Ndërlidhjet

FDH: ARSIMIMI NË GJUHËN AMTARE NUK PO ZBATOHET NË TËRËSI


Nadie Ahmeti

Korniza Kushtetuese e Kosovës u garanton të drejtën të gjitha pakicave kombëtare në Kosovë që të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri në Universitet. Megjithatë, në praktikë kjo e drejtë nuk realizohet në tërësi. Kështu u tha gjatë një konference të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Bekim Blakaj, udhëheqës i këtij fondi, tha se në këtë drejtim, probleme më se shumti kanë serbët, të cilët edhe më tej mësimet i vijojnë në enklavat serbe me plan-program të Qeverisë së Serbisë. Ndërhyrja e Qeverisë së Serbisë në këtë fushë dhe mungesa e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për arsimimin në gjuhën serbe, sipas Blakut, është një nga arsyet pse serbët i vijojnë mësimet me plan-programe të Qeverisë serbe. “Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se Qeveria e Kosovës ende nuk e ka miratuar planin dhe programin e arsimit në gjuhën serbe. Kjo është një mangësi e madhe. Por, në anën tjetër, edhe serbët refuzojnë të kyçen në procesin e marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, tha Blaku. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë përpjekje të vazhdueshme, që edhe komuniteti serb të integrohet në institucionet arsimore kosovare, thotë Mimoza Hasani, zëdhënëse në këtë ministri. Ajo tha se kjo ministri ka zhvilluar takime të ndryshme me ekspertë të minoritetit serb, sa i përket plan-programeve serbe, mirëpo deri më tani nuk ka pasur rezultate. “Bashkëpunimi me serbët, në këtë aspekt, është ndërprerë në vitin 2004. Prej atëherë, MASHT ka bërë përpjeke të vazhdueshme për t’i inkuadruar serbët në plan-programet e Kosovës, mirëpo asnjëherë nuk kemi pasur përgjigje pozitive”, tha Hasani. Dragan Popoviq, menaxher i programit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë se e gjithë kjo po ndodhë për shkak se Qeveria e Serbisë po manipulon me strukturat paralele. Ai pohon se Qeveria e Serbisë e ka rënduar në një mënyrë pozitën e serbëve sa i përket çështjes së arsimit, duke kërkuar që të heqin dorë nga pagat e buxhetit të Kosovës. Sipas tij, në këtë mënyrë, Qeveria e Serbisë po inkurajon serbët që të largohen nga institucionet kosovare në ç’mënyrë po pengohet edhe integrimi i tyre në shoqërinë kosovare. “Ministria e Arsimit e Qeverisë së Serbisë, në bazë të një udhëzimi administrativ, në mars të vitit të kaluar ka pamundësuar mësimdhënësit serbë që të marrin paga nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Popoviq. Por, në anën tjetër, Popoviq tha se institucionet kosovare duhet patjetër të krijojnë politika integruese për nxënësit serbë, në mënyrë që ata suksesshëm të integrohen në arsimin kosovar. Viktoria Zhivkoviq, sekretare në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Graçanicë, thotë se në këtë shkollë punohet me plan-program të Qeverisë së Serbisë. Ajo thotë se diplomat, të cilat i marrin nxënësit në bazë të plan-programit të Serbisë, i mundësojnë atyre që të vazhdojnë shkollimin dhe punësimin në Serbi. “Është pikëpyetje e madhe, se në cilat shkolla do të mund të regjistroheshin nxënësit në mësim në gjuhën serbe, kur do të kishin diplomat në bazë të plan-programit të Kosovës”, tha Zhivkoviq. Viktoria Zhivkoviq pohon se mësimdhënësit serbë, të cilët punojnë në arsim, konsiderojnë se lidhur me plan–programet serbe duhet të merren vesh dy qeveritë, ajo në Prishtinë si dhe Qeveria e Beogradit.



XS
SM
MD
LG