Ndërlidhjet

NË DITËN BOTËRORE TË POPULLSISË – KOSOVARËT ME SHUMË PROBLEME SHËNDETËSORE


Nadie Ahmeti

Vdekshmëria e foshnjave, sëmundjet ngjitëse, sëmundjet kancerogjene janë ndër indikatorët kryesorë që e rrezikojnë shëndetin e qytetarit kosovar, vlerësojnë autoritetet shëndetësore në Ditën Botërore të Popullsisë. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se ekzistojnë edhe disa faktorë tjerë që rrezikojnë shëndetin e popullatës kosovare. “Në radhë të parë furnizimi me ushqim adekuat, furnizimi me ujë higjenik për pije, ajri jo i pastër sa janë standardet evropiane. Dhe, në këtë kontekst, mund të them se kjo ndikon drejtpërsëdrejti në dëmtimin e shëndetit të popullatës së Kosovës”, tha Ramadani. Popullata e Kosovës, viteve të fundit, është ballafaquar edhe me sëmundje ngjitëse, shtoi ai, duke aluduar në ethet hemorragjike dhe sëmundjen e tuloromisë. Ramadani tha se popullata kosovare ankohet edhe nga sëmundjet jongjitëse kronike, të cilat, sipas tij, me dekada të tëra kanë mbetur të pahulumtuara. Brenga më e madhe për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, sipas Ramadanit, mbetet trajtimi i pacientëve që vuajnë nga lloje të ndryshme të kancerëve. “Në këtë kontekst, ne po punojmë programe të veçanta për parandalimin dhe për edukimin shëndetësor të popullatës, që të ruhen nga llojet e ndryshme të kacereve; pastaj, sëmundjet tjera, si kardiovaskulare, diabeti, çrregullimet tjera të metabolizmit; pastaj, sëmundjet tjera që rrezikojnë shëndetin mental të popullatës“, theksoi Ramadani. Problem më i madh i institucioneve shëndetësore të Kosovës mbetet trajtimi i etheve hemorragjike dhe pacientët që vuajnë nga kanceri, thotë Fadil Kryeziu, zëvendësministër i Shëndetësisë. Ai tha se mungesa e medikamenteve për trajtimin e kësaj sëmundjeje mbetet problem kryesor për Ministrinë e Shëndetësisë. “Në radhë të parë, kostoja shumë e lartë e tyre. E dyta, ne disponojmë me një buxhet simbolik sa i përket furnizimit me medikamente”, pohoi Kryeziu. Në anën tjetër, anëtarë të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shqetësimin e tyre e shprehin në shkallën e lartë të vdekshmërisë së foshnjave. Visare Mujko-Nimani, nga ky fond, pohon se në Kosovë vdesin 29 foshnja në 1000 të porsalindur, që, sipas saj, janë shifra alarmante. “Unë mendoj se duhet edhe shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim“, shprehet Mujko-Nimani. Shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është më e larta në rajon, thotë Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. “Kjo shkallë është mjaft brengosëse për ne. Në rend të ditës e kemi si prioritet, në realitet, zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave”, tha Ramadani. Dita Botërore e Popullsisë është shënuar edhe në Kosovë me moton ‘Meshkujt si partner në shëndetin e nënës’. Në këtë ditë u tha se është momenti për t’u përqendruar në përkushtimin dhe veprimin, që të sigurohet se çdo shtatzënësi është e dëshiruar, çdo lindje e sigurt, që asnjë person i ri të mos jetë i infektuar me HIV/AIDS dhe që çdo vajzë dhe grua të trajtohet me dinjitet dhe respekt.
XS
SM
MD
LG