Ndërlidhjet

MOORE:"ZHAGITJA E STATUSIT SHTON NDIKIMIN E RUSISË NË BALLKAN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Është tashmë e qartë se BE-ja dhe SHBA-të kanë rënë dakord për një shtyrje prej 120 ditësh të statusit të Kosovës. Çfarë pritet më tej, cilat janë skenarët e mundshëm?

PATRICK MOORE
Së pari kjo nuk është një shtyrje e pafund, siç e thatë bëhet fjalë vetëm për 120 ditë. Megjithatë, shtyrja mbetet shtyrje dhe është e panevojshme. Ne e dimë se kosovarët dhe serbët kanë zhvilluar shumë bisedime ashtu siç dihet se qëndrimet e kosovarëve dhe serbëve nuk mund të pajtohen. E vetmja gjë që mund të bëhet është zbatimi i planit të Ahtisaarit dhe zbatimi i parimeve të vetvendosjes.
Sa i përket Rusisë ajo po vazhdon ta pengojë procesin sipas traditës sovjetike. Nëse vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim atëherë BE-ja dhe SHBA-të duhet të heqin dorë nga Kombet e Bashkuara, duke dalë nga ombrella e organizatës botërore dhe të veprojnë ashtu si në '99 me NATO-n.
Një hap i tillë kërkon kurajë dhe nuk jam i sigurt nëse të gjitha vendet e BE-së do ta pranonin faktin se ka një bllokim dhe e vetmja mundësi për ta tejkaluar situatën është ta shohim zgjidhjen jashtë Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të mbetemi tek pozicioni i BE-së. Brukseli përsërit se mbështet pakon e Ahtisaarit, por kërkon edhe një rezolutë të qartë nga KS-ja. Ky duket qëndrim kundërthënës duke pasur parsysh kërcënimin rus. Çfarë mendoni rreth qasjes evropiane dhe sa të thella janë ndarjet brenda BE-së për Kosovën?

PATRICK MOORE
Ka dy elementë që lidhen me reagimin brenda BE-së në rast se duhet ta gjejmë zgjidhjen jashtë Kombeve të Bashkuara.
Të parën do ta quaja kultura e ligjeve dhe rregullave. Kjo kulturë, për një numër zyrtarësh që funksionojnë brenda këtyre kornizave, e bën të vështirë të menduarin që t'i tejkalojnë këto barriera ligjore dhe të lëvizin përpara. E provova një gjë të tillë disa javë më parë gjatë një konference që u mbajt në Romë. Aty kishte përfaqësues nga Ministria e Jashtme italiane dhe një numër ekspertësh. Është për t'u habitur se si ata nuk mund ta pranonin faktin se ka dhe një rrugë tjetër për të ecur përpara në rastin e Kosovës dhe kjo është të largohemi nga korniza e Kombeve të Bashkuara.
Përveç kësaj kulture rregullash e ligjesh është dhe një arsye tjetër brenda BE-së që nuk e lejon të veprohet. Dhe kjo ka të bëjë me qyqarinë e tyre. Edhe këtë e pashë në Romë. Kisha ndjesinë e qartë se një numër njerëzish në tryezën e diskutimit përpiqeshin të justifikonin mosveprimin apo më mirë të themi qyqarinë e tyre duke u fshehur pas rregullave, duke bërë thirrje për shtyrje të reja, apo duke kërkuar nga Rusia për të një mijtën herë që të veprojë arsyeshëm.
Na kujtohet sa gjatë i'u desh këtyre vendeve të merrnin ndonjë veprim të vlefshëm në krizën në ish Jugosllavi në vitet '90.
Kjo përvojë nuk ka qenë shumë pozitive. Dyshoj se ashtu si ndodhi në vitet '90 në Kroaci, Bosnjë e Kosovë do t'u duhet sërish Shteteve të Bashkuara të marrin rolin udhëheqës, ndoshta së bashku me Britaninë, dhe të presim se disa vende të tjera do ta ndjekin.
Por nga ajo që kam dëgjuar personalisht do të thosha se gjermanët dhe italianët janë më të zjarrtët në mbrojtjen e rregullave dhe ligjeve të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke kaluar tek një lojtar tjetër në zgjidhjen e cështjes së Kosovës, e pikërisht tek Rusia, kujtojmë deklaratat gjatë kësaj jave të Vladim Putinit se kërkon ta rikthejë Ballkanin në zonën e vetë të ndikimit. Duke pasur parasysh dhe politikat energjitike të Putinit cilat janë gjasat dhe sa mund të përdoret energjia si mjet politik në çështjen e Kosovës?

PATRIK MOORE
Pa asnjë diskutim ata po përpiqen të krijojnë zonën e tyre të ndikimit. Më kujtohet se menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, Andrei Kozirev ish ministër i Jashtëm i Rusisë kur tha se Moska nuk do largohet nga Ballkani, pasi e shikon Ballkanin si zonë të vetën të ndikimit. Kjo deklaratë është bërë në kohën kur fuqia ruse ishtë në zvogëlim e sipër, përfshi dhe Azinë Qëndrore.
Mendoj se kjo qasje e rusëve është natyrale dhe në përputhje me interesat e tyre. Askush nuk mund t'i fajësojë për një gjë të tillë.
Rusët kanë para, vendet ballkanike kanë nevojë për riparimin e infrastrukturës, për zgjerim dhe modernizim. Njëherësh Rusia nuk sjell me vete atë morri ligjesh dhe zyrtarësh të tipit kolonial që sjell BE-ja.
Rusët po blejnë prona në bregdetin e Malit të Zi, po blejnë ndërmarrje në Serbi dhe po ushtrojnë ndikimin e tyre në mënyrë tradicionale siç bëjnë vendet e pasura dhe më të fuqishme në vendet më të varfëra e më të dobëta.
Rusia nuk kërkon nga vendet e rajonit të transformohen apo përmbushin librat me rregulla përpara se të bëhen partnerë të klasit të parë. Kjo është një lloj përparësie që ka Rusia në mesin e vendeve që janë të lodhura nga mësimet që jep Bashkimi Evropian, për më tepër kur prespektiva evropiane nuk duket e qartë.
Sa i përket cështjes së Kosovës dyshoj se rritja e ndikimit rus në rajon do ndikojë në hapat që mund të marrin Shtetet e Bashkuara, Britania apo Bashkimi Evropian këtë vit.
Por sa më gjatë të presim për zgjidhjen e statusit të Kosovës aq më shumë do kemi dhe rritjen e ndikimit rus në rajon. E paramendoj situatën pas disa vitesh ku Rusia mund të ketë ndikim shumë të madh në rajon e në një rast të tillë do kishte ndikim të madh tek statusi i Kosovës. Kjo është dhe një arsye më shumë që të lëvizim më shpejt drejt përcaktimit të statusit.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG