Ndërlidhjet

“VETËVENDOSJA” PROTESTON QETË KUNDËR EKIPIT TË UNITETIT DHE PAKOS SË AHTISAARIT


Albana Isufi

Qindra qytetarë iu kanë bashkuar sot protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila përfundoi qetë dhe pa ndonjë incident. Protestuesit duke i rënë daulleve kanë brohoritur parulla kundër Ekipit të Unitetit dhe administratës së UNMIK-ut, si dhe kanë bërë thirrje për vetëvendosje dhe për lirimin e Albin Kurtit. Nën intonimin e himnit kombëtar, nga ndërtesa e Fakultetit të Arteve, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ngritur një flamur të përmasave të mëdha, duke hedhur poshtë kështu idenë e përzgjedhjes së simboleve të reja të Kosovës. Aktivistët kanë thënë se asnjë flamur tjetër, përpos atij kombëtar, nuk është i pranueshëm. Pasi, bashkë me protestuesit përshkoi rrugën prej selisë së ‘Vetëvendosjes’, e cila gjendet në qytezën Pejton, deri tek Teatri Kombëtar, aktivisti Glauk Konjufca tha se qëllimi i protestës së sotme është demonstrimi i qytetarëve të Kosovës për referendum. "Ne njohim vetëm një gjuhë - gjuhën e referendumit dhe të vullnetit të popullit për liri, kurse Grupi i Unitetit njeh vetëm gjuhën e negociatave me Beogradin. Përderisa populli do liri e bukë, Grupi i Unitetit do luks, limuzina, pallate dhe para për vete", ka thënë Konjufca. Ai ka kritikuar Ekipin e Unitetit, se po heq dorë nga flamuri kombëtar. "Përderisa populli shqiptar nuk heq dorë nga flamuri kuq e zi i Skënderbeut, i Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, Grupi i Unitetit ka mbetur tash pa flamur, ose në rastin më të mirë e ka flamurin verdhë e pembe", është shprehur Konjufca. Aktivistët kanë hedhur poshtë pakon e Ahtisaarit, duke thënë se ajo sjell copëtimin e Kosovës. Ata po ashtu janë tallur me figurat e anëtarëve të Ekipit të Unitetit, të cilat i kishin vendosur para Teatrit Kombëtar në formë kukullash, ndërkaq në vend të kokave u kishin vënë kunguj. Aktivistët e ‘Vetëvendosjes’ kanë thënë se Ekipi i Unitetit është duke garantuar vetëm një gjë për Kosovën, e ajo është humnera. Protestuesit, më pas, kanë hedhur në oborrin e ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit letra tualeti, ndërkaq brenda selisë së UNMIK-ut kanë hedhur një pako të madhe, që simbolizonte pakon e Ahtisaarit. Ata kanë porositur UNMIK-un që të paketohet në këtë pako, pasi, sipas tyre, kjo pako nuk i duhet Kosovës, pasi është e ngushtë për pavarësinë e saj. Ndryshe, protesta ka qenë e qetë dhe Shërbimi Policor i Kosovës thotë se nuk është shënuar asnjë incident. Zyrtari për informim i SHPK-së, Arbër Beka, thotë se policia nuk ka ndaluar e as arrestuar askënd, pasi që s'ka pasur nevojë për ndërhyrje. "Është vlerësim i policisë, se kanë qenë rreth 500 persona në këtë protestë. Policia ka përcjellë nga afër të gjitha aktet, që i kanë bërë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk ka ndërmarrë ndonjë masë", ka thënë Beka. Protesta e sotme është përcjellë nga forca jo të mëdha të sigurisë, ndërkohë që prani e lehtë e policisë është vërejtur para institucioneve të Kosovës si dhe ndërtesës së administratës ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG