Ndërlidhjet

REAGIME PAS TAKIMIT BUSH - PUTIN


Albana Isufi

Liderët kosovarë besojnë fuqishëm tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse pritjet e tyre nga takimi Bush - Putin nuk janë realizuar. Fakti që Kosova nuk është përmendur fare në konferencën për gazetarë të presidentëve Bush dhe Putin, sipas zyrtarëve dhe analistëve kosovarë, nuk duhet të shihet domosdoshmërish si një gjë negative. Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se ende nuk janë bërë të ditura informacionet e plota nga ky takim dhe rrjedhimisht nuk duhet ngutur me komente. “Unë s’mund ta quaj dështim. Ne do t’i kemi informacionet e plota të krejt rrjedhës që ka ndodhur në takim. Besoj në përkushtimin e jashtëzakonshëm që SHBA-të kanë për çështjen e Kosovës. Dhe, po ashtu, është kërkesë e jona që kjo të shkojë në një proces sa më të shpejtë. Sigurisht se, këto ditë, do të kemi kontakte të niveleve të ndryshme, për të pasur elemente të tjera të nevojshme të pjesës së orarit, po them për procesin dhe për atë që ne e quajmë të nevojshme - një rezolutë sa më të shpejtë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, lideri më i madh opozitar, Hashim Thaçi, thotë se edhe pse nuk ka pasur qëndrim të prerë për Kosovën nga takimi Bush - Putin, populli i Kosovës, sipas tij, nuk e humb besimin tek Shtetet e Bashkuara. “Unë, edhe sot, besoj se puna e pavarësisë së Kosovës është punë e përmbyllur. Por, nuk duhet të fokusohemi në çaste dhe momente të caktuara të periudhave kohore që flasim sot. Edhe pse nuk ka qëndrim për Kosovën nga takimi Bush - Putin, populli i Kosovës ka besim të plotë në qëndrimin e SHBA-ve, të BE-së dhe në përkushtimet shtesë të Uashingtonit dhe Brukselit, për të integruar edhe Rusinë në vendimet për të ardhmen e Kosovës së pavarur”, është shprehur Thaçi. Ndryshe nga liderët shqiptarë, përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, thotë se në të vërtetë asgjë nuk është pritur të ndodhë nga takimi Bush - Putin dhe se Kosova nuk ka qenë temë dominuese. Por, ai thotë se megjithatë, nga ky takim është zbutur retorika. “Sigurisht se retorika do të jetë shumë më e butë dhe nuk do të ketë deklarata të ashpra e të ngutshme, siç ka ndodhur kohën e fundit. Mendoj se të dy presidentët do të kenë parasysh fushatën parazgjedhore. Dhe në këtë kontekst, mendohet për çështje të rëndësishme, siç janë Irani, terrorizmi ndërkombëtar, kriza energjetike dhe mbrojta kundër-raketore”, tha Ivanoviq, duke shtuar se deri në vjeshtë nuk do të ketë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Në anën tjetër, analisti politik, Ilir Dugolli, thotë se në të vërtetë, nga ky takim jozyrtar nuk është pritur të ketë kthesë rrënjësore të qëndrimit rus për Kosovën, por të paktën është pritur më shumë të dihet se çfarë është diskutuar. “Nuk mund të kuptoj se çka ka ndodhur për Kosovën, pasi që nuk ka pasur komunikime. Por, në çështjet tjera ka pak shenja pozitive dhe qëndrimi i ngurtë që ka ekzistuar në secilin plan, shihet se ka shenja që është zbutur. Megjithatë, do të ishte shumë optimiste të nxirrej përfundimi, se qëndrimi rus është zbutur në të gjitha planet. Një qëndrim i tillë është vështirë të pritet dhe në radhë të parë, për Kosovën ai qëndrim ka ardhur duke u ngurtësuar gjatë vitit të fundit. Kështu që nuk mund të them se një zbutje e lehtë që ka qenë për planet tjera, patjetër ekziston edhe për Kosovën”, u shpreh Dugolli. Bashkëpunëtorët e dy presidentëve kanë njoftuar se çështja e Kosovës do të diskutohet në ditët në vijim, nga shefat e diplomacive të të dy vendeve. Analisti Dugolli thotë se nga Rice dhe Lavrov edhe mund të pritet që të arrihet ndonjë pajtim. “Mund të pritet më shumë nga ata, sesa nga kryetarët. Megjithatë, çfarëdo që të arrijnë, që të përafrojnë qëndrimet e tyre, do të duhej patjetër të vulosej nga niveli më i lartë, ngase më kot do të arrihej ndonjë marrëveshje, nëse ajo nuk do të ishte e pranueshme, në radhë të parë nga kryetari rus”, ka thënë Dugolli, duke shtuar se në ndërkohë, liderët kosovarë nuk duhet të presin, por duhet të merren me çështjet e brendshme. Por, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, thotë se edhe hapat e ardhshëm të klasës politike do të jenë në drejtim të përshpejtimit të nxjerrjes së një vendimi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, në bashkëpunim me Uashingtonin dhe Brukselin. Thaçi nuk parasheh se kur do të nxirret ky vendim. “Unë besoj se kjo do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt. Por, duhet kuptuar edhe një punë, se pavarësia nuk është punë lotarie e as bastore sportive, por është një mision dhe qëllim yni, i cili do të ndodhë shumë shpejt dhe do të realizohet”, ka theksuar Thaçi. Sidoqoftë, analistët politikë thonë se gjatë kësaj vere, ajo që u mbetet të bëjnë liderëve tanë, është bisedimi i hapur me qytetarët e Kosovës, për t’ua shpjeguar atyre zhvillimet rreth përcaktimit të statusit final.
XS
SM
MD
LG