Ndërlidhjet

EYAL:"BE KUNDËR NJOHJES SË NJËANSHME TË PAVARËSISË SË KOSOVËS"


Jonathan EYAL, ekspert në Institutin Mbretror të Britanisë së Madhe

RADIO EVROPA E LIRË
Përse ka ngecur procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës?

JONATHAN EYAL
Në Perendim nuk ka qëndrim unik rreth zhvillimevet të ardhshme. Një vijë e argumentimit thotë se procesi duhet drejtuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ku do të ballafaqohet me veton ruse. Përparësia e kësaj qasje konsiston në faktin që gjithë botës do t'i bëhej e ditur se Rusia është pengesa e vetme dhe me këtë akt do të hapej rruga që disa vende të ndërmarrin vendime unilaterale. Por, kjo qasje ka edhe rreziqet e veta. Një nga rreziqet është thellimi i krizës ndërmjet Perendimit dhe Rusisë. Problemi tjetër konsiston në faktin se ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit nuk ka unitet se çfarë duhet bërë pas dështimit të procesit në Këshillin e Sigurimit. Bashkimi Evropian nuk është i prirur për njohje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse bëhet shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, në ç'masë do të thellonte kjo hendekun ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit?

JONATHAN EYAL
Mendoj se kjo situatë nuk do të shkaktonte përçarje shumë të thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Kur e them këtë kam parasysh faktin që presidenti i ri i Francës nuk dëshiron ashpërsim të raporteve me Shtetet e Bashkuara. Së dyti, Gjermanisë pas përçarjes rreth Irakut nuk do t'i konvenonte një tensionim i ri me Uashingtonin për shkak të Ballkanit. Pra, nuk mendoj se do të vinte deri të një plasaritje e madhe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në instancë të fundit edhe evropianët dëshirojnë të njejtën zgjidhje për Kosovën si Shtetet e Bashkuara, por dallojnë vetëm në aspektin e procedurës. Por, në këto rrethana megjithate mund të shkaktohet situatë konfuze. Sa për ilustrim t'u them se aktualisht përfaqësuesit e qeverive evropiane janë duke zhvilluar konsultime të fshehta në të cilat është propozuar që nëse Kosova njëanshëm shpallë pavarësinë, këto qeveri të mos njohin pavarësinë, por me qeverinë e re në Prishtinë të vendosin vetëm bashkëpunim teknik. Por, edhe në këtë aspekt shtrohet një dilemë: cili do të ishte statusi i forcave ndërkombëtare që do të mbeten në Kosovë dhe që atje janë me mandatin e rezolutës 1244, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkelin këtë rezolutë? Deri më tash askush nuk di të japë përgjegje në këtë pyetje.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa vende evropiane, siç janë Gjermania dhe Spanja, e kanë bërë të ditur se në këtë rast do të tërheqin ushtarët e tyre nga Kosova?

JONATHAN EYAL
Po. Gjermanët në këtë plan kanë një pengesë serioze kushtetuese. Ata nuk guxojnë të dërgonjë ushtarët e tyre jashtë vendit nëse nuk ka mandat ndërkombëtar ose miratim të Parlamentit. Është e qartë se Parlamenti gjerman nuk do të japë mandatin për trupat e veta nëse për këtë nuk ka një mandat ndërkombëtar. Në këto diskutime të brendshme, Shtetet e Bashkuara i kanë sugjeruar Bashkimit Evropian të tentoj të merret vesh me qeverinë kosovare që trupat atje të mbeten me ftesën e qeverisë së Kosovës. Por, kjo do të nënkuptonte që evropianët të njohin qeverinë e Kosovës si qeveri të një vendi të pavarur. Bashkimi Evropian në këtë çast nuk është i gatshëm të bëjë një gjë të tillë pa rezolutë në Këshillin e Sigurimit. Pra është një situatë shumë e komplikuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në disa mediume është thënë se zyrtarë perendimor janë duke shqyrtuar opcionin e ndarjes së Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

JONATHAN EYAL
Kjo nuk është zgjidhje. Kjo do të ishte zgjidhje sikur qeveria në Prishtinë të pajtohej me ndarjen, por ajo është kundër coptimit. Pasi që Prishtina nuk pajtohet me ndarje atëherë çfarë mbetet – që Evropa të imponoj ndarjen? Kjo do të kishte pasoja shumë serioze për vendet siç janë Maqedonia dhe Bosnja. Si mund të thoni se do të ndani Kosovën, ndërsa Bosnjën ta mbani unike? Si mund të mendohet për ndarjen e Kosovës dhe të arrini të bindni shqiptarët në Maqedoni që të mbeten në këtë shtet? Opcioni i ndarjes në rastin e Kosovës nuk ka gjasa. Ajo që është më e mundshme është autonomia më e gjërë për serbët në veri të Kosovës. Së dyti, është e mundur që gjithë debati për Kosovën të shtyhet për gjashtë ose tetë muaj, ashtu siç ka propozuar presidenti francez Nikolas Sarkozi. Ky skenar është më i mundshëm, por jo edhe ai që ka të bëjë me ndarjen e Kosovës.

Intervistoi: B. TRIVIC
XS
SM
MD
LG