Ndërlidhjet

NGA TAKIMI BUSH - PUTIN, PRISHTINA PRET QARTËSIMIN E PROCESIT TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Takimi ndërmjet presidentëve George Bush dhe Vladimir Putin është një prej rasteve më të mira diplomatike për të qartësuar përmbylljen e procesit të statusit të Kosovës, vlerësojnë udhëheqës dhe përfaqësues kosovarë. Ndërkaq, përfaqësuesit serbë presin që ky takim të sjellë si rezultat të vetëm vazhdimin e negociatave. “Kjo javë filloi me takimin e shumëpritur ndërmjet presidentëve Bush e Putin”, ka thënë sot kryeministri Çeku në adresimin e tij javor për qytetarët. Tashmë është bërë e qartë se procesi nuk varet tërësisht nga kosovarët, ka pohuar kryeministri Çeku, duke rikujtuar se, megjithatë, Prishtina ka bërë atë që ka mundur të bëjë për Kosovën. Ai tha se pala kosovare ka negociuar për t’u mundësuar pakicave, sidomos asaj serbe, që të akomodohen në shoqërinë e Kosovës, por pavarësia e Kosovës, ka shtuar ai, është e panegociueshme. “Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme dhe e paevitueshme. Pavarësia e Kosovës është vendimi i shumicës së popullit të Kosovës, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Ne përfaqësojmë vullnetin e këtij populli dhe jemi me të. Kosova dhe populli ynë janë shumë më të rëndësishëm sesa secili prej nesh individualisht”, ka pohuar Çeku. Në ditën e shpalljes së deklaratës kushtetuese për Republikën e Kosovës, më 2 korrik më 1990, kryeministri i Kosovës ka rikujtuar se Prishtina ende po pret një zgjidhje për statusin, por nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të vendimeve të njëanshme, në rast të shterjes së mundësive diplomatike për një vendim të përbashkët për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. “Ne do ta organizojmë qëndrimin tonë dhe nëse duhet t’i shkojmë deri në fund, do t’i shkojmë së bashku. Por, jemi fuqimisht të bindur, se nuk janë shterur rrugët diplomatike e politike. Po punojmë në atë drejtim. Sot, më 2 korrik, në përvjetorin e 17-të të shprehjes së revoltës legjitime dhe vullnetit unanim të kosovarëve për liri e pavarësi, rikonfirmojmë detyrimet që i kemi ndaj popullit tonë, popullit që përfaqësojmë në institucione dhe në Qeveri”, tha kryeministri Çeku. Ndërkaq, zëdhënësi i Ekipit Negociues të Prishtinës, Skënder Hyseni, thotë se është vështirë të paragjykohen rezultatet e takimit Bush – Putin. Por, pas këtij takimi, sipas tij, mbase përfundimisht do të dihet se a do të përmbyllet procesi i statusit përmes rezolutës në Këshillin e Sigurimit apo përmes zgjidhjeve tjera alternative. “Në mos asgjë tjetër, ky takim patjetër që do të qartësojë përfundimisht atë se a është e mundshme që të arrihet një rezolutë në Këshill të Sigurimit dhe Kosova të pavarësohet përmes Këshillit të Sigurimit, apo bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet të ndjekë ndonjë rrugë alternative për ta përfunduar statusin e Kosovës”, është shprehur Hyseni. Ndërkohë, Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe, thotë se çështja e mbrojtjes raketore dhe Kosova, pavarësisht asaj se i pëlqen kjo dikujt apo jo, janë të ndërlidhura mes vete kur bëhet fjalë për interesat amerikane dhe ato ruse. Në këtë rrafsh, interesat e Rusisë, shton Nojkiq, përputhen edhe me interesat e Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Ai pret që takimi Bush – Putin të sjellë vazhdimin e negociatave. Nojkiq thotë se pret që takimi Bush – Putin të sjellë një kompromis vetëm në lidhje me vazhdimin e bisedimeve, bisedime këto, sipas tij, të pakushtëzuara, pasi që kushtëzimet, shton ai, nuk do të japin asnjë rezultat dhe asnjë kompromis. Në fund, thekson Nojkiq, do të gjendet zgjidhje, e cila do t’i detyrojë Prishtinën e Beogradin të ulen në tavolinën e bisedimeve. Sidoqoftë, në rast se takimi Bush – Putin nuk sjell ndonjë marrëveshje për Kosovën, institucionet e Kosovës presin që të kalohet në zgjidhje alternative, të quajtura si plani ‘B’. Mirëpo, anëtarët e Ekipit Negociues në Prishtinë janë deklaruar disa herë, se edhe në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, vendimi do të merrej në harmoni dhe në bashkëpunim me Uashingtonin dhe Brukselin.

XS
SM
MD
LG