Ndërlidhjet

logo-print

KOUCHNER KËRKON NGA PRISHTINA VAZHDIMIN E NEGOCIATAVE ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, i ka ftuar sot kosovarët që të jenë të durueshëm edhe për disa muaj dhe t’i vazhdojnë bisedimet me Beogradin. “Nëse edhe pas kësaj faze bisedimesh nuk arrihet ndonjë marrëveshje Prishtinë – Beograd”, atëherë Kouchner tha se bashkësia ndërkombëtare do t’i kthehet sërish planit të Ahtisaarit. Faza shtesë e bisedimeve, theksoi Kouchner, është e domosdoshme për të parë nëse në fund, pjesë e finalizimit të statusit të Kosovës do të jetë edhe Rusia. Kouchner tha se bashkësia ndërkombëtare tani ka ndryshuar strategjinë, por jo edhe mendimin. “Pra, na duhet një shtyrje. Presidenti Nikola Sarkozi ka iniciuar një kërkesë për një rezolutë të re, një shtyrje tjetër, me të cilën ndoshta do të gjendet një kompromis. Nëse jo, shumë qartë, do të kthehemi te plani i Ahtisaarit”, tha Kouchner. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kouchner ka zhvilluar takime me shefin e UNMIK-ut, komandantin e KFOR-it, si edhe me udhëheqësit më të lartë kosovarë. Pas një dreke që pati me Ekipin e Unitetit, Kouchner tha se vinte nga Beogradi, ku kishte zhvilluar takime edhe me autoritetet serbe. Ndërsa propozoi vazhdimin e bisedimeve, Kouchner tha po ashtu se e di vetëm që Beogradi nuk e përkrah pavarësinë e Kosovës, por nuk e di se çfarë tjetër mund të kërkojë Beogradi, si kompromis nga Kosova. Liderëve kosovarë, Kouchner iu drejtua që të jenë të durueshëm, pasi që problemi i Kosovës, siç tha ai, përbën një prej problemeve serioze, por nuk është problemi i vetëm në botë. Në këtë rrafsh, Kouchner i rikujtoi kosovarët që bashkësia ndërkombëtare i kishte ndihmuar ata që të fitojnë lirinë, kështu që tash edhe duhet të tregohen të përmbajtur edhe për disa muaj. Në asnjë rast, Kouchner nuk ka folur për ndarjen e Kosovës si opsion, duke pohuar se Franca i mbështet parimet e Grupit të Kontaktit. Ai tha se diplomacia ndërkombëtare nuk do të ndalet deri në shterjen e të gjitha mundësive, që Këshilli i Sigurimit të gjejë një version të rezolutës, që do të përkrahej edhe nga Rusia. “Në fund të procesit do të shohim, por tash për tash jemi në kërkim të kompromisit, të cilin tash nuk e kemi”, tha Kouchner, duke shtuar se së pari duhet të kalojë rezoluta në Këshillin e Sigurimit, e cila ende nuk e ka miratimin rus. Ai tha se nuk mund ta parashikojë se sa kohë së pari do të marrë vetë nxjerrja e rezolutës. Por, në fund nëse Rusia nuk pajtohet, atëherë, sipas tij, pavarësia e Kosovës është e rëndësishme, por kjo pavarësi, shtoi ai, duhet të jetë edhe e qëndrueshme. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu, në emër të palës kosovare, tha se Kouchner i ka prezantuar Prishtinës idenë për një fazë shtesë të konsultimeve, siç i quajti ai. Por, vendimi i palës kosovare, sipas Sejdiut, do të merret në një takim të përbashkët të Ekipit të Unitetit. “Ka ide që janë prezantuar edhe më herët në takime të mëhershme, që kemi pasur, dhe tani nga ministri, që mund të ketë një përputhje me idenë, që një rezolutë e përbashkët të dalë qëndrimi edhe për 120 ditë shtesë të konsultimeve. Ne e kemi thënë dhe e themi se do të jemi në bashkëpunim të thellë me të gjithë faktorët që e kanë ndihmuar Kosovën, duke dhënë kontributin tonë, sikur edhe tash, për të plasuar argumentet tona, por natyrisht me një insistim që ky proces të mbyllet sa më shpejt”, ka thënë Sejdiu. Ai, edhe me këtë rast, ka përmendur opsionet alternative të zgjidhjes së statusit si opsione reale, nëse Këshilli i Sigurimit definitivisht dështon të miratojë rezolutën për Kosovën.
XS
SM
MD
LG