Ndërlidhjet

NEGOCIATAT SHTESË - PARAPËRGATITJE PËR NDARJEN E KOSOVËS?


Albana Isufi

Lideri i ORA-s, Veton Surroi, në një letër dërguar Ekipit të Unitetit, përveç që e ka quajtur të vdekur konceptin e pavarësisë përmes Këshillit të Sigurimit, ka tërhequr vërejtjen e rrezikut të ndarjes së Kosovës. Meqë pala kosovare në negociatat e deritashme ka bërë mjaft koncesione, sipas Surroit, në bisedimet e ardhshme ndaj Kosovës mund të shtrohen vetëm edhe dy kërkesa të reja: autonomia territoriale politike e serbëve të Kosovës nën administrim të heshtur apo të hapur të Beogradit, ose ndarja territoriale e Kosovës, gjegjësisht pavarësimi i pjesës së banuar me shqiptarë. Megjithatë, në një konferencë per media, të mbajtur sot, Veton Surroi tha se kosovarët duhet të këmbëngulin, se për këtë çështje nuk mund të bëhen koncesione. "Kjo është një vërejtje e bashkësisë ndërkombëtare, do me thënë se ne nuk mund t'i hyjmë asaj rruge të koncesioneve. Ky është një koncesion që as nuk mund të përmendet. Do me thënë, ndarja e Kosovës nuk është kurrfarë opsioni, sepse për të gjitha implikimet krijon jostabilitet jo vetëm tek ne, por edhe në tërë rajonin. E ne jemi të interesuar për stabilitet në rajon", tha Surroi. Por, analisti Baton Haxhiu thotë se tashmë është hapur opsioni i ndarjes dhe se negociatat e reja janë një parapërgatitje për këtë. "Besoj se bashkësia ndërkombëtare e di qëndrimin e Serbisë. Dhe, të thuhet 'hyni në negociata se fundi është pavarësia', është një cinizëm i llojit të vet. Por, shtrohet pyetja që ka një rrjedhë logjike: kur hyhet në negociata, cili do të jetë kompromisi, për çka do të bisedohet, çfarë duhet t'i shtohet kompromisit tutje? Unë mendoj se shkuarja në negociata është realisht një parapërgatitje për të negociuar ndarjen e Kosovës", tha Haxhiu. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se institucionet nuk pranojnë ndarjen e Kosovës dhe, sipas tij, një gjë e tillë do të shkaktonte efektin domino. Beqiri beson se komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë hapjen e kutisë së Pandorës. "Institucionet e Kosovës nuk kanë mandat tjetër përveç mandatit të bërjes së shtetit të Kosovës, me sovranitet të plotë në gjithë territorin e saj", theksoi Beqiri. Edhe pse ka paralajmëruar për rrezikun e ndarjes, lideri i ORA-s, Veton Surroi, është i bindur se pala kosovare nuk do të negociojë një gjë të tillë. "Nuk ka negociata shtesë për territorin e Kosovës. Unë nuk shoh se si ne mund të marrim pjesë në një proces negociator, ku mund të shtrohet çështja e ndarjes territoriale të Kosovës", u shpreh Surroi. Por, analisti Baton Haxhiu thotë se shqiptarët nuk kanë çka të ofrojnë më tepër se ç'kanë ofruar në planin e Ahtisaarit, ndërkaq, serbët, sipas tij, në negociata do të ofrojnë ndarjen. Kështu që, sipas Haxhiut, opsioni i ndarjes që del nga negociatat është i qindpërqindtë. "S'ka ndonjë rrugë tjetër, e cila na mundëson të negociojmë për pavarësi, pa një kompromis tjetër të madh", tha Haxhiu. Ndryshe, në letrën e tij dërguar Ekipit të Unitetit, Surroi ka thënë se në rast se do të ndodhte ndarja, atëherë nuk do të flitej më për pavarësi të Kosovës, por për parimin e ri, atë të përputhjes së kufijve shtetërorë me kufijtë etnikë. Surroi ka tërhequr vërejtjen se ky parim me doemos do të nënkuptojë dhunë dhe zhvendosje të popullatës. Në anën tjetër, përfaqësues të institucioneve ende besojnë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të shkelë parimet e vëna nga Grupi i Kontaktit, se nuk ka ndarje të Kosovës e as bashkim të saj me ndonjë shtet tjetër.

XS
SM
MD
LG