Ndërlidhjet

AUTORITETET NË PRISHTINË - TË VENDOSURA TË RUAJNË QETËSINË GJATË VIDOVDANIT


Zijadin Gashi

Autoritetet ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, në Kosovë kanë marrë vendim që të ndalohet futja e pjesëtarëve të formacionit ilegal paraushtarak ‘Garda e Car Llazarit’ në Kosovë, si dhe e formacioneve tjera të ngjashme. Vendimi është nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ndërkaq komandanti i KFOR-it, Roland Kather, është zotuar se do ta zbatojë me vendosmëri vendimin. Ai tha se KFOR-i do të jetë nesër në rrugë, për të përcjellë nga afër gjendjen, si dhe do të arrestojë çdo pjesëtar që dyshohet se i përket kësaj organizate. Masat e shtuara të sigurisë janë marrë një ditë pasi që një grup serbësh nga Serbia kanë nisur marshin dhe kanë hyrë tashmë në Kosovë, për të kremtuar nesër 618 vjetorin e Betejës së Kosovës. Pasi që pjesëmarrjen në këtë marsh e ka paralajmëruar edhe formacioni ‘Garda e Car Llazarit’, çka kishte nxitur reagime të ashpra të strukturave të shumta shqiptare në Kosovë, UNMIK-u dhe KFOR-i sot, në një takim trepalësh me kryeministrin, Agim Çeku, prezantuan strategjinë e tyre, për t’u përballur me të priturat dhe të papriturat, që mund të ngjajnë ditën e nesërme. “Sot, unë kam nënshkruar një vendim ekzekutiv, i cili ndalon ‘Gardën e Car Llazarit’ apo ndonjë organizatë të ngjashme paraushtarake, që të zhvillojë çfarëdo aktiviteti në Kosovë, siç është bartja e uniformës që nxit urrejtje apo dhunë etnike”, ka thënë Joachim Ruecker. Bazuar në punën e bërë me KFOR-in, policinë vendore dhe atë ndërkombëtare, Ruecker tha se mund t’i siguronte qytetarët e Kosovës, se nesër, gjendja nuk do të eskalojë në asnjë formë dhe gjithçka do të jetë nën kontrollin e forcave të rendit. Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Roland Kather, tha se ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur këto ditë dhe tha se ishte absolutisht i bindur, që njerëzit e kanë kuptuar porosinë, se dhuna është rrugë e gabuar. ‘Nuk do të lejohet asnjë strukturë paramilitare. Ne do të intervenojmë menjëherë dhe me vendosmëri. Por, duhet bërë të qartë, se unë jam këtu për lirinë e lëvizjes. Prandaj, dua të them, lejoni ata të kalojnë, mos i pengoni, mos i ndaloni’, tha, i vendosur, gjenerali gjerman, Roland Kather. “Ne jemi tërësisht të përgatitur. Do ta kemi tërë KFOR-in në rrugë. Ne do të reagojmë menjëherë, nëse diçka ndodh”, është shprehur gjenerali Kather. Pas këtij takimi trepalësh, kryeministri Agim Çeku tha se besonte, që dita e nesërme do të kalojë e qetë dhe pa incidente. Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve dhe, siç tha ai, të gjitha strukturave tjera, që të mos bien në provokime dhe të lejojnë organet e rendit të kryejnë punën e tyre. “Liria e lëvizjes, e fesë janë të garantuara tek ne. Në Kosovë e kemi dhe dëshirojmë ta forcojmë tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare. Por, në Kosovë nuk mund të lejohet politizimi i manifestimeve fetare dhe nuk mund të lejohen manifestimet e primitivizmit nacionalist, që i bëjnë disa grupe kriminale dhe paramilitare, që dëshirojnë t’i shfaqin”, ka thënë kryeministri Çeku. Ndërsa u bëri thirrje serbëve që të festojnë nesër qetë, Çeku tha se formacionet si ‘Garda e Car Llazarit’, s’janë tjetër veç mbeturina të regjimit të Millosheviqit. “E ashtuquajtura ‘Garda e Car Llazarit’ apo grupe të tjera, që më shumë janë propagandë, sesa diçka tjera, janë thjeshtë mbeturina, sikur hekuri kur digjet dhe ka vetëm tym, e aspak flakë. Ka shumë të tillë në Serbi, që dëshirojnë destabilizimin e Kosovës, që dëshirojnë që ne, qytetarët e Kosovës, të bimë pre e provokimeve të tilla. Organet e sigurisë do t’i marrin të gjitha masat, që të mos ketë provokime të tilla”, tha kryeministri Çeku. Ndryshe, kremtimi i Betejës së Kosovës dhe paralajmërimi i pjesëmarrjes në këtë organizim edhe i strukturave paraushtarake serbe, vjen në kohën kur edhe ashtu është tërhequr vërejtja për rritjen e pakënaqësive te shumica, për shkak të zvarritjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ishte kryeministri Çeku ai, i cili, javën e kaluar, deklaroi se në Kosovë ka krizë besimi në proces, në lidership dhe në bashkësinë ndërkombëtare, pikërisht për shkak të këtyre zvarritjeve.
XS
SM
MD
LG