Ndërlidhjet

logo-print

SHTYRJA E STATUSIT PENGON INVESTIMET E HUAJA NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Shtyrja e mundshme e miratimit të rezolutës nga Këshilli i Sigurimit, e cila do të përcaktonte statusin e Kosovës, do të ndikojë negativisht në zhvillimet ekonomike, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane për Kosovë, tha se moszgjidhja e statusit edhe ashtu ka rënduar shumë zhvillimin ekonomik në Kosovë, ndërkaq shtyrja e mundshme do të stagnojë gjithçka në proceset ekonomike. Problemi kryesor, sipas saj, është se kjo periudhë do të rrisë edhe tepër pasigurinë e investitorëve të mundshëm, kështu që investimet e tyre do t’i përqendrojnë në vende tjera të rajonit. “Një numër i konsiderueshëm i investitorëve, të cilët mendojnë të vijnë në Kosovë, do të hezitojnë dhe do të kenë problemet e veta me ardhjen në një vend me status të padefinuar; gjithmonë, duke e marrë parasysh faktin se mund të ketë edhe destabilitetit social dhe politik në Kosovë, për arsye të mungesës së statusit”, tha Kusari-Lila. Edhe Dardan Stublla, këshilltar i ministrit të Ekonomisë dhe Financave, pohon se shtyrja e mundshme e zgjidhjes së statusit të Kosovës do të përkeqësojë edhe më shumë situatën ekonomike, për shkak se kjo periudhë do të rrisë pasigurinë për investitorët e mundshëm ndërkombëtarë. “Investitorët e huaj do të hezitojnë të investojnë në një vend pa status të definuar“, u shpreh Stublla. Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila thotë se shtyrja e mundshme e zgjidhjes së statusit do të ndikojë edhe në anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare. “Kosovës ende i mohohet apo nuk i ofrohet qasja në institucionet financiare ndërkombëtare, marrja e kredive zhvillimore me kamata më të favorshme, ndërsa shumë procese brenda për brenda Kosovës po mbesin peng i definimit të statusit”, theksoi Kusari-Lila. Ndryshe, periudha e shtyrjes do të ndikojë edhe në përkeqësimin e situatës së komunitetit të biznesit, thotë Kusari-Lila, duke shtuar se shpresa e vetme e tyre ka qenë që me zgjidhjen e statusit, të zgjidhen edhe problemet e tyre. “Në shumë raste komuniteti i biznesit ka vlerësuar se mungesa e statusit është një ndër problemet më serioze. Ne vetëm kemi filluar të ballafaqohemi me mangësitë që do t’i ketë komuniteti i biznesit për statusin, duke filluar prej marrëveshjeve, të cilat hyjnë në fuqi në mes shteteve; në këtë rast, Kosova ende nuk e ka shtetësinë”, tha Kusari-Lila. Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare duhet me kujdes të menaxhojnë këtë periudhë, në mënyrë që të ruajnë ambientin socio-ekonomik. Vlerësimet e ekspertëve pasojnë pohimet e tyre, se me gjithë faktin se statusi i zgjidhur nuk do t’i zhdukë të gjitha problemet ekonomike dhe sociale, megjithatë do t’i hapë rrugën përmirësimit të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.
XS
SM
MD
LG