Ndërlidhjet

ISUFI: “NDARJA E KOSOVËS GJENERON KRIZA TË REJA NË BALLKAN”


Ahmet ISUFI, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka kundërshtuar edhe versionin e fundit të projekt-rezolutës mbi Kosovën, që mbrëmë u shqyrtua në Këshillin e Sigurimit. Si e vlerësoni ju këtë situatë dhe çka prisni më tej, kur vazhdimisht ka kundërshtime nga Rusia?

AHMET ISUFI
Për ne nuk është diçka e papritur. Është vijë politike që ka përcaktuar Rusia për një kohë të gjatë. Dhe kjo nuk është vetëm tani, në këtë periudhën e pas luftës. Edhe gjatë luftës, edhe para luftës, Rusia ka mbajtur një qëndrim pro serb, duke pasur gjithmonë synim shtrirjen e strategjisë politike dhe ushtarake të saj në gjithë Evropën juglindore. Ky apetit dhe interesim i Rusisë që të ketë shtrirje të ndikimit, është edhe sot. Dhe prandaj, Rusia nuk pranon asnjë rezolutë, e cila Kosovën e ngrit në nivelin e shteteve të barabarta në kuadër të Evropës. Tentimet e bashkësisë ndërkombëtare për ta pasur votën e Rusisë brenda Këshillit të Sigurimit, janë tentime pozitive, sepse ne kemi nevojë që të kemi një qasje dhe përkrahje nga të gjitha vendet e Evropës. Megjithatë, po tregohet kokëfortësia e Rusisë, e cila do të jetë faktor ndikues në zhvillimet, jo vetëm lidhur me Kosovën, por edhe në trendet e tjera të zhvillimeve botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Me këtë projekt-rezolutë parashihet vazhdimi i negociatave, ndërkohë që nuk sqarohet statusi. Çfarë në fakt mund të arrihet nga negociatat shtesë?

AHMET ISUFI
Do të ndodhë ajo që ka ndodhur edhe në të kaluarën sa i përket negociatave me Beogradin, sepse palët që tani janë për një kohë të gjatë të konfrontuara, nuk mund të arrijnë te një marrëveshje. Dhe, bashkësia ndërkombëtare do të harxhojë të gjithë energjinë, që në fund të ketë një vendim që është i arsyeshëm, i pranueshëm dhe duke e arsyetuar se të gjitha mundësitë janë shterur. Do të vijmë në pikën kur bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet të pranojë një realitet, të bazuar në moszgjidhje me negociata, por me një vendim të posaçëm, që mund të jetë në mënyrë të njëanshme e shpallur ose e pranuar pastaj nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë e them për arsye se edhe bisedimet e Vjenës, që janë proklamuar paraprakisht se do të jenë zhvillime pozitive, kanë treguar se nuk kanë sjellë ndonjë rezultat, sa i përket ofrimit të interesave të palëve. Në këtë rast, ne kemi nxjerrjen e pakos së Ahtisaarit dhe propozimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, që është përbërje e një realiteti të Kosovës dhe e një kundërshtimi të vazhdueshëm të Serbisë, e në këtë rast edhe të Rusisë, e cila e përkrah vazhdimisht Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kanë thënë se këto negociata mund të jenë parapërgatitje për ndarjen e Kosovës, pasi që kosovarët kanë shterur të gjitha mundësitë e negociatave për çështje të tjera në bisedimet e mëhershme. Çfarë mendoni ju?

AHMET ISUFI
Ndarja e Kosovës si opsion është shumë i rrezikshëm, sepse gjeneron në kriza të reja në Ballkan. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare është shumë e kujdesshme në këtë drejtim, për arsye se i përmbahet edhe parimit të Grupit të Kontaktit për mosndryshim të territorit të Kosovës. Dhe, mbetja në këtë pozicion është e favorshme jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin, e në këtë rast edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Investimi që është bërë për një kohë të gjatë në Kosovë nga ana e Kombeve të Bashkuara dhe e gjithë komunitetit ndërkombëtar, nuk guxon të humbet me ndonjë eksperiment të ri, sepse ndarja e Kosovës do të gjenerojë kriza të reja në Maqedoni, në Bosnje dhe do të prishë të gjithë balancën, që deri më tani ekziston në Ballkan. Prandaj, nuk besoj se mund të ketë ndonjë qasje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare që të mund të ofrohet një pozicion i tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje, anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me përcaktimin e një date për statusin. Si e komentoni ju këtë mosunitet?

AHMET ISUFI
Në fakt, ne kërkojmë që Ekipi i Unitetit të dalë me një zë pas takimeve që mund t’i ketë. Të gjitha ato dallime që janë përbrenda Ekipit të Unitetit duhet të jenë brenda një mbledhjeje, që arrihet një konsensus i përbashkët. Para mediave e opinionit duhet të dalin me një zë, se për këtë janë të thirrur, për këtë janë dërguar nga partitë politike dhe për këtë duhet të mbajnë një qëndrim unik. Dallimet dhe nuancat që mund të jenë brenda vijave politike që ekzistojnë, nuk duhet të jenë qasjet e tyre, në mënyrë që Ekipi i Unitetit të mos dalë ashtu si ka dalë dje. Ne konsiderojmë se Ekipi i Unitetit duhet të jetë unik dhe të ketë një qëndrim, sidomos tani kur përgatitet shkuarja në SHBA, për t’u takuar me Condoleezza Rice. Në këtë rast, ne duam që të kenë një zë unik që përfaqëson Kosovën. Për atë janë të thirrur dhe janë të obliguar. Përndryshe, rrezikojnë edhe prezencën e tyre në Ekipin e Unitetit, sepse populli, qytetarët e Kosovës që u kanë dhënë besimin, kërkojnë unitetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët kosovarë kanë përmendur mundësinë e veprimit të njëanshëm, nëse vazhdimisht ka kundërshtime nga Rusia. Megjithatë, nga OKB-ja dhe BE-ja, kosovarët janë sinjalizuar që të mos ndërmarrin këtë hap. Çfarë në fakt duhet të bëjnë kosovarët, nëse edhe më tej ka zvarritje?

AHMET ISUFI
Bashkësia ndërkombëtare, gjatë kësaj kohe, ka shpenzuar shumë energji në angazhim për zgjidhje ndërmjet palëve. Por, në këtë rast, Beogradi dhe Prishtina janë në distancë shumë të largët. Dhe, në fakt, Serbia nuk është demokratizuar ashtu siç ka qenë e menduar nga bashkësia ndërkombëtare. Përkundrazi, nuk ka asnjë dallim nga politika e Millosheviqit që është ndjekur për Kosovën. Shqiptarët, në këtë rast qytetarët e Kosovës, janë të pozicionuar për pavarësinë e Kosovës. Do të mundohemi arsyeshëm ta kuptojmë edhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, por, në të njëjtën kohë, ne konsiderojmë se është e drejtë e jona të bëjmë shpallje të njëanshme, nëse nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe, kësaj po shihet se po i vjen fundi. Një deklarim i njëanshëm i Parlamentit të Kosovës për shpallje të pavarësisë, do të ishte me pranim të njëanshëm nga shtetet veç e veç.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni deklaruar më herët kundër mbajtjes së zgjedhjeve. A vazhdoni të keni këtë qëndrim, pavarësisht se vendimi për statusin e Kosovës po shtyhet?

AHMET ISUFI
Qëndrimi ynë është që zgjedhjet të mbahen në kohën e duhur, në kohën optimale, kur i kalon mandati institucioneve të tashme të Kosovës, të zgjidhura me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. Por, përparësi i japim statusit të Kosovës, sepse konsiderojmë se me një status të zgjidhur, në Kosovë do të kemi zgjedhje shumë demokratike dhe me një kampanjë relaksuese. Në të kundërtën, do të kemi shumë probleme në fushatën zgjedhore, sepse me akuza dhe kundërakuza do të jetë fushata, e cila do të shkojë për fajet pse nuk është zgjidhur statusi i Kosovës. Qëllimi ynë është që të kemi statusin e zgjidhur, të kemi pavarësinë e Kosovës dhe të hyjmë në zgjedhjet e para demokratike në një shtet të pavarur, ku qytetarët do të ndjenin frymën e funksionimit të shtetit ashtu siç duhet. Me votën e lirë, ata do të mandatonin të gjithë ata, të cilët, në fakt, janë angazhuar për procesin e Kosovës. Kështu duam të kemi një legjitimitet të plotë edhe para vetes, edhe para bashkësisë ndërkombëtare.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG