Ndërlidhjet

ANALISTËT: POLITIKA KOSOVARE TË PËRQENDROHET NË PROBLEMET E BRENDSHME


Bekim Bislimi

Politika kosovare, edhe para rrjedhave të fundit në arenën ndërkombëtare lidhur me definimin e statusit të Kosovës, ka pasur pak hapësirë për të manovruar dhe ndikuar në arenën ndërkombëtare dhe kjo hapësirë mungon edhe sot. Kështu thonë analistët kosovarë, të cilët pohojnë se klasa politike kosovare duhet të përqendrohet në problemet e brendshme, që ekzistojnë në Kosovë. Analisti Baton Haxhiu thotë se gjatë gjithë kohës sa ishte dhe është duke zgjatur procesi i definimit të statusit politik të Kosovës, liderët politikë kosovarë nuk kanë qenë realë në raport me opinionin kosovar. ”E keqja është se ata kanë bërë një verbalizëm karshi opinionit politik kosovar, duke gënjyer dhe duke krijuar pozicione për të ardhmen. E natyrshme për retorikën politike. Por, tash, kur gjithçka është e hapur, dihet që ata nuk kanë kurrfarë mundësie manovrimi, për arsye se statusi i Kosovës nuk është çështje e tyre. Ajo, që ata duhet të bëjnë në këtë moment, është krijimi i kushteve për zgjedhje sa më të shpejta dhe natyrisht të merren me çështjet elementare për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Haxhiu. Mungesën e hapësirës së politikës kosovare për të manovruar në arenën ndërkombëtare e pohon edhe analisti Dukagjin Gorani. ”Drejtpërdrejt kjo politikë nuk mund të ndikojë në vendimet e mëdha ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe statusi i Kosovës. Mirëpo, ajo që politika kosovare duhet të bëjë, është që të gjejë mënyrën që të ripajtohet me opinionin, meqenëse ekziston një ndasi, e cila po thellohet mes pushtetit dhe opinionit. E kjo nuk i shkon në favor askujt. Mënyra se si do të duhej të krijohej një pajtueshmëri midis këtyre dy strukturave, do të ishte rilegjitimimi i pushtetit tonë; realisht do të ishin zgjedhjet e lira të përgjithshme”, ka thënë Gorani. Zgjedhjet e lira dhe legjitimimi, shtoi Gorani, nuk duhet të ndërlidhen me statusin e Kosovës, sepse, siç tha ai, është e qartë se çështja e definimit të statusit është e mundur që të zgjasë në afate të pacaktuara. Ndërkohë që, sipas Goranit, legjitimiteti dhe llogaridhënia e pushtetit karshi shoqërisë është një çështje që nuk mund të presë. Në anën tjetër, analisti Baton Haxhiu thekson se pozicioni i sotëm i politikës kosovare përballë politikës ndërkombëtare nuk mund të sjellë situata të rrezikshme në Kosovë. ”Me këta politikanë nuk mund të krijohen situata të rrezikshme. Papërgjegjësia e tyre karshi opinionit publik krijon situata të rrezikshme. Ata nuk janë të fuqishëm që të krijojnë situata të rrezikshme, për arsye se ata kanë obligime ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ata kanë krijuar një pozicion lojaliteti maksimal dhe ata duhet ta kryejnë detyrën e qetësisë deri në status. Tash, kur do të jetë ai status, një Zot e di, por është mirë që ata të mos deklarohen më për muaj dhe ditë”, ka thënë Haxhiu. Ndërkaq, analisti Gorani thekson se në Kosovë ekziston situata e rrezikshme për shkak të pakënaqësisë së opinionit, por manifestimi i këtij rreziku nuk është i shprehur skajshmërisht. ”Natyrisht që këtu nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë tronditje të madhe të sigurisë, meqenëse askush nuk e ka ndërmend të hyjë në luftë. Natyrisht që nuk bëhet fjalë për ndonjë tmerr total ekonomik, meqenëse Kosova nuk është burim e as faktor i madh ekonomik. Mirëpo, mund të bëhet fjalë për një acarim të vazhdueshëm të situatës, që mund të shkaktojë incidente të kohëpaskohshme të çfarëdo natyre, e që askujt nuk i shërbejnë”, ka theksuar Gorani. Sidoqoftë, analistët në Kosovë thonë se faktor i acarimit të opinionit në Kosovë është, siç pohojnë ata, papërgjegjësia e pushtetit ndaj këtij opinioni. Sipas tyre, kjo papërgjegjësi duhet patjetër të futet brenda një kornize të përgjegjësisë dhe llogaridhënies dhe se rruga më e shkurtër për këtë është shpallja e zgjedhjeve të lira të përgjithshme.


XS
SM
MD
LG