Ndërlidhjet

DUHET APO NUK DUHET MBAJTUR ZGJEDHJET PARA STATUSIT?


Albana Isufi

Përderisa vendimi përfundimtar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira do të dihet pas kthimit të kryeadministratorit Joachim Ruecker nga New York-u, analistët kosovarë kanë opinione të ndryshme rreth organizimit të zgjedhjeve. Analisti politik, Lulzim Peci, thotë se mbajtja e zgjedhjeve është e domosdoshme, sepse në të kundërtën institucionet do të humbasin legjitimitetin e tyre. “Mbajtja e zgjedhjeve është diçka që duhet të ndodhë, sepse ka të bëjë me legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet e kanë afatin e vet dhe nuk mund të shtyhen. Presedani i vitit të kaluar po tregon se shtyrja e zgjedhjeve nuk ka qenë e drejtë, në atë moment kur janë shtyrë zgjedhjet lokale”, ka thënë Peci. Por, eksperti për qeverisje, Arben Gashi, thotë se është problematik organizimi i zgjedhjeve krahas procesit të përcaktimit të statusit final. Ai thotë se do të jetë vështirë të dihet, se si do të përballohet ky ndërtim i institucioneve të qeverisjes demokratike me interesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës. “Nëse do të shkonim drejt zgjedhjeve në Kosovë, cili do të ishte realiteti, cilat do të ishin anët pozitive dhe negative? Pozitive do të ishte se do të kemi institucione demokratike legjitime, të votuara nga qytetarët e Kosovës. Ndërsa, negative, në këtë aspekt, është se cili do të jetë roli i këtyre zgjedhjeve, fushatës paraelektorale, fushatës elektorale dhe ndikimi në statusin përfundimtar të Kosovës dhe cila do të jetë pakoja, që politika kosovare do t’u ofrojë qytetarëve kosovarë për të votuar”, është shprehur Gashi. Por, analisti Lulzim Peci konsideron se pavarësisht procesit të përcaktimit të statusit final, zgjedhjet e përgjithshme janë të domosdoshme. “Kosova ka qeveri në vend, ka institucione në vend, zgjedhjet mbahen, zgjidhet qeveria e re dhe të gjitha ato. Por, derisa nuk zgjidhet qeveria e re, ne i kemi institucionet që janë në funksion. Kështu që nuk mendoj se do të shtyhet çështja e statusit. Mund të kenë ndikim periferik, por unë mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen dhe se nuk do të ndikojnë drejtpërdrejt në status”, ka thënë Peci. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se i duhen edhe disa konsultime me New York-un dhe me lidershipin e Kosovës, para se të marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të lira, që parashihen të mbahen gjatë muajit nëntor të këtij viti. Tashmë është paralajmëruar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen edhe në nivelin lokal, edhe në atë qendror. Analisti Peci thotë se kjo gjë do t’i komplikonte gjërat. “Do të ishte më mirë që të ketë diferencë mes zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve nacionale, sepse njerëzit do t’i kishin më të qarta agjendat lokale dhe ato të përgjithshmet për qeverisjen e Kosovës nga partitë politike. Kështu që ka mundësi të shkaktohet konfuzion, sidomos sa i përket zgjedhjes së qytetarëve për platforma më të mira”, tha Peci. Ndërkaq, Arben Gashi mendon se bazuar në rekomandimet e planit të Ahtisaarit për krijimin e komunave të reja, atëherë institucionet e reja do ta kenë vështirë të zgjedhin veprimin e duhur. “Në qoftë se mbahen zgjedhjet tash, si do të zgjidhet problematika e këtyre zonave të reja, që do të krijohen si komuna, zona komunale apo forma të tjera të organizimit subnacional? Problematikë tjetër është se sa do të përfaqësojnë interesin e qytetarëve”, ka thënë Gashi. Por, ai mendon se edhe varianti tjetër, që të pritet statusi e më pas të shkohet me zgjedhje, nuk është adekuat, meqë plani i Ahtisaarit rekomandon mbajtjen e zgjedhjeve brenda 9 muajsh, por në të njëjtën kohë kërkon miratimin e një sërë ligjesh, gjë që, sipas Gashit, rrjedhimisht do t’i shtynte zgjedhjet edhe për të paktën 16 muaj. “Politika kosovare dhe institucionet kosovare duhet të vlerësojnë dinamikën dhe rëndësinë e definimit të statusit të Kosovës përballë ndërtimit të institucioneve dhe kapaciteteve demokratike, që mos të rrezikojmë që vendi ynë, menjëherë pas definimit të statusit, të shkojë në një kaos politik dhe demokratik”, ka theksuar Gashi. Mandati i institucioneve të pushtetit lokal ka skaduar vitin e kaluar, por për shkak të angazhimeve të kosovarëve në procesin e statusit, mandati qe vazhduar përmes një vendimi të shefit të UNMIK-ut. Ndërkaq, mandati i institucioneve qendrore, sipas Kornizës Kushtetuese, përfundon në muajin nëntor. Sipas një vendimi të mëhershëm të shefit të UNMIK-ut, zgjedhjet është dashur të mbahen tre deri në gjashtë muaj pas zgjidhjes së statusit final. Por, debati për zgjedhjet është riaktualizuar, pasi që pritjet për një zgjidhje të shpejtë të statusit nuk u realizuan.

XS
SM
MD
LG