Ndërlidhjet

logo-print

DALLIME TË MËDHA MES KREMTES SË TASHME TË VIDOVDANIT ME ATË TË VITIT 1989


Zijadin Gashi

Kremtimi i Vidovdanit ka karakter historik e fetar, ndërkaq ndërlidhja e vetme që mund t’i bëhet kremtes së sotme me atë të para 18 vjetëve, kur përmes kësaj date diktatori Millosheviq pati kumtuar strategjitë e politikave të tij kundër shqiptarëve dhe popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, është tendenca për përfitime politike. Kështu pohojnë historianë kosovarë dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës. Historiani Hakif Bajrami konsideron se Beteja e Kosovës e vitit 1389 është mit i Kishës Ortodokse serbe për përfitime politike, duke e paraqitur politikën serbe si mbrojtëse të krishterimit dhe të vlerave kulturore. “Dallimi mes vitit 1989 dhe vitit 2007 është shumë i madh, sepse atëbotë, Lidhja Komuniste e Serbisë së bashku me tërë arsenalin e vet mundoheshin t’i tregonin botës, se Jugosllavia është për mbrojtjen e lirive, mbrojtjen e historisë, mbrojtjen e së kaluarës dhe Serbia kinse është njëfarë mbrojtëse e krishterimit në Evropë, gjë që është rrenë e kulluar. Zhurma që është zhvilluar këto ditë, se e ashtuquajtura ‘Garda e Car Llazarit’ është vetëm një fiksion i rrenave dhe i politikës miope serbe, që zhvillohet sot në Evropë si fundërrinë e neofashizmit”, ka thënë Hakif Bajrami. Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq thotë se kjo datë për serbët është e rëndësishme. Por, ai sheh shumë dallime mes asaj që u zhvillua pas kremtimit të 600 vjetorit të kësaj beteje nën patronatin e Millosheviqit, me atë që është organizuar sot, duke i dhënë pompozitet një organizate fiktive, si ajo e 'Car Llazarit'. “Frustrimi i grumbulluar për një kohë të gjatë te serbët pati eksploduar atë kohë, më 1989, dhe Millosheviqi me shumë mençuri arriti ta manipulojë masën dhe e shfrytëzoi një masë prej 1 milion njerëzish, që të ngjitet lart në politikën serbe dhe jugosllave, atëherë”, ka vlerësuar Ivanoviq. Por, një rast i tillë, sipas tij, në asnjë formë nuk mund të pritet të ndodhë tash, kur populli duket i lodhur nga këso zhvillime, e aq më tepër me një formacion që vetën e quan “Garda e Car Llazarit”. “Mendoj se çështja e këtij formacioni është e fryrë së tepërmi dhe ndoshta ata njerëz kanë në vete pakënaqësi të mbledhura me gjendjen aktuale, por nuk kanë fuqi e ndikim siç paraqitet kjo në opinion”, ka thënë Ivanoviq. Në anën tjetër, historiani Hakif Bajrami rikujton mbetjen e politikës serbe, të izoluar me trendët e zhvillimeve në Evropë. Ai thotë se vetëm në Beograd ka ende politika të tilla, që përpiqen në ngritën mbi shtypjen e popujve të tjerë, siç ka ndodhur disa herë gjatë historisë. “Nuk është më viti 1878, që Serbia për 3 ditë të likuidojë 714 fshatra shqiptare. Nuk është më viti 1912, që Serbia t’i dëbojë brenda 2 muajve 500 mijë shqiptarë në Anadoll. Nuk është më viti 1918-1941, që të grabisë mbi gjysmën e pronave të shqiptarëve dhe të bëjë konventa për dërgimin e tyre në Anadoll. Nuk është më koha e luftës së ftohtë që të bëjë konventa-marrëveshje xhentëlmene në Split me Turqinë e Jugosllavinë, e t’i dërgojë 415 mijë shqiptarë, turq, boshnjakë e të tjerë në Anadoll. Ka kaluar koha e perandorive, ka kaluar koha e dhunës. Sot, është koha e paqes, koha e mirëkuptimit, koha e lëvizjes së lirë”, ka theksuar Hakif Bajrami. Ndërkohë, autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare, duke e ditur ndjeshmërinë e gjendjes në Kosovë, kryesisht janë përqendruar në ruajtjen e qetësisë, për shkak të shqetësimeve për rritjen e frustrimeve te shqiptarët dhe serbët, në këtë periudhë kur pikëpamjet për të ardhmen e Kosovës mes tyre, janë krejt të kundërta.

XS
SM
MD
LG