Ndërlidhjet

FLIS:"SHTETI I RI I KOSOVËS - RAST PËR PAJTIMIN E SHQIPTARËVE DHE SERBËVE"


Drago FLIS, ish diplomat dhe analist nga Sllovenia

EVROPA E LIRË
Zoti Flis, Rusia vazhdon të kundërshtojë rezolutën për pavarësinë e Kosovës. A mendoni se Shtetet e Bashkuara mund të lëshojnë pe pas deklaratës që presidenti George Bush e bëri në Tiranë?

DRAGO FLIS
Nuk ka shenja që Amerika do të lëshojë pe në çështjen e Kosovës. Përkundrazi. Qëllimi negativ i Risisë ka kundërvepruar në vendosmërinë për t'i mundësuar Kosovës që të bëhet e pavarur. Është e vërtetë që Amerika dëshiron ta bëjë procedurën në Këshillin e Sigurimit në mënyrë të rregullt. Kjo qëndron sepse është çështje principi që sa më shumë të jetë e mundur të respektohet procedura, në mënyrë që të sigurohet një zgjidhje konsenzuale, e cila gjithmonë është më e mirë se zgjidhja konfliktuale. Megjithate, Amerika ka edhe planin tjetër rezervë, njohjen e njëanshme të Kosovës nëse rezoluta në Këshillin e Sigurimit nuk kalon.
Prej shprehjes së presidentit Bush në Tiranë, dhe deklaratave të diplomatëve të lartë amerikanë që merren me Kosovën, si Wiesner, Fried dhe Burns, të cilët vazhdimisht kanë theksuar që çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt me pavarësinë, kuptohet se Amerika është e vendosur të shkojë më tutje. Pra tash mund të kemi të bëjmë me qasjen unilaterale të Amerikës, të ngjashme me situatën 16 vjet më parë, kur Gjermania ka vepruar në mënyrë unilaterale duke njohur pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa Amerika ka qenë skeptike. Ne nuk e dijmë kohën kur do të ndohë njohja amerikane e Kosovës, por kjo do të ndodhë.

EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se Moska dëshiron të arrijë me kundërshtimin e saj për pavarësinë e Kosovës?

DRAGO FLIS
Rusia dëshiron të jetë shitësja më e madhe e energjisë në botë. Ne të gjithë e dijmë këtë. Megjithate, ndikimi i Rusisë në jetën ndërkombëtare, si psh. në OKB apo Konferencën Ndërkombëtare të Medias, është zvogluar ndjeshëm. Një ndër arsyet mund të bëjë me çështjen Litvinenko. Rusia deri tash nuk ka sjellë asnjë përgjigje adekuate, dhe kjo i ka zvogluar shumë forcën dhe ndikimin e Rusisë në jetën ndërkombëtare.

EVROPA E LIRË
Presidenti i Serbisë Boris Tadiq thotë se pavarësia e Kosovës do të destabilizonte rajonin, por Uashingtoni thotë se pavarësia do ta stabilizojë Ballkanin.
Çfarë është mendimi juaj z. Flis?

DRAGO FLIS
Para së gjithash, presidenti Tadiq është përfaqësuesi i Serbisë, dhe me mjetet që i ka në dispozicion përpiqet të zvarritë sa më shumë që të jetë e mundur pavarësinë e Kosovës. Duhet të kuptohet qëndrimi i tij, është e detyra e tij kombëtare në fund të fundit. Mirëpo, Tadiqi edhe në bisedimet e Vjenës ka theksuar që çështja e Kosovës nuk do të rregullohet ushtarakisht. Ai është politikan real, ai flet anglisht shumë mirë, por ai ende nuk është në gjendje të bëhet Villi Brandt i Serbisë. Por Tadiqi është mirë i pozicionuar në këtë lojë. Ai nuk do të nënshkruajë asgjë, por me dëshirë ose pa dëshirë, ai do ta pranojë realitetin, dhe për këtë jam i sigurtë.

EVROPA E LIRË
A mendoni se Kosova sot vërtetë është problemi më i madh për Serbinë, apo siç thonë disa analistë, është një nga çështjet politike që eksploatohet shumë nga strukturat e Beogradit?

DRAGO FLIS
Është e vërtetë, por Serbia duhet ta tejkalojë Kosovën si problemin më të madh ose kompleksin më të madh të saj. Pikërisht shteti i ri i Kosovës do të jetë rast për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Do të jetë shumë vështirë mbajtja e raporteve të ardhshme mes Serbisë dhe Kosovës, për shkak të marrëdhënieve të rënduara. Bisedimet mes dy shteteve do të jenë shumë të vështira, por ato duhet të fillojnë, ndoshta në kuadër të Bashkimit Evropian. Kur do të fillojnë, në të vërtetë nuk e dijmë.

EVROPA E LIRË
Zoti Flis, çfarë mendimi keni për opinionet e ndryshme lidhur me ndarjen eventuale të Kosovës?

DRAGO FLIS
Nuk ka politikan kosovar shqiptar që do të pranonte idenë për të coptuar Kosovën. Kufiri mes Serbisë dhe Kosovës është relativisht mirë i definuar, në Kopaonik, që shqiptarët e quajnë Albanik. E kam parë, aty ndodhet guri kufitar që e ka ndarë Serbinë e pavarur në atë kohë prej Vilajetit të Kosovës deri në vitin 1912. Pastaj Serbia ka sunduar Kosovën. Ndoshta do të mund të krahasohej gjendja mbi lumin Ibër në Mitrovicë deri në kufirin në Rudnicë, të banuar me shumicë serbë, me gjendjen në Luginën e Preshevës të banuar me shumicë shqiptarë. Mirëpo këmbimi eventual do të ishte fantazi politike, dhe nuk është i mundur. Për lidershipin kosovar do të thotë vetëvrasje politike të lëshojë pe sa i përket veriut të Mitrovicës.

EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, a mendoni se me Kosovën përmbyllet cikli i krijimit të shteteve të reja në Ballkan?

DRAGO FLIS
Po, e besoj këtë. Me njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, si e vetmja zgjidhje e mundshme, përfundon faktikisht shpërbërja e ish Jugosllavisë. Realiteti politik nuk lejon të shkohet më tutje. Plani i Ahtisaarit e parandalon mundësinë e bashkimit të Kosovës me vendet tjera ose pjesë të vendeve tjera. Gjëja tjetër është që kufijtë e ardhshëm në Evropë do të jenë të hapur, me perspektivë që psh. të jenë si kufiri ndërmjet Belgjikës dhe Holandës. Në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe problemi banal i kontakteve njerëzore mes fshatrave shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Shpresojmë që nuk do të ketë më probleme kufitare, si psh. kur fshatarët do shkonin në funerale në fshatin tjetër pas kufirit, dhe pastaj dëgjoheshin të shtëna të policisë apo ushtrisë. Ka pasur raste të të shtënave pikërisht për këto arsye në ish Jugosllavinë dhe më pas. Dhe, kjo ka qenë vërtetë keq. Kufijtë e hapur në të ardhmen do të mundësojnë që të tejkalohen këto telashe.

Intervistoi:Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG