Ndërlidhjet

MEDIAT BOTËRORE PËR TAKIMIN BUSH-PUTIN


Duke thënë se ka ardhur të luajë lojën, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se pas dy ditë takimesh me presidentin amerikan George Bush, ai është i gatshëm të zgjerojë propozimin e tij për sistemin e mbrojtjes raketore, një hap ky për të cilin zoti Putin ka thënë se do t’i çojë marrëdhëniet amerikano-ruse në nivel krejtësisht të ri bashkëpunimi. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përditshmja amerikane “New York Times”, por gazeta e ka cilësuar propozimin e zotit Putin një sistem që do të ishte pothuajse tërësisht nën kontrollin rus dhe i cili do të realizohej nën kushtet ruse.
Dhe derisa zoti Putin e portretizonte propozimin e tij si kompromis, ai ka dalë në sipërfaqe si kundërshtim i vazhdueshëm mbi planin amerikan për ta vendosur bazën e sistemit të mbrojtjes raketore në Republikën Ceke dhe në Poloni, shkruan “New York Times”.
Zoti Putin e sheh këtë sistem si kërcënim potencial për Rusinë dhe ka propozuar tani që sistemi alternativ, ai që sipas tij do të vendosej në Azerbejxhan, të realizohet bashkërisht nga Këshilli i NATO-s dhe Rusisë, një mekanizëm ky i themeluar në vitin 2002. “New York Times” shkruan se të dy presidentët nuk kanë arritur ndonjë përparim as rreth pavarësisë së Kosovës, por as për sanksionet e reja kundër Iranit për programet që ky vend ka rreth pasurimit të uraniumit.
Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” shkruan se për politikanët në Prishtinë dhe në Beograd, çështja e statusit të Kosovës është çështje jete a vdekje, por në tabllonë globale diplomatike të pokerit, çështja e Kosovës është një çip i vogël. “Kosova është një prej çështjeve më pak të rëndësishme nga çështjet kundërthënëse në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kjo është arsyeja pse të dyja palët janë duke e shfrytëzuar këtë letër aq fuqishëm, sepse humbjet janë shumë të vogla”, i ka thënë agjencisë “DPA” një diplomat amerikan në Beograd.
Megjithë ndjesitë e Luftës së Ftohtë, çështjet tjera janë shumë më të rëndësishme dhe kërkojnë një vallëzim më të sforcuar diplomatik; në mesin e tyre është Iraku dhe Afganistani, mbrojtja raketore në Evropën Lindore dhe intrigat nukleare në Iran dhe Korenë Veriore.
Diplomati amerikan i ka thënë agjencisë “DPA” nëse Bush dhe Putin dështojnë të merren vesh mbi Kosovën në Maine, Washingtoni atëherë do të shkojë përpara me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara në fakt, ka thënë ky diplomat, tashmë do ta kishin njohur Kosovën, por kanë shpresuar të shmangin rrezikun e një vale të re mospajtimesh me aleatët evropianë, në kohën kur plagët nga politika amerikane në Lindjen e Mesme sapo kanë filluar të shërohen. Madje, edhe në Serbi, diplomatët nuk presin asgjë më keq se “pak zhurmë” nëse Shtetet e Bashkuara e njohin në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës. “Për 3-4 muajt e ardhshëm, do të ishte një atmosferë e zakonshme pune”, ka thënë diplomati amerikan për agjencinë e lajmeve “DPA”.
Televizioni shtetëror rus “Rusija”, ka njoftuar se për Kosovën në qëndrimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk ka pajtueshmëri. Në një reportazh special mbi vizitën e presidentit Putin në Maine, televizioni shtetëror e ka vlerësuar Gorge Bush të vjetrin, si figurë të njohur për gjetjen e kompromiseve dhe i cili do të bënte çmos që djali i tij të zgjidhë të gjitha çështjet kundërthënëse me presidentin Putin.
“Si një politikan me përvojë, ai e kupton se për një politikan në largim do të ishte një gabim i pafalshëm nëse marrëdhëniet me Rusinë lihen në nivel të papërfunduar sikur që është tani , sepse nuk ka pajtueshmëri mbi atë se çfarë duhet bërë për pavarësinë e Kosovës, çfarë duhet bërë për armatimin strategjik dhe mbrojtjen raketore”, ka njoftuar televizioni shtetëror rus.



XS
SM
MD
LG