Ndërlidhjet

VETERANËT PARALAJMËROJNË MASA RADIKALE NËSE NUK ARRIHET SHPEJT PAVARËSIA


Albana Isufi

Përfaqësues të institucioneve si dhe ekspertë për çështje të sigurisë u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të shoqatave të dala nga lufta, që të durojnë edhe më tej dhe të mos ndërmarrin ndonjë veprim që do të mund të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë. Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thënë se do të veprojnë sikur ushtarë të UCK-së, nëse pavarësia e Kosovës nuk arrihet shpejt. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Faik Fazliu, thotë se pritja nuk mund të zgjatet pafundësisht dhe se durimit po i shihet fundi. “Ne, si veteranë të luftës, kemi dalë me një qëndrim, që nëse nuk arrihet pavarësia e vendit tonë si zgjidhje minimale, ne do të detyrohemi që të veprojmë si ushtarë të UÇK-së, sepse ne veprimet tona i kemi bërë që ne të kemi një Kosovë, një vend të pavarur dhe të jemi të lirë të vendosim vetë për vendin tonë. Gjithashtu, edhe dëshmorët, shokët tanë që kanë dhënë jetën, e kanë dhënë për këtë qëllim, për këtë arsye. Ne, si veteranë të luftës, jemi të obliguar, por edhe shumë të vendosur, që këtë vullnet të qytetarëve te Kosovës ta mbrojmë deri në fund”, është shprehur Fazliu. Këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se është e qartë që pakënaqësia lidhur me moszgjidhjen e statusit, është e madhe në mesin e popullit. Por, ai ka bërë thirrje që t’u besohet institucioneve të Kosovës. “Është e vërtetë se në Kosovë ekziston pakënaqësi, për shkak të mosmarrjes së vendimit për status. Por, është e vërtetë që qytetarët e Kosovës kanë besim në institucionet e tyre, kanë besim se ato punojnë dhe janë të angazhuara në mënyrë intensive, që procesi i statusit të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë Qirezi. Përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë kërkuar që të takohen me Ekipin e Unitetit, takim ky, që më pas do të përcaktojë masat që do t’i marrin veteranët. “Ne presim përgjigje nga Ekipi Negociator. Shpresojmë se shumë shpejt do të takohemi dhe do t’i shprehim qëndrimet tona. E pastaj, organet tona do të vendosin për gjithë hapat e mëtejmë”, tha Faik Fazliu. Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se shqetësimi i veteranëve është i kuptueshëm. Megjithatë, ai thotë se veprimet e dhunshme do të keqësojnë edhe më tej situatën. “Edhe përkundër dobësive të faktorit vendor, konkretisht të Grupit të Unitetit, konsideroj se veteranët duhet të përmbahen, sepse dhuna në këtë situatë, sipas mendimit tim, nuk është e preferueshme. Një situatë kaotike në Kosovë e dëshirojnë qarqet zyrtare të Beogradit”, tha Qehaja. Por, Faik Fazliu edhe pse nuk jep ndonjë datë se kur do të nisin në të vërtetë veprimet e paralajmëruara, është i bindur se veteranët nuk do të rrinë duarkryq. “Ne nuk do të rrimë duarkryq karshi të gjitha këtyre shtyrjeve dhe të gjitha këtyre padrejtësive, që po bëhen karshi vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Fazliu. Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, konsideron se ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë në Kosovë mund të bëhet nëse lidershipi aktual këmbëngul dhe kërkon afatizimin e pavarësisë. Qehaja konsideron se janë edhe vetë veteranët e luftës ata që mund të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë në Kosovë. “Konsideroj se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet realitet. Prandaj, qasja jonë ndaj masave vetëmbrojtëse duhet të jetë më e theksuar, sepse për këtë do të ketë nevojë, kuptohet nëse vjen deri te shpallja e pavarësisë së njëanshme. Situatën e sigurisë në Kosovë duhet kontrolluar patjetër, prandaj edhe veteranët dhe gjithë subjektet tjera në këtë drejtim mund të ndihmojnë”, ka thënë Qehaja. Zvarritja e zgjidhjes së statusit ka bërë që edhe vetë sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, të tërheqë vërejtjen se gjendja në Kosovë mund të dalë jashtë kontrollit, nëse edhe me tej statusi i Kosovës mbetet i paqartë.



XS
SM
MD
LG