Ndërlidhjet

A DUHEN NDRYSHUAR POLITIKAT FISKALE?


Nadie Ahmeti

Ekspertët e ekonomisë kanë mirëpritur propozimin e Ministrisë së Tregtisë për ndryshimin e politikave fiskale. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka bërë këtë propozim me qëllim të, siç thuhet, përmirësimit të pozitës së komunitetit të biznesit kosovar dhe lehtësirave tatimore për investitorët e mundshëm ndërkombëtarë. Këtë propozim e ka përkrahur edhe Qeveria e Kosovës, e cila është pajtuar që të formojë një grup punues për shqyrtimin e mundësisë së ndryshimit të këtyre politikave. Remzi Ahmeti, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha se me këtë propozim, Ministria e Tregtisë ka paraparë zbritje të tatimeve për ato ndërmarrje që punësojnë mbi 50 punëtorë. “Nëse investitori investon dhe punëson 100 persona, atëherë do të ketë një lehtësim prej 10 për qind në 5 për qind”, tha Ahmeti. Ekspertët për çështje ekonomike thonë se ndryshimi i politikave fiskale është i domosdoshëm për përmirësimin e pozitës së bizneseve në Kosovë. Drejtori i Agjencisë Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se politikat aktuale e kanë dëmtuar seriozisht biznesin dhe kanë ndikuar në moszhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë. “Pas mbarimit të fazës emergjente të rindërtimit, që rezultoi me një rritje ekonomike, ambientet institucionale të politikave nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë kushte të mira për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo më tepër, sipas aleancës, e ka vështirësuar, për shkak të paqartësive që kanë pasur lidhur me autorizimet dhe kompetencat në relacionin Qeveri-UNMIK dhe transferin e kompetencave”, ka thënë Shahini. Sipas tij, tatimet që aplikohen në Kosovë janë më të lartat në rajon dhe kjo ka bërë që bizneset kosovare të mos jenë konkurrente në rajon. “Ne, si aleancë, kemi kërkuar që të rritet tatimi në TVSH prej 15 në 17 për qind dhe të hiqet në disa produkte, që janë të rëndësishme dhe jetike për popullatën, të zbritet deri në 3 për qind”, tha Shahini. Edhe Remzi Ahmeti, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se politikat që aplikohen në Kosovë kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik. “Në rajon, si në Mal të Zi, në Serbi dhe në Maqedoni, tatimet janë shumë më të ulëta sesa në Kosovë. Kështu, për të krijuar një treg konkurrues në rajon, Agjencia dhe Ministria i kanë propozuar Qeverisë që të bëhen këto ndryshime të politikave fiskale”, ka thënë Ahmeti. Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se ndryshimi i politikave fiskale në Kosovë do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të të punësuarve.
XS
SM
MD
LG