Ndërlidhjet

ÇEKU:"SHTYRJA E STATUSIT KUFIZON INVESTIMET E JASHTME"


Ethem ÇEKU, ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, ministria, të cilën ju e udhëhiqni, tashmë ka kualifikuar katër kompani të mëdha botërore për ndërtimin e termocentralit Kosova C. Kur pritet të shpallet fituesi dhe cila është rëndësia e ndërtimit të këtij termocentrali?

ETHEM ÇEKU
Tani, në Kosovë kanë ardhur tri kompani konsulente, që do të na ndihmojnë në përgatitjen e tenderit për këtë termocentral, ofertën, shprehjen e interesit për këto katër kompani që janë parakualifikuar. Kemi këshilltarë të transaksioneve, këshilltarë ligjorë dhe këshilltarë për çështje mjedisore dhe sociale. Ne presim që në fund të këtij viti, eventualisht në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, të kemi të përzgjedhur investitorin për ndërtimin e termocentralit Kosova C, prej 2100 megavat. Rëndësia e termocentralit është që të hapim në radhë të parë minierën e re të Sibovcit, që ne me buxhetin e konsoliduar nuk kemi mundur ta bëjmë. E dyta është se do të rehabilitojmë disa blloqe të Kosovës A, që do të mbesin në fuqi deri në ndërtimin e blloqeve të reja të Kosovës C. Dhe, më e rëndësishmja është se do të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike për konsumatorët vendorë dhe njëkohësisht do të mundohemi ta plasojmë energjinë e tepërt në tregun e jashtëm. Do të thotë, do të krijojmë të hyra buxhetore për buxhetin e konsoliduar, do të hapen vende të reja të punës dhe do të krijohet një stabilitet i furnizimit, që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ketë efekt zhargitja e zgjidhjes së statusit të Kosovës në ndërtimin e termocentralit Kosova C?

ETHEM ÇEKU
Statusi politik i Kosovës, zhargitja që po bëhet ka efekt negativ, ka ndikime apo refleksione negative jo vetëm në Kosovën C, por në të gjitha projektet zhvillimore. Pa zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, ne nuk mund të participojmë, të marrim kredi në institucionet ndërkombëtare financiare. Në çdo bankë, në çdo institucion të Fondit Ndërkombëtar Monetar dhe në institucionet e tjera kushtëzohet me zgjidhjen e statusit. Normalisht që edhe projekti Kosova C do të ketë vështirësi shumë serioze, derisa nuk zgjidhet edhe statusi politik i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë të ndryshëm, ndërtimin e termocentralit Kosova C e kanë quajtur një hap të gabuar të ministrisë, për shkak se, sipas tyre, prodhimi i energjisë nga ky termocentral do të ndikojë në ndotjen e ambientit. Cili është mendimi juaj për këtë?

ETHEM ÇEKU
Nuk e di kur flasin ekspertët, a janë vërtet ekspertë apo janë mendime ditore, politike, mendime që nuk janë të bazuara në anën profesionale. Ata që e sjellin këtë orientim, këtë opinion, nuk kanë sjellë alternativë tjetër. Prandaj, ne i kemi përgatitur të gjitha studimet së bashku me institucionet e rëndësishme botërore, me Bankën Botërore, Agjencinë Evropiane dhe USAID-in, me të cilat kemi bërë edhe zgjidhjen e problemit sa i përket çështjes së ndotjes mjedisore. Ndërtimi i 2100 megavatshit normalisht se do të ketë implikime mjedisore, mirëpo ato janë implikime të monitoruara nga aspekti ligjor dhe janë implikime si në çdo vend apo shtet të Evropës perëndimore. Do të thotë, ndërtimi i termocentralit të ri do të kryhet krejtësisht në kondita që janë të parapara nga struktura të BE-së për çështje mjedisore.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë. Ku është problemi?

ETHEM ÇEKU
Problemet nuk janë të momentit, nuk janë të kohës së sotme. Janë probleme të bartura nga periudha të mëhershme, do të thotë që nga periudha e okupimit të Kosovës. Shkatërrimi, degradimi i sistemit teknik, po ashtu mospagesa e energjisë elektrike janë ndër faktorët kyçë, që ne nuk mund të krijojmë një stabilitet në furnizimin me energji elektrike. Normalisht se ka pasur edhe lëshime të tjera në mosefikasitetin në faturim apo inkasim. Pra, është edhe faktori njeri që ka ndikuar, në një farë forme, që mos të kemi furnizim stabil me energji elektrike.

RADIO EVROPA E LIRË
Për arketim të mjeteve në Korporatën Energjetike të Kosovës, ju keni ndërmarrë masa të ndryshme. Masa e fundit është kushtëzimi i regjistrimit të makinave me pagesën e energjisë. Kjo është kritikuar nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Cili është vlerësimi juaj në këtë drejtim?

ETHEM ÇEKU
Po, është e vërtetë. Unë do t’u kërkoj falje të gjithë konsumatorëve të rregullt të energjisë elektrike, që janë të ngarkuar me një sistem burokratik nga ana e KEK-ut. Do të thotë, duhet të sjellin dëshmi të pagimit të energjisë elektrike jo vetëm me regjistrimin e automjeteve, por edhe punonjësit në ministri tek ne dhe në shumë institucione duhet të sjellin faturat e pagesës së energjisë elektrike, para se të tërheqin të ardhurat. Pra, janë ndërmarrë një sërë masash administrative për të mbështetur çështjen e inkasimit. Arsyeja e vetme është që të krijojmë stabilitet të furnizimit me energji elektrike, të rrisim inkasimin, të krijojmë një disiplinë me anë të mjeteve që nuk janë aq demokratike, por jemi të detyruar për hir të së ardhmes së vendit tonë. Për hir të zhvillimit të biznesit, zhvillimit të ekonomisë jemi të detyruar që t’i ndërmarrim këto masa.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është gjendja e minierave, konkretisht kompleksit Trepça. Çfarë janë gjasat e ringjalljes së tij, i cili konsiderohet si gjigant për zhvillimin ekonomik?

ETHEM ÇEKU
Qeveria e Kosovës, ministria, menaxhmenti, punëtorët në kompleksin e Trepçës kanë bërë shumë punë. Kemi investuar mbi 77 milionë euro në Trepçë, është bërë pastrimi, rregullimi, është vendosur një numër i makinave të reja, ka filluar puna testuese. Mirëpo, ende jemi larg që kompleksin e Trepçës ta kthejmë në një gjigant të fuqishëm ekonomik. Arsyet janë se kemi shumë probleme nga e kaluara, përballemi me vështirësi dhe probleme mjedisore, probleme sociale, mungesën e investimeve më tutje. Do të thotë, ato investime që i kemi bërë në Trepçë, nuk janë të mjaftueshme për ta rikthyer Trepçën në një gjigant ekonomik për të ardhmen e vendit tonë. Tani jemi në përfundim të një dokumenti të rëndësishëm të strategjisë së minierave dhe besoj se pas aprovimit nga ana e Qeverisë dhe Parlamentit, ne do të kemi një vizion të qartë se kah do të ecim në vitin e ardhshëm rreth zhvillimit të sektorit të minierave. Ne parashohim të ndërtojmë një partneritet publik dhe privat me mundësinë e investimeve private në sektorin e energjisë, ku shteti do t’i ruajë aksionet e veta kryesore në sektorin e minierave. Duke e ditur se çmimet e plumbit dhe zinkut në treg kanë arritur në një nivel shumë të lartë, ne jemi duke bërë ç’është e mundur që sa më shpejt të vijmë deri te fillimi i punëve të plota me kapacitet të plotë në Trepçë dhe finalizimi i prodhimeve brenda strukturës së Trepçës. Do të thotë, jemi në prag të një dokumenti të rëndësishëm, të një strategjie, e cila do të na mundësojë kah të ecjes. Kemi edhe disa probleme me të ashtuquajturit kreditorë, të cilët pretendojnë se kanë investuar në Trepçë, në kohën e embargos. Mirëpo, të gjitha këto janë probleme që jemi duke i shqyrtuar me kujdes dhe jemi duke ardhur deri te një zgjidhje përfundimtare. Definitivisht, minierat e Kosovës do të jenë bartëse të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po ndikon moszgjidhja e statusit në përmirësimin e gjendjes së minierave?

ETHEM ÇEKU
Tek minierat është një refleksion shumë i drejtpërdrejtë. Ne kishim një konferencë, ku patëm mbi 20 kompani nga vende të ndryshme të botës. Dhe, pyetja e parë ishte se a kanë garanci në investime, kush garanton për të investuar në miniera në Kosovë, si është statusi politik, si është çështja e institucioneve, përgatitja e infrastrukturës ligjore, sa janë institucionet vendore vendimmarrëse në procesin që ka të bëjë me kompleksin e minierave. Do të thotë, çështja e statusit politik në relacion me minierat, posaçërisht në minierat e plumbit dhe zinkut ndikon 100 për qind.

INTERVISTOI: Nadie AHMETI
XS
SM
MD
LG