Ndërlidhjet

PECI: “ZHVILLIMET RRETH KOSOVËS NË QORRSOKAK”


Lulëzim PECI, analist politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Peci, si i vlerësoni zhvillimet e fundit rreth statusit final të Kosovës, kur nga perëndimi po u bëhet thirrje kosovarëve gjithnjë e më tepër që të kenë durim, për shkak të shtyrjes së statusit?

LULËZIM PECI
Unë mendoj se situata momentalisht është shumë e mjegulluar. Nga kosovarët kërkohet durim. Mirëpo, problemi është se si do të shprehet tash edhe tek ne fundi i durimit të kosovarëve. Do me thënë, e kemi një situatë shumë të mjegulluar dhe e cila praktikisht ka hyrë në qorrsokak.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri nga liderët e Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, ka thënë se koncepti i Rusisë përmes Kombeve të Bashkuara ka vdekur. A ka vdekur?

LULËZIM PECI
Unë pajtohem plotësisht me zotin Surroi. Mendoj se qëllimi i Rusisë është që të pengojë pavarësinë e Kosovës me çdo kusht dhe në anën tjetër, përmes kërcënimit me veto, është duke tentuar që të krijojë një problem të madh brenda Evropës, e me këtë edhe ta dobësojë Evropën. Dhe, në pikëpamjen strategjike, kjo i konvenon Rusisë, sepse dëshiron që si një superfuqi në ngritje, ta ketë rrethinën e vet më të dobët se që është ajo.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë më herët se problemi i Kosovës ka hyrë në një qorrsokak. Si mund të dilet nga ky qorrsokak?

LULËZIM PECI
Nga qorrsokaku pikësëpari duhet të mendohet se si duhet të lëvizim më tutje. Tek ne po flitet shumë për bisedimet e ardhshme. Mirëpo, nuk e di se a do të ketë mundësi që të mbahen bisedimet, sepse nëse rezolutat siç kanë dështuar deri tani, do të dështojnë edhe në të ardhmen, atëherë opsioni i bisedimeve mund të bie. Që të dilet nga qorrsokaku, mendimi im është që pikësëpari udhëheqësja kosovare duhet ta rimendojë komplet strategjinë e veprimit të saj të mëtutjeshëm. Mendoj se është bërë gabim edhe më herët, që nuk është planifikuar se çka do të bëhet, nëse finalizimi i pakos së Ahtisaarit dështon. Duhet që tek e tutje të kemi shumë kujdes, se si do të veprojmë në gjashtë muajt e ardhshëm; a do të mbajmë zgjedhje, a nuk do t’i mbajmë zgjedhjet, a do të shpallim pavarësinë më herët apo më vonë - këto janë çështje që duhet t’i kemi parasysh. Mirëpo, unë mendoj se Kosova në fund të fundit nuk do të kalojë pa shpallje unilaterale të pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë implikimesh do të ketë një shpallje unilaterale e pavarësisë së Kosovës, nëse nuk do të ketë një pajtim dhe nuk do të ketë një rezolutë në Kombet e Bashkuara?

LULËZIM PECI
Kjo është një rrugë mjaft e vështirë, sepse ky është mjeti i fundit, të cilin praktikisht Kosova do ta përdorë, sepse deri më tani është punuar në shterjen e të gjitha mundësive diplomatike dhe politike për gjetjen e një zgjidhjeje me përkrahje të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk do të thotë se nuk do të ketë përkrahje prej një pjese të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare. Por, pasojat do të jenë se, fillimisht, do të kemi probleme të mëdha me Serbinë. Ato probleme do të ishin përafërsisht të njëjta edhe me rezolutë, mirëpo këtu do të eskalojnë. Në raportin e brendshëm me serbë, situata do të komplikohet edhe më tepër. Dhe sa i përket hyrjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, rruga do të jetë shumë e vështirë në të ardhmen. Mirëpo, nëse Kosova bllokohet tërësisht, edhe kjo rrugë arsyetohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpallja e njëanshme, unilaterale, sipas deklaratave të mëhershme të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, do të pasonte menjëherë edhe shpalljen e autonomisë territoriale të veriut të Kosovës. Sa është rrezik të ndodhë opsioni i ndarjes?

LULËZIM PECI
Rreziku qëndron. Rrezikun nuk mund ta eliminojmë. Mirëpo, puna qëndron se a e ka komoditetin Kosova që ta shndërrojë gjendjen e tanishme, e cila është në Kosovë, në një konflikt të ngrirë, që mund të vazhdojë me vite të tëra. Kjo është dilema jonë, me të cilën do të merremi. Zgjidhje komode nuk do të kemi, sipas mendimit tim. Por, të gjitha zgjidhjet do të çojnë në vështirësi të mëdha, sidomos në dy-tri vjetët e parë të zhvillimit të ngjarjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në letrën e tij dërguar Ekipit të Unitetit, zoti Surroi u ka bërë thirrje anëtarëve të tjerë të Ekipit të Unitetit, që të analizojnë dhe të shohin se si të dilet nga situata. A keni ju ndonjë rekomandim se çfarë do të duhej të bëhej tash?

LULËZIM PECI
Unë nuk mund t’i jap momentalisht rekomandim të qartë Ekipit Negociator, sepse nuk i di të gjitha detajet e punës së tyre të brendshme. Mirëpo, si mendim apo si sugjerim nga ana ime do të ishte që institucionet të mendojnë se si të lëvizet nga kjo situatë, në atë mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur për gjendjen emergjente që do ta presë pas shpalljes së pavarësisë. Sugjerimi kryesor qëndron në atë që të përgatitet për gjendjen emergjente. Dhe këtë, të mendojë se a duhet ta bëjë para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve. Mendimi im është se kjo duhet të bëhet pas zgjedhjeve, me qëllim që t’i kemi institucionet legjitime në atë moment kur do t’i marrim këto vendime, sepse përndryshe neve mund të na shtyhen zgjedhjet për një kohë të pacaktuar dhe atëherë vendi do të ketë probleme të mëdha në qeverisje dhe në mbajtjen e stabilitetit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Po flitni për shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Çfarë do të bëhet në këtë rast me planin e Ahtisaarit si dhe me ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë?

LULËZIM PECI
Nuk ka shpallje të dyanshme të pavarësisë e as shpallje multilaterale të pavarësisë. Është thënë edhe më herët se Këshilli i Sigurimit do ta hapë rrugën e pavarësisë, mirëpo Kosova duhet ta shpallë pavarësinë. Në këtë rast, Këshilli i Sigurimit nuk po e hap për shkak të vetos ruse dhe Kosova do të jetë e detyrueshme që ta shpallë pavarësinë e vet, sepse pavarësinë e Kosovës nuk e shpall askush tjetër, përveç Kosovës. Sa i përket planit të Ahtisaarit, unë mendoj se Kosova nuk e ka komoditetin e vet që t’i çojë duart nga pakoja e Ahtisaarit në tërësi, sepse në atë rast, bashkësia ndërkombëtare dhe ajo pjesë që përkrah pavarësinë, do të hezitojnë që ta bëjnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që unë mendoj se pjesët që janë të aplikueshme në pakon e Ahtisaarit, që nënkupton gati të gjitha, përpos marrëdhënieve me Serbinë, duhet të zbatohen për sa i përket këtij plani. Në raport me BE-në, situata është ende e komplikuar shumë, sepse për BE-në është bërë shumë më tepër prioritet vendosja e misionit të saj në Kosovë, sesa zgjidhja e statusit të Kosovës. Ne ende nuk jemi të sigurt se si do të veprojë Evropa, si do të veprojë në rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si do të reagojnë shtetet e Evropës. Kështu që do të kemi faza. Për atë arsye po e ceki se faza që vjen për Kosovën, është shumë e komplikuar dhe ne duhet të mendojmë shumë mirë se si duhet të gjendemi dhe të ecim përpara në këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me projekt-rezolutën e re, e cila është kundërshtuar nga Rusia, megjithatë ndoshta pritet të shqyrtohet ende në Këshillin e Sigurimit, është paraparë që të vijë misioni i BE-së, por jo të sqarohet statusi i Kosovës. A nënkupton kjo se me ardhjen e BE-së do të bie 1244-shi?

LULËZIM PECI
Jo, nuk do të nënkuptohet, sepse Rusia po kërkon qartazi që negociatat të jenë të pakushtëzuara dhe qartazi po bën me dije që sovraniteti i Serbisë nuk do të hiqet momentalisht nga Kosova. Kështu që unë nuk pres se do të sqarohet kjo gjë. Përkundrazi, situata do të jetë shumë e komplikuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë se do të vazhdojë situatë e njëjtë sikur me 1244-shin?

LULËZIM PECI
Këtu vetëm do të ndërrojë misioni dhe ndoshta do të ndërrojë karakteri i misionit, sepse edhe misioni i BE-së nëse vjen këtu, ai duhet ta ketë mandatin e qartë. Nëse vjen me atë që e parasheh pakoja e Ahtisaarit, atëherë nënkupton se të gjitha ingerencat e tjera, përpos ato që qëndrojnë në pako për Unionin Evropian, do të kalojnë te institucionet kosovare. Mirëpo, problemi qëndron se ajo pika kryesore, rekomandimi i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, nuk do të jetë i aplikueshëm automatikisht.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG