteti efikas. Këtu mendoj se është shqetësimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për hezitimin e disa vendeve të BE-së. Dihet se disa nga to, nuk janë të sigurta në pavarësinë e Kosovës. Çfarë qëndron pas hezitimit të këtyre vendeve?

MUHAMEDIN KULLASHI
Ka arsye të ndryshme, janë reagime të ndryshme, duke u nisur nga përvoja e tyre e brendshme, reagimet e Rumanisë, reagimet e Sllovakisë që lidhen me pakicat, statusin e pakicave, nga frika se kjo mund të marrë kahe. Mua më duket se shpjegimi që është dhënë deri tani, ka qenë i bindshëm, duke thënë se, në fakt, këto situata nuk bën të ngatërrohen, se çështja e Kosovës është situatë që lidhet me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Sikur që u bënë të pavarura Sllovenia deri te Maqedonia, edhe Kosova e ka këtë legjitimitet të bëhet shtet i pavarur. Nuk ka si të krahasohet me situatën e Katalonisë në Spanjë, ose të një pakice të hungarezëve diku në Sllovaki. Ahtisaari, në dokumentin e vet, shumë mirë e arsyeton pse ky është një rast i veçantë dhe do të shtoja se ai sa është i veçantë, aq është i përbashkët me shtetet tjera, që dolën nga ish-Jugosllavia. Pra, unë mendoj se argumentimi nuk duhet të ndërtohet vetëm në këtë, të thuhet rast unik, nuk është unik, por thjesht duhet t’i pranohet e njëjta e drejtë Kosovës, sikurse Maqedonisë, Sllovenisë, Malit të Zi. Të gjitha këto u pranuan pa rezolutë në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, Bashkësia Evropiane në vend që ta paralizojë vetveten me kërcënimin rus, ajo duhet, bashkë me SHBA-të, të shikojnë mundësinë alternative të pranimit. Shumë shtete pranohen jo doemos me rezolutë në Këshillin e Sigurimit. Të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, asnjëra nuk është pranuar me rezolutë në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, nuk duhet që Kosova të bëhet peng i kapriçove të Putinit. Nuk duhet harruar që Putini është ngritur në pushtet me krime masive në Çeçeni. Ai vetë ka udhëhequr një politikë të krimeve masive mbi civilë dhe nuk duhet habitur pse ai është kundër pavarësisë së Kosovës, por duhet të jetë Bashkësia Evropiane kundër qëndrimeve të Putinit.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetemi ende te qëndrimi rus. Prishtina zyrtare ka thënë se nuk mund të mbetet peng i tekeve të ndonjë vendi dhe se do të vijë një kohë, kur do të ndërmerren zgjidhje alternative. Sa është i duhur apo i rrezikshëm veprimi i njëanshëm?

MUHAMEDIN KULLASHI
Në fakt, vërejtja ime shkon më shumë te vendet e Bashkësisë Evropiane, që duhet ta respektojnë qëndrimin që e kanë marrë vetë. Ata e kanë mbështetur planin e Ahtisaarit dhe duhet të qëndrojnë tani prapa atij plani. Më duket se kjo është e rëndësishme, e jo ta kushtëzojnë: “Ne do ta pranojmë planin e Ahtisaarit, nëse kalon në Këshillin e Sigurimit”. Më duket se çështja duhet të shtrohet ndryshe, nëse plani i Ahtisaarit është i arsyeshëm; ai, në fakt, është rezultat i një pune të gjatë politike, që Bashkësia Evropiane ka bërë në Kosovë. Plani i Ahtisaarit nuk ka pikur nga qielli, nuk është bërë brenda disa javëve, por është rezultat i hulumtimeve që ekipet politike e të tjera të ekspertëve kanë bërë gjatë nëntë vjetëve dhe kanë parë që alternativë tjetër nuk ka, përveç pavarësisë. Prandaj, kur fola për alternativë, do të thosha që Bashkësia Evropiane, sikurse ka pranuar pavarësinë e Sllovenisë, të Malit të Zi tash së voni, le ta bëjnë edhe referendumin në Kosovë. Mund ta ngritin atë kufirin nëse duan jo 55%, por edhe 80% ose më shumë. Ekzistojnë zgjidhje alternative në pranimin e shteteve. Shumë shtete në botë që janë pranuar, janë pranuar pa ndonjë rezolutë. Prandaj, nuk është e arsyeshme që të paralizohemi me këtë rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në horizont, aktualisht nuk po shihet një zgjidhje e shpejtë. Sa është e rrezikshme shtyrja për Kosovën dhe popullin e saj? A mund të radikalizohet situata?

MUHAMEDIN KULLASHI
Mund të pritet, mirëpo unë mendoj se kosovarët, megjithatë, janë të vetëdijshëm se reagimet e pakontrolluara do të kthehen kundër vetë kosovarëve, se ato reagime mund të çojnë në dobësimin e një mbështetjeje, që megjithatë është e pranishme, e që do të na largojë në fakt nga pavarësia. Kështu që këtu ka shumë probleme që janë akumuluar, problemet ekonomike, janë probleme të mëdha dhe të rënda të papunësisë, dhe që pritet se mund të shpërthejnë, për arsye të frustrimit, për mungesë të statusit që premtohet. Mirëpo, në të njëjtën kohë, mendoj se kemi arsye, që mos të humbim kokën, sepse kjo do t’i konvenojë Serbisë, do t’i konvenojë Putinit dhe do të jetë një provë, që ne nuk mund të reagojmë politikisht. Megjithatë, nuk duhet harruar që puna kryesore është se Kosova është realisht e pavarur nga Serbia sot. Nuk është e pranuar ndërkombëtarisht, por ne jetojmë megjithatë në një vend, ku Serbia, në fakt, nuk është e pranishme. Kjo është shumë e rëndësishme për këtë popull dhe kjo nuk duhet, në njëfarë mënyre, të vihet në rrezik, nuk duhet të hymë në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare, sepse nuk është në interesin tonë. Këto duhet të zgjidhen në mënyrë diplomatike, duhet t’i shtrojmë kërkesat tona para tyre, duhet t’ua përkujtojmë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se ata duhet t’i respektojnë angazhimet që i kanë marrë -asgjë tjetër- angazhimet që i kanë marrë publikisht në instanca të ndryshme ndërkombëtare, para këtij dokumenti. Kjo është kërkesa dhe kjo të shihet në mënyrë të qartë. Kjo nuk do të thotë humbje e kokës, nuk do të thotë çrregullime anarkike, që do të ishin në dëmin tonë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG