Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE: ZGJEDHJET TË MOS BËHEN SHKAS I SHTYRJES SË STATUSIT


Arton Konushevci

Përfaqësues të partive politike në Kosovë thonë se mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të përdoret si arsyetim për shtyrjen e statusit të Kosovës. Shumica e partive politike mendojnë se zgjedhjet lokale dhe ato të nivelit qendror duhet të mbahen në këtë vit. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vehbi Miftari, thotë se kryesia e kësaj partie e ka shqyrtuar çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve, por ende nuk ka marrë qëndrim të prerë. Miftari thotë se në rast të shtyrjes së statusit të Kosovës, nuk dihet se sa do të jenë të dobishme zgjedhjet e këtij viti. “Për shkak të ndjeshmërisë së procesit për përcaktimin e statusit, ende nuk është krejtësisht e sigurt, nëse mbajtja eventuale e zgjedhjeve, në rast se statusi shtyhet, vërtet do të ishte e dobishme për Kosovën. Ne konsiderojmë se përqendrim kryesor duhet të mbetet çështja e statusit dhe për ne kjo është çështje esenciale”, ka thënë Miftari. Ai theksoi se Kryesia e LDK-së është më shumë e interesuar që zgjedhjet të mbahen pas nxjerrjes së një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ndërsa, Vlora Çitaku, zëdhënëse e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se procesi zgjedhor duhet të ndahet nga çështja e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. PDK, sipas Çitakut, është për mbajtje sa më të shpejtë të zgjedhjeve. "Zgjedhjet janë një proces demokratik. Institucionet e Kosovës, për të ecur përpara, kanë nevojë për legjitimitet dhe ai legjitimitet mund të vijë vetëm nga vota e popullit. Konsiderojmë se zgjedhjet vetëm do të kontribuonin në rritjen e stabilitetit”, është shprehur Çitaku. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas zëdhënësit të saj, Besnik Tahiri, është për mbajtje të shpejtë të zgjedhjeve. Megjithatë, Tahiri thotë se organizimi i zgjedhjeve pa ndonjë plan të veçantë rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës, mund të jetë kundërproduktiv, sepse kosovarët do të merreshin me vetveten dhe nuk do të bënin presion ndaj komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit. "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për atë që zgjedhjet të mbahen sot. Në fakt, ne veç jemi vonë dhe pushtetit lokal i ka kaluar legjitimiteti. Është shumë me rëndësi që proceset demokratike, zgjedhja demokratike e zyrtarëve komunalë dhe qendrorë duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka theksuar Tahiri. Nga ana tjetër, Ylli Hoxha, nga Partia Reformiste Ora , është shprehur se kjo parti ka qenë edhe më parë për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai thotë se zgjedhjet duhet mbajtur, edhe pse Kosova ndodhet në një situatë të paqartë për shkak të mosdefinimit të statusit final. “Kemi një situatë tjetër, kërkohet mbajtja e zgjedhjeve. Mirëpo, me një paqartësi lidhur me statusin, ne konsiderojmë se prioritet mbi prioritete mbetet zgjidhja e statusit. Dhe, kjo duhet të kryhet në afatin e vet sa më të shkurtër, në mënyrë që të mbahen edhe zgjedhjet. Zgjedhjet janë një proces i favorshëm dhe ne si subjekt politik konsiderojmë se duhet të mbahen, duhet rifreskuar institucionet tona. Mirëpo, përqendrimi kryesor edhe si parti, edhe si Kosovë, duhet të jetë te një zgjidhje e çështjes së statusit”, ka thënë Hoxha. Ndryshe, kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, javën e kaluar, ka paralajmëruar se zgjedhjet lokale dhe ato të nivelit qendror duhet të mbahen në nëntor të këtij viti. Vendimin final, ai pritet ta marrë pas kthimit nga New York-u dhe pasi që të jetë konsultuar me partitë politike dhe me Ekipin e Unitetit.

XS
SM
MD
LG