Ndërlidhjet

PRISHTINA E PRET ME SHQETËSIM PROCESIN E RI NEGOCIUES


Zijadin Gashi

Kosova mund t’i nënshtrohet edhe një periudhe negociatash pa e pasur të qartë rrjedhën e këtij procesi, thonë përfaqësues politikë vendorë. Sipas tyre, procesi i ri negociues i duhet më tepër diplomacisë ndërkombëtare që të fitojë në kohë, pasi që Prishtina e Beogradi në asnjë rast nuk do të mund t’i përafrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me të ardhmen e Kosovës. Për Hydajet Hysenin, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, procesi i ri negociues duhet kuptuar si mjaft shqetësues. “Mendoj se është një shqetësim i të gjithë qytetarëve të Kosovës, një shqetësim jo vetëm për shkak të shtyrjes si të tillë, jo vetëm për shkak të shtyrjes për më tutje të zgjidhjes, por sidomos që lidhet me motivin e kësaj zgjidhjeje. Nuk është shtyrje në funksion të zgjidhjes, por është një shtyrje si shprehje e obstruksionit që tanimë është evident, një obstruksion që synon jo zgjidhjen, por ngatërrimin e mëtejshëm”, ka vlerësuar Hyseni. Një pjesë të fajit, Hyseni ia mvesh edhe Ekipit Negociues në Prishtinë, i cili, sipas tij, me përkrahjen e parezervë për pakon e Ahtisaarit bëri që të duket se Kosova e ka këtë dokument si kërkesë maksimaliste dhe me këto veprime i ka hapur rrugën edhe një procesi të ri bisedimesh. “Grupi i Unitetit i ka kontribuar kësaj gjendjeje me identifikimin e tij naiv, me pozicionin e ndërmjetësuesit ndërkombëtar, me mbështetjen false, të sforcuar e pak a shumë teatrale e të pa rezervë të dokumentit të Ahtisaarit, i cili objektivisht ishte një zgjidhje gjysmake”, theksoi Hyseni. Çdo reagim eventual i serbëve për ndarjen e Kosovës do të mund të sjellë kundër-reagimet e të tjerëve, thotë Hyseni, ngase qëllimet e Beogradit në Kosovë, sipas tij, janë ‘bosnizimi’ i saj. Ndërkaq, Ylber Hysa, nënkryetar i Ora-s, dhe pjesëmarrës në procesin negociator në Vjenë, thotë se bashkësia ndërkombëtare po ofron një proces negociues, pa e pasur askush të qartë se çfarë do që të arrijë me të. Sipas tij, një fazë e re e bisedimeve i duhet më shumë Grupit të Kontaktit, që të fitojë në kohë për finalizimin e procesit, për shkak të qëndrimeve aktuale të Rusisë. “Besoj se kjo punë nuk është e qartë as për ata që e kanë sugjeruar një gjë të tillë. Është qartazi që shtyrja e procesit ose vazhdimi i bisedimeve është më shumë produkt i konstalacioneve dhe relacioneve në Grupin e Kontaktit. Është Rusia ajo, e cila vazhdon të bëjë sugjerime të tilla dhe është pikërisht qëndrimi që ajo të joshet e të bëhen propozime të tilla”, ka pohuar Hysa. Prishtina dhe Beogradi nuk do të merren vesh për statusin e Kosovës dhe kjo është vërtetuar edhe me procesin e Vjenës, ku ka qenë e pranishme dhe bashkësia ndërkombëtare, thotë Ylber Hysa. Kurse zvarritja e procesit të statusit, shton ai, do të mund të sjellë Kosovën në një gjendje kur të gjithë do të humbin, për shkak të rritjes së tendencave serbe për ndarjen e Kosovës. “Këmbëngulësia, që një gjë e tillë të ndodhë, pa një garanci të fuqishme dhe pa një datë të caktuar për statusin e Kosovës, vetëm se mund ta sjellë një situatë të caktuar për statusin e Kosovës, në të cilën të gjithë do të jenë humbës, sidomos nëse status-quo-ja vazhdon të prodhojë një situatë, në të cilën mund të ketë përpjekje për ta ndarë Kosovën”, ka thënë Hysa. Sidoqoftë, ai tha po ashtu, se kosovarët ende mund të besojnë në parimet e Grupit të Kontaktit, se nuk do të ketë kthim në të kaluarën, se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me një shtet tjetër dhe se nuk do të ketë ndarje të territoreve të saj. Ndërkohë, Ibrahim Gashi, nënkryetar i Aleancës së re të Kosovës, thotë se pakoja e Ahtisaarit ishte kompromisi i arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Çdo proces i ri negociues, sipas tij, do të duhej kuptuar si bisedime për zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe jo vazhdim negociatash. “Pala kosovare duhet të demonstrojë fleksibilitet se është e gatshme, jo të negociojë, por të bisedojë në lidhje me implementimin e pjesëve të pakos, që kanë të bëjnë me komunitetin serb. Kjo mbase mund të ndikojë në zbutjen e palës serbe dhe ruse dhe në njëfarë mënyre, të çojë kah përafrimi i qëndrimeve lidhur me një rezolutë, e cila duhet të dalë mbi bazën e pakos së Ahtisaarit”, tha Gashi. Ai shtoi në vazhdim, se faza e ardhshme e bisedimeve mund të karakterizohet edhe me një aktivitet të Bashkimit Evropian, në kuptimin e ofrimit të favoreve Serbisë për integrimin e saj në BE, duke e bindur këtë vend se Kosova nuk mund të kthehet më nën Serbi. “Presioni i bashkësisë ndërkombëtare, ta quajmë kushtimisht, mund të orientohet edhe kah Beogradi dhe natyrisht punë më e madhe edhe me serbët lokalë në Kosovë, që domethënë të bëhet me një kompensim, me një favor tjetër për Beogradin. Dhe, Beogradi mbase edhe mund të japë në njëfarë mënyre sinjale, se janë përmbushur kërkesat e serbëve në Kosovë dhe mund të shkohet drejt një zgjidhjeje”, ka vlerësuar Gashi. Vazhdimi i bisedimeve Prishtinë–Beograd është paralajmëruar nga diplomatët ndërkombëtarë, sipas të cilëve, vazhdimi nënkupton një proces të limituar në kohë, por që në fund do të sjellë si rezultat pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, siç e ka parashikuar Martti Ahtisaari në projektin e tij.

XS
SM
MD
LG