Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: ZVARRITJA E ZGJIDHJES SË STATUSIT RREZIKON KREDIBILITETIN E PROCESIT


Albana Isufi

Një ditë pas paralajmërimit për negociata shtesë të ndihmëssekretarit amerikan, Daniel Fried, kryeministri kosovar ka shprehur dyshimin se mund të arrihet ndonjë gjë e re nga këto bisedime. Kryeministri Agim Çeku ka tërhequr vërejtjen sot, se zvarritja e mëtejme e zgjidhjes së statusit rrezikon të humbë momentin vendimtar. “Është e qartë se Këshilli i Sigurimit nuk mund ta miratojë një rezolutë që do ta mbështeste pakon apo rekomandimet e Ahtisaarit. Po ashtu, është fakt se bisedimet shtesë nuk mund të sjellin asnjë ndryshim në këtë proces. E kemi momentumin ose procesin për faktorin ndërkombëtar dhe nëse zvarritet procesi, rrezikojmë ta humbasim momentumin, ta humbë kredibilitetin procesi dhe të dobësojmë unitetin e faktorit ndërkombëtar. Dhe, thirrja jonë është e qartë, Kosova është gati dhe duhet të lëvizë tani drejt përcaktimit të statusit të Kosovës. Ne na nevojitet qartësia dhe shpejtësia”, ka thënë Çeku. Por, shefi i Zyrës britanike në Prishtinë, David Blunt, duke folur në emër të shefave të zyrave diplomatike, ka siguruar kosovarët se aktivitetet për zgjidhjen e statusit në rrafshin ndërkombëtar megjithatë nuk janë ndalur. “Do ta përsëris se po bëhet një punë e madhe, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së duhur për statusin final. Nuk mund t’ju them nëse janë dy ditë apo dy muaj, por mund t’ju them se ka shumë faktorë, që po mundohen të punojnë për ta arritur sa më shpejt këtë rezultat”, është shprehur Blunt, pas një takimi të përbashkët me kryeministrin Çeku dhe shefat e zyrave diplomatike në Prishtinë. Ndihëmssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, është cituar nga mediat ndërkombëtare të ketë thënë se statusi i Kosovës mund të shtyhet deri në vitin 2008. Kryeministri Çeku ka përsëritur se çdo shtyrje do të thotë vonesë për Kosovën. “S’ka arsye për shtyrje. Çdo shtyrje është një koncesion bosh që i bëhet Moskës apo vendeve tjera. Ne nuk e shohim të arsyeshme, në të kundërtën e shohim si shumë të dëmshme. E edhe shtyrja për një javë neve na duket e paarsyeshme, e dëmshme dhe plotësisht e panevojshme”, ka theksuar Çeku. Por, diplomati britanik, David Blunt, ka thënë se është vështirë të gjendet një zgjidhje e shpejtë. “Është një rrugë shumë problematike për t’u ndjekur me shumë konsekuenca të paparashikueshme dhe të vështira. Ajo, që dua ta them, është se organizatat e ndryshme ndërkombëtare, qeveria janë të angazhuara dhe punojnë hap pas hapi, në mënyrë që së bashku të nxjerrim rezultatin e duhur, një rezultat të qëndrueshëm”, tha Blunt, duke shtuar se e kupton që populli mund të frustrohet nga vonesat e tilla, por një rezultat i duhur dhe afatgjatë, sipas tij, merr kohë. Ndryshe, Blunt ka porositur kosovarët që të lëvizin me zhvillimet e brendshme, pa marrë parasysh rrugën që do të ndërmerret deri në zgjidhjen e statusit final.

XS
SM
MD
LG