Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: SHBA-të DHE EVROPA DUHET TË JENË TË PËRGATITURA PËR TË LËVIZUR JASHTË KËSHILLIT TË SIGURIMIT


"Mendoj se është e vërtetë se shtyrja e mëtejshme do të shkaktoj humbje të kredibilitetit për bashkësinë ndërkombëtare. Por, njëherësh, unë do të kërkoja nga kosovarët që të kenë durim për një periudhë pak më të gjatë, derisa të jetë e qartë se çka po ndodhë. Ajo që e dimë është se presidentët Bush dhe Putin nuk arritën marrëveshje. Por, nuk e dimë nëse evropianët dhe amerikanët janë të gatshëm që të veprojnë jashtë Këshillit të Sigurimit", thotë pos tjerash, Daniel Serwer, drejtor i Operacioneve të Paqes dhe të Stabilitetit në Institutin e SHBA-ve për Paqe në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur pritje se presidentët Bush dhe Putin, në samitin e tyre, do të diskutonin për statusin e Kosovës. Siç tha zoti Hedley, të dy presidentët diskutuan për këtë çështje, por ajo tash do të diskutohet nga sekretarja Rice dhe ministri i jashtëm Lavrov. Si e kuptoni ju këtë deklaratë?

DANIEL SERWER
Tash për tash, së paku, e kuptova si dështim të amerikanëve për ti realizuar premtimet e tyre për arritjen e rezolutës në Këshillin e Sigurimit, që do ta hapte derën për statusin final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush është fajtor për këtë dështim?

DANIEL SERWER
Dështimi është produkt i marrëdhënieve të vështira ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova është shumë e rëndësishme për popullin në Serbi dhe në Kosovë, por ajo është çështje e vogël në tabelën globale të shahut. Mendoj se ata posa vendosën që të mos lejojnë që çështja e Kosovës realisht të gjendet në këtë tabelë shahu, pasi atje gjenden shumë gjëra të tjera më të rëndësishme. Nga pikëpamja ime, ky është gabim i madh. Por, poashtu do të ishte gabim i jashtëzakonshëm nëse shqiptarët e Kosovës vendosin të përdorin dhunë ose diçkla tjetër të ngjashme. Kjo nuk do të sillte asgjë. Më duket se shtimi i presionit politik dhe angazhimi amerikan është shumë i rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kristina Galak, që është zëdhënëse e zotit Solana tha se Bashkimi Evropian do të marrë vendim për statusin e Kosovës, nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit vazhdon të thotë vetëm jo. Si e komentoni këtë qëndrim?

DANIEL SERWER
Ky është lajm i mirë. Më duket se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të jenë të përgatitura për të lëvizur jashtë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nëse rusët e pengojnë rezolutën brenda Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni, a janë ata të përgatitur që të lëvizin jashtë Këshillit të Sigurimit, siç thatë ju?

DANIEL SERWER
Nuk e dij. Nuk mendoj se Evropa është plotësisht e përgatitur, por shpresoj se bëhet gati dhe shpresoj se amerikanët do të ndikojnë që ata të jenë gati. Kur rusët e shohin vendimin për gatishmëri për të vepruar jashtë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka shumë gjasë që të shkojnë përgjatë vendimit në Këshillin e Sigurimit, pasi kjo është në interes të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni lidhur me mundësinë që pas një periudhe të përmendur prej katër muajsh, Shtetet e Bashkuara përfundimisht do ta njihnin deklaratën e institucioneve të Kosovës për pavarësi. E shtrova këtë pyetje pasi kryeministri Agim Çeku tha se duke e shtyrë statusin, bashkësia ndërkombëtare po e humbë kredibilitetin.

DANIEL SERWER
Mendoj se është e vërtetë se shtyrja e mëtejshme do të shkaktoj humbje të kredibilitetit për bashkësinë ndërkombëtare. Por, njëherësh, unë do të kërkoja nga kosovarët që të kenë durim për një periudhë pak më të gjatë, derisa të jetë e qartë se çka po ndodhë. Ajo që e dimë është se presidentët Bush dhe Putin nuk arritën marrëveshje. Por, nuk e dimë nëse evropianët dhe amerikanët janë të gatshëm që të veprojnë jashtë Këshillit të Sigurimit. Pra, ka shumë gjëra që duhet ti dijmë para se të vendoset se çfarë veprimi duhet të ndërmerret. E kuptoj mirë padurimin e njerëzve në Kosovë, por ata duhet të kenë durim pak më të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, për fund të kësaj interviste, si i shihni zhvillimet e ardhshme për statusin e Kosovës, për të cilin plani i Ahtisaarit propozon pavarësi të mbikëqyrur?

DANIEL SERWER
Pikëpamja ime është se plani i Ahtisaarit është i dëshirueshëm vetëm nëse ka vendim në Këshillin e Sigurimit. Nuk mendoj se institucionet e Kosovës duhet të ndjehen të obliguara që ta implementojnë planin e Ahtisaarit, derisa të arrihet rezoluta në Këshillin e Sigurimit. Në planin e Ahtisaarit ka shumë gjëra që synojnë ta kënaqin Beogradin. Prandaj, nëse Beogradi nuk do të lejoj vendim në Këshillin e Sigurimit, nuk e shoh se për çfarë arsye ata duhet ti gëzojnë të mirat e planit të Ahtisaarit. Por, në fund, për këtë duhet të vendosin kosovarët. Pra, të shohin se sa është plani i Ahtisaarit në interes të tyre dhe rrjedhimisht ato pjesë të tij do të duhej të implementoheshin dhe sa ky plan nuk është në interesin e tyre dhe që nuk duhet të implementohet. Ky vërtetë është vendim që duhet ta marrin udhëheqësit kosovarë.
Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG