Ndërlidhjet

MAIN - SHBA


Presidenti amerikan George Bush pret në rezidencën familjare në Main homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Të dy krerët e shteteve synojnë përmirësimin e marrëdhënieve gjatë takimit në fjalë.
Para udhëtimit në Shtetet e Bashkuara, Putini theksoi marrëdhëniet e tij miqësore në nivel personal me presidentin Bush.
"Shpresoj se dialogu im me dikë që gjatë këtyre viteve kam krijuar marrëdhënie shumë të mira, miqësore do të thosha, do të zhvillohet në këtë atmosferë", tha Putin. Sipas shefit të Kremlinit "në politikë, ashtu si në sport ka gjithmonë konkurrencë. Është e rëndësishme që konkurrenca të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe duke respektuar interesat e njëri-tjetrit".
Një morri cështjesh i ndajnë dy vendet. Statusi i Kosovës, për të cilën Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se duhet të jetë e pavarur, derisa Moska e kundërshton një gjë të tillë, është një prej tyre.
Nga ana tjetër edhe planet amerikane për vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore në disa vende evropiane ka shkatuar kundërshtimin e ashpër të Moskës.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Bush synon të diskutojë dhe programet bërthamore të Iranit.
Por "nuk duhen pritur marrëveshje, vendime, apo nënshkrimi I ndonjë dokumenti", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.
"Qëllimi i takimit është të shpjegojnë shqetësimet përkatëse dhe qëndrimet në një numër cështjesh", theksoi Peskov.
XS
SM
MD
LG