Ndërlidhjet

THAÇI KËRKON MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË KËTË VIT


Zijadin Gashi

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar sot caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme, të parapara për muajin nëntor të këtij viti. Ai tha se nuk duhet lejuar vakuume dhe deficit legjitimiteti në institucione, duke u fshehur pas statusit të Kosovës. Thaçi i ka paraqitur këto qëndrime të partisë së tij, sot, edhe para shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Werner Wnendt, duke paralajmëruar se javën që vjen, do të kërkojë edhe nga Ekipi i Unitetit që të dakordohet për shpalljen e zgjedhjeve në të dy nivelet për këtë vit. “Ne duam të besojmë, se në takimin e radhës së Ekipit të Unitetit do të kemi vendimin politik, nga spektri politik kosovar, që do t’i propozohet zotit Ruecker për shpalljen e datës së zgjedhjeve të rregullta, sepse statusi politik i Kosovës nuk është i lidhur me mandat të individëve të caktuar, por me procesin legjitim, qytetar, politik e institucional të Kosovës”, ka thënë Thaçi. Ndërkohë që PDK-ja, si subjekti më i madh opozitar, kërkon një proces të rregullt zgjedhor për sivjet, partitë në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri më tani janë treguar të rezervuara në lidhje me idenë e mbajtjes së zgjedhjeve. Gjylnaze Syla, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, parti kjo që drejton koalicionin qeverisës, thotë se përqendrimi i kosovarëve duhet të jetë në statusin e Kosovës dhe jo në çështje tjera, pavarësisht se ato janë të rëndësishme, siç është rasti i zgjedhjeve. “Qëndrimi i AAK-së është që së pari fokusi duhet të jetë në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Dhe pastaj, natyrisht menjëherë brenda një periudhe shumë të shkurtër, të shpallen zgjedhjet”, ka theksuar Syla. Mirëpo, për dallim nga AAK-ja, lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, thotë se në emër të statusit nuk duhet të lejohet vazhdimi i keqqeverisjes në Kosovë. Ai paralajmëroi pozitën, se me nëntorin e këtij viti e humb legjitimitetin e përfaqësimit të Kosovës dhe kjo, sipas tij, do të reflektojë negativisht edhe në çështjen e statusit. “Ju mund të imagjinoni se çfarë situate do të kemi në Kosovë, kur pas dy muajve Parlamenti nuk do të ketë legjitimitet, kurse Qeveria do të jetë në dorëheqje. Por, edhe Ekipi i Unitetit do të jetë pa legjitimitet dhe situatat e ardhshme do të jenë vendimtare, që kërkojnë vendimmarrje të fuqishme dhe shumë legjitime. Prandaj, dua të besoj në përgjegjësinë e lidershipit kosovar, në marrjen e vendimit të drejtë dhe në kohë të duhur”, ka pohuar Thaçi. Në anën tjetër, shefi i misionit të OSBE-së, Werner Wnendt, tha se nuk i takon OSBE-së që të japë qëndrime apo rekomandime, por ky mision, sipas tij, si edhe në të kaluarën do të ofrojë ndihmën e nevojshme për institucionet e Kosovës, që t’i organizojnë zgjedhjet, pavarësisht nëse ato do të mbahen sivjet apo vitin tjetër. “Çështja e zgjedhjeve duhet të vendoset nga qarqet politike, që kanë përgjegjësi qoftë në Qeveri apo opozitë. Kurse për ne është me rëndësi që ta kemi vendimin shumë shpejt, sidomos nëse duhet të organizohen zgjedhjet sivjet”, është shprehur ambasadori Wnendt. Ndryshe, pushtetit lokal në Kosovë i ka skaduar mandati qysh në tetorin e vitit të kaluar, por ky mandat ishte vazhduar edhe për një vit nga shefi i UNMIK-ut, për shkak të llogaritjeve se ndërkohë do të zgjidhej statusi. Ndërkaq, në vjeshtën e sivjetme u kalon mandati dhe institucioneve në nivelin qendror. Në këtë çështje, partia më e madhe opozitare, PDK-ja, dhe pozita në anën tjetër, aktualisht ndajnë mendime të ndryshme, se duhet të mbahen sivjet dhe me kohë zgjedhjet apo ato të shtyhen sërish, duke llogaritur se ndërkohë do të zgjidhet statusi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG