Ndërlidhjet

ANALISTËT INKURAJOJNË EKIPIN E UNITETIT TË INICIOJË SHPALLJEN E PAVARËSISË NË KUVEND


Zijadin Gashi

Kuvendi duhet të shpallë pavarësinë e Kosovës, thonë analistët. Çdo zvarritje e mëtutjeshme konsiderohet si e dëmshme, si në planin e nxjerrjes së opsioneve për ndarjen territoriale të saj, ashtu edhe në planin e destabilizimit të brendshëm. Analisti Ramush Tahiri konsideron se Kuvendi duhet të përkufizojë statusin, duke e ruajtur edhe praninë ndërkombëtare, si në planin civil, ashtu edhe ushtarak. “Konsideroj se shpallja e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës do të jetë e drejtë, por edhe obligim themelor i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me të cilën do ta përkufizonin, jo edhe përmbyllnin, çështjen e statusit të Kosovës, apo të themi të një programi kombëtar për të ardhmen e Kosovës. Para kësaj duhet të ruhet prania ndërkombëtare e KFOR-it, e UNMIK-ut, përkatësisht e misionit evropian”, thotë Tahiri. Me aktin e pavarësisë, ai thotë se Kuvendi do të dilte me opsionin kosovar për statusin e Kosovës. Në të kundërtën, vazhdimi i status-quo-s dhe negociatave, sipas Ramush Tahirit, do të kishte si pasojë shumë rreziqe të mëdha në destabilizimin e Kosovës dhe në humbjen e besimit te lidershipi i saj. “Rreziqet janë shumë të mëdha se Ekipi i Unitetit do ta humbte legjitimitetin dhe do ta humbte përkrahjen e popullit. Dhe, nëse kjo nuk bëhet tash, do të humbej besimi edhe në faktorin ndërkombëtar dhe do të humbej besimi edhe në marrjen pjesë në zgjedhje e në zhvillimin e demokracisë në vend..., dhe kriza e cila do të shpërthente, se të gjitha parashikimet janë se do të jetë në pranverën e vitit të ardhshëm, sepse atëherë grumbullohen të gjitha konfliktet, do të kishte pasoja edhe për të ardhmen e Kosovës”, vlerëson Tahiri. Në rast se rezoluta e re nuk kalon, atëherë pala kosovare nuk ka tjetër zgjidhje përveç shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thotë në anën tjetër, analisti Belul Beqaj. Ai thotë se nëse pala kosovare nuk reagon me shpejtësi që të shpallë pavarësinë, atëherë, sipas tij, do të mund të ndodhë që të sforcohet ideja për ndarjen territoriale të Kosovës. “Pala shqiptare, nëse rezoluta e fundit nuk kalon, alternativë tjetër nuk ka pos ta bëjë hapin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Kështu, të paktën, do të ruhet formalisht uniteti apo tërësia territoriale e Kosovës. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodh, rrezikohet mundësia e ndarjes territoriale të Kosovës”, thotë Beqaj. Ai vlerëson në vazhdim, se Ekipi i Unitetit do të humbë tërësisht besimin në popull, po qe se nuk tregohet i vendosur të shpallë pavarësinë. Ai thotë se kahet e procesit në Kosovë, do të duhej të dihen shumë më qartë pas takimit të liderëve kosovarë me sekretaren e shtetit, Condolizza Rice, në Uashington, më 23 korrik. “Situata do të qartësohet së paku rreth mundësisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, se kjo nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e SHBA-ve. Kështu që pas takimit me Condolizza Rice, mendoj se do të qartësohet pozicioni dhe koha se kur duhet të ndodhë kjo”, thekson Beqaj. Ndryshe, dështimi i miratimit të rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe vazhdimi i Rezolutës 1244, për analistët konsiderohet si një opsion që nuk e shpie askund Kosovën, prandaj ata besojnë se deklarimi i pavarësisë, në bashkëpunim me vendet aleate të Kosovës, do të qartësonte procesin dhe do të ishte rrugë më e mirë, sesa hyrja në sfida e rreziqe tjera.
XS
SM
MD
LG