Ndërlidhjet

logo-print

MASA TË REJA PËR INKASIM MJETESH NË KORPORATËN ENERGJETIKE


Nadie Ahmeti

Me qëllim të rritjes së inkasimit të mjeteve në Korporatën Energjetike të Kosovës për energjinë e shpenzuar nga qytetarët, Ministria e Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, i cili obligon qytetarët që me rastin e aplikimit për regjistrim apo riregjistrim të automjeteve të tyre, të paraqesin edhe një faturë, me të cilën vërtetohet se kanë paguar energjinë e shpenzuar. Ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, tha se masat e këtij nënshkrimi do t’i ndihmojnë sektorit të energjisë, respektivisht rritjes së inkasimit të mjeteve në Korporatën Energjetike të Kosovës. “Qeveria dhe institucionet tona janë të përkushtuara për të mbështetur stabilizimin e gjendjes në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, duke parë se kriza energjetike në rajon është mjaft e madhe dhe ajo është duke u thelluar edhe më tepër. Qeveria dhe Ministria, në bashkëpunim me donatorët, janë duke bërë çka është e mundur, që ne të kemi një stabilitet në furnizimin me energji elektrike”, ka thënë ministri Çeku. Ministria e Energjisë dhe Minierave, që një kohë të gjatë, në mënyra të ndryshme, po mundohet të rrisë inkasimin e energjisë elektrike, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, vendimin e Ministrisë së Energjisë nuk e quan të padrejtë, por jo edhe adekuat. Megjithatë, ajo pohon se përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në sektorin e energjisë duhet të jenë të dyanshme, mes qytetarëve dhe Korporatës Energjetike të Kosovës. “Në njëfarë forme, kur shihet që është kushtëzuar me regjistrimin e automjeteve, ndoshta nuk është edhe aq tragjike. Gjithmonë shtrohet pyetja se sa i kryen obligimet e veta ndaj qytetarëve Korporata Energjetike e Kosovës, kur dihet se ende ka shumë jotransparencë nga kjo organizatë dhe ende nuk ka furnizim të rregullt me energji elektrike”, është shprehur zonja Kusari-Lila. Vendimi i Ministrisë së Energjisë për qytetarët e Kosovës është i padrejtë. Shefqet Ibrahimi, nga Prishtina, pohon se rryma e shpenzuar duhet të paguhet, por me këtë vendim Ministria e Energjisë, sipas tij, në mënyrë të dhunshme po detyron qytetarët që ta paguajnë energjinë. “Qytetarët po i shtyjnë me zor që të paguajnë diçka. Në mënyrë demokratike, çdo çmim paguhet vullnetarisht dhe dihet se ajo që shpenzohet duhet paguar qind për qind. Vendimi që është marrë është i padrejtë. Ka mënyra të tjera, me të cilat duhet të përfundojë kjo punë, e jo në këtë mënyrë të dhunshme”, u shpreh zoti Ibrahimi. Edhe Pranvera Hajdari thotë se vendimi i Ministrisë së Energjisë është i gabuar. “Unë nuk mendoj se do të jetë një hap i mirë për qytetarët. Kjo është një ndër problemet, sepse edhe për t’u pajisur me dokumente tjera kërkohen kësi lloj faturash dhe kjo është e padrejtë”, tha zonja Hajdari. Shaban Bicaj, një qytetar tjetër nga Prishtina, ndërkaq tha se Ministria e Energjisë është dashur të gjejë forma tjera, në mënyrë që t’i bindë konsumatorët për të paguar rrymën e shpenzuar. “Kur shteti nuk funksion, çdo organizatë, çfarëdo që të jetë ajo, mundohet të gjejë mekanizma për të rregulluar punët e veta. Mirëpo, vendimi që ka sjellë Ministria e Energjisë, nuk mendoj se është diçka normale”, ka thënë zoti Bicaj. Sidoqoftë, KEK-u ankohet për borxhin e madh që konsumatorët kanë ndaj kësaj kompanie. KEK-u, me qëllim të ngritjes së inkasimit të energjisë elektrike, ka më shumë se një vit që ka filluar të zbatojë planin ABC, sipas të cilit, qytetarët, varësisht nga pagesat për rrymën e shpenzuar, janë të ndarë në tri kategori të furnizimit me rrymë.
XS
SM
MD
LG