Ndërlidhjet

logo-print

MALOKU: “RUSIA SYNON COPËTIMIN E KOSOVËS”


Fadil MALOKU, sociolog

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, si i vlerësoni zhvillimet rreth përcaktimit të statusit final të Kosovës?

FADIL MALOKU
Është evident një proces i stagnimit në kuadrin e definimit të statusit politik. Për këtë jemi dëshmitarë të gjithë, si diskursi politik aktual në Kosovë, e po ashtu edhe në qendrat e vendosjes është një hezitim, siç dihet, duke iu “falënderuar”, të them kushtimisht, kërcënimit që vjen nga rusët, për shkak të interesave të ndryshme parciale, globale. Rusët janë të interesuar që ta neglizhojnë procesin. Unë kujtoj se prapa këtij qëndrimi kushtimisht qëndron imponimi i delegacionit apo shtetit serb, që të neglizhohet ky proces me qëllim që të krijohet apo të rritet shkalla e frustrimit të brendshëm. Dhe, kalkulimet e brendshme serbe janë që shqiptarët dëshmojnë se janë të padurueshëm, të paqëndrueshëm dhe faktikisht Kosova është një shoqëri që nuk është e gatshme të ndërtojë institucionet sipas standardeve ndërkombëtare. Në kuadër të diskursit politik, mendoj se do të duhej të këndvështrohet i tërë procesi në disa rrafshe, në rrafshin politik, në rrafshin social dhe në rrafshin ekonomik. Në rrafshin politik, mendoj se klasa jonë politike, duke dashur të bëjë gara se cila e para, në njëfarë mënyre, do të hyjë, e them prapë kushtimisht, në historinë e definimit të statusit politik, ka bërë shumë gabime, që për mendimin tim e kanë rritur shkallën e frustrimit të brendshëm dhe si pasojë e kësaj, kemi një pakënaqësi të përgjithshme në opinion.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët më herët për hezitimin rus. Dihet se projekt-rezoluta e re ka ngecur për shkak të kundërshtimit rus. A besoni se, megjithatë, në fund do të arrihet pajtimi rus, apo do t’i bëhen koncesione tjera planit të Ahtisaarit?

FADIL MALOKU
Unë jam i prirë të besoj, se prapa këtij kontestimi të disahershëm, do me thënë katër herë ka dështuar rezoluta në Këshillin e Sigurimit, edhe me ato koncesione që ka ofruar Këshilli i Sigurimit për ta nënshkruar, mendoj se prapa krejt këtij projekti, të them kushtimisht, mund të qëndrojë një synim që Kosova të ndahet dhe kjo nuk është e rastësishme. Kujtoj se para disa ditëve, Primakov ishte ai, i cili, në njëfarë mënyre, tha se zgjidhja më e mirë për problemin e Kosovës do të ishte ndarja. Ky synim, apo ky koncept, apo ky model, apo ky projekt-propozim, mendoj se nuk është i tashëm. Ky synim ka ekzistuar me dekada të tëra. Edhe Akademia e Shkencës Serbe ka bërë projekte të ndryshme rreth ndarjes. Mirëpo, unë mendoj se ndarja eventuale e Kosovës në pjesën veriore dhe në pjesën jugore do të sjellë reperkusione edhe efekte domino edhe në pjesët e Serbisë, në pjesën ku banojnë shqiptarë dhe është pikëpyetje e madhe, se a do të mund të qëndrojë Maqedonia si e tërë, pasi që dihet se Maqedonia është një shtet, të them kushtimisht, që qëndron në këmbë të qelqta. Dhe, ky projekt-propozim për ndarjen, si koncesion i ri, kujtoj se është shumë i rrezikshëm. Se sa do të realizohet kjo, varet prej shumë faktorëve, parimeve, të cilat Grupi i Kontaktit, Këshilli i Sigurimit, Këshilli i Evropës dhe qendrat tjera të vendosjes kanë marrë, parimi i mosndryshimit të kufijve, moskyçjes së Kosovës as me Serbinë as me Shqipërinë. Do me thënë, krijimi i një entiteti të ri, siç e kanë quajtur ata, është një synim, i cili në faza afatgjate do të mund të krijojë një siguri dhe një stabilitet më koncensual në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se do t’i qëndrojnë besnikë parimeve të Grupit të Kontaktit të gjithë këta mekanizma që i përmendët?

FADIL MALOKU
Unë kujtoj se ideja e një rezolute të re, pavarësisht prej modifikimeve që janë bërë, është një situatë shumë më serioze. Këtu do t’i adresoja defektet e Grupit tonë Negociator, i cili, për mendimin tim, nuk ka qenë në nivel të misionit të vet, ka marrë prej qendrave të vendosjes projekt-propozime, të cilat u kanë konvenuar atyre në situata globale, pa bërë ndonjë ofertë serioze për problemet, për synimet, për idetë e shtetit të pavarur të Kosovës. Unë kujtoj se këtu duhet hulumtuar defektet, që Grupit të Unitetit, në njëfarë mënyre, mund t’i adresohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është dashur të bëjë Grupi i Unitetit?

FADIL MALOKU
Grupi i Unitetit, unë mendoj se është dashur të jetë më konsekuent në qëndrimet e veta, jo të jetë edhe aq shumë servil ndaj ofertave, kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe vetë fakti që nuk është plasuar ende plani i Ahtisaarit, dëshmon se negociatat e reja, padyshim, jam i bindur se do të kërkojnë koncesione të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se pavarësisht deklaratave të Prishtinës zyrtare, se nuk pajtohet për negociata shtesë me Beogradin, do të ketë negociata të tilla? Dhe, çka mund të arrihet me to, nëse merret parasysh fakti se negociatat e mëhershme nuk patën sukses?

FADIL MALOKU
Ajo se nuk do të ketë negociata është një përrallë fëmijësh. Unë kujtoj se prononcimet e mëhershme të Grupit të Unitetit, se mund të ketë negociata pa pëlqimin e tyre, dëshmojnë më së miri që ky grup nuk është në nivel të detyrës që ka marrë përsipër; dhe, kjo faktikisht hap derën që ne jemi të gatshëm sërish për negociata të reja, negociata të reja që janë pasojë e mungesës së një oferte serioze, të detajizuar, lidhur me pavarësinë e Kosovës. Kjo, do të thotë se politikanët tanë dhe grupet që janë angazhuar, sidomos Grupi i Unitetit, kanë hyrë në negociata me Serbinë të papërgatitur, kanë hyrë me ‘dorë të huaj’. Tash ata duhet ta paguajnë një çmim. Në momentin në të cilin po hyn Kosova, janë ata që do të determinojnë edhe çmimin që do ta paguajnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas deklaratës së presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës, doli ideja e shtyrjes së zgjidhjes së statusit për një periudhë prej 120 ditësh tjera. Si është duke u reflektuar tërë ky proces te qytetarët e Kosovës?

FADIL MALOKU
Nga këndvështrimi i reflektimit apo i perceptimit të opinionit të brendshëm kosovar, padyshim është një infuzion. Por, ky infuzion është pikëpyetje e madhe se sa do të zgjatë, për shkak se rrethanat në Kosovë janë alarmuese, do me thënë rrafshi politik, rrafshi ekonomik, sidomos rrafshi social. Këto tri premisa, unë mendoj se do të mund ta kërcënonin seriozisht idenë e vazhdimit të negociatave. Ideja për përkrahjen morale, ushtarake, politike që kanë dhënë amerikanët, është e pakontestueshme. Dhe, thënia e presidentit Bush në Tiranë se do të vijë fundi i kësaj ceremonie, është një infuzion që faktikisht këtë frustrim kolektiv të qytetarëve të Kosovës, në këto tre rrafshe që i përmenda, vetëm do ta prolongojë. Kjo është e pakontestueshme nëse nuk arrihet pavarësia. Ose, të paktën nëse nuk arrihet të shkojë plani i Ahtisaarit, unë mendoj se do të ketë probleme mjaft të mëdha në Kosovë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG