Ndërlidhjet

PRISHTINË


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Ceku me t’u kthyer nga Brukseli kanë thënë se procesi politik i zgjidhjes së statusit ka tendenca të zvarritjes. Presidenti Sejdiu tha se kanë kërkuar nga zyrtarët ndërkombëtarë intensifikimin e procesit të zgjidhjes së statusit.
Ndërkaq, kryeministri Agim Ceku ka thënë se nga Bashkimi Evropian është kërkuar një qasje e re dhe më e guximshme për Kosovën.
“Thamë se nuk është e mjaftueshme që vendet e BE-së vetëm të preferojnë rrugën e zgjidhjes së statusit të Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit dhe të presin zgjidhjen në Këshillin e Sigurimit, sepse jemi dëshmitarë që draft pas drafti, Këshilli i Sigurimit është duke zvarritur zgjidhjen e statusit të Kosovës duke e bërë më të paqartë edhe rrugën edhe kohën e zgjidhjes”, tha Ceku.
Ai ka shtuar se për shkak të rezistencës së vazhdueshme të Rusisë, është duke u bërë e pamundur zgjidhja e statusit të Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit.
“Alternativa është një rrugë e vështirë, me sfida të shumta, me shumë të panjohura, të papritura, por neve na duhet qartësi dhe shpejtësi e zgjidhjes së statusit”, ka thënë Ceku.
Kryeministri Ceku ka thënë se kosovarët janë të detyruar të zgjedhin ndërmjet të pamundshmes, të pasigurtës dhe asaj të vështirës.
XS
SM
MD
LG