Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS DO TË DEBATOJË PËR STATUSIN MË 30 KORRIK


Zijadin Gashi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në marrëveshje me shumicën e anëtarëve të Ekipit të Unitetit, ka vendosur që debati në Kuvend lidhur me statusin e Kosovës, të mbahet më 30 korrik. Anëtarët e Ekipit të Unitetit janë paraqitur me mendime të ndryshme lidhur me atë se a do të duhej që ky debat të zhvillohej para apo pas takimit me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, që do të mbahet më 23 korrik, në Uashington. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se çështja e statusit do të diskutohet në Kuvend pavarësisht se kur, por për Kosovën, ai tha se është me rëndësi përgatitja për takimin me Condoleezza Rice në Uashington. “Është qëndrim unanim i të gjithëve, që seancë duhet të ketë dhe Kuvendi duhet ta thotë fjalën e vet. Për ne është me rëndësi që do të vazhdojmë me proceset e tjera të përgatitjes, me vizitën në Uashington dhe besoj po ashtu në mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe do t’i japin procesit të pavarësimit të Kosovës, e po ashtu edhe vendet e Bashkimit Evropian”, është shprehur presidenti Sejdiu. Debati parlamentar për statusin është iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, të enjten e kaluar. Shefat e grupeve parlamentare qenë dakorduar atë ditë, që seanca të mbahet gjatë kësaj jave, por paraprakisht ishte kërkuar dhe takimi i Kryesisë së Kuvendit me Ekipin e Unitetit. Për dallim nga Grupi Parlamentar i PDK-së, lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, tha se vendimi për seancën i takon Kryesisë së Kuvendit, duke mos preferuar ndonjë datë të caktuar. Thaçi edhe sot nuk ka mbështetur asnjë lloj politike të njëanshme, por ka përkrahur vetëm ato politika që e shpijnë Kosovën kah pavarësia përmes marrëveshjes paraprake me Uashingtonin dhe Brukselin. “Siç e dimë, tashmë roli i Këshillit të Sigurimit është dobësuar, por edhe mund të themi se ka dështuar në gjetjen e zgjidhjes për statusin e Kosovës. Tash janë dy adresa vendimmarrëse për statusin e Kosovës, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian. Ne do të bëjmë çmos, që si politikë e Kosovës të punojmë ngushtë, që procesi i pavarësisë të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”, ka pohuar Thaçi. Një qëndrim më të prerë që seanca plenare të thirrej para udhëtimit për në Uashington, ka mbajtur lideri i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi. Por, ai tha se ishte mbivotuar nga të tjerët, kështu që debati ishte lënë të zhvillohet më 30 korrik. “Qëndrimi im individual ka qenë se ne kemi nevojë jo vetëm të raportojmë në Kuvendin e Kosovës, të bisedojmë me deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe të ndajmë me ta mendimet për atë se çfarë duhet të zhvillojmë si platformë dhe si bisedime në takimin tonë në Uashington”, ka thënë Surroi. Sidoqoftë, Ekipi i Unitetit është në pritje të takimit me Condoleezza Rice në Uashington, si një prej takimeve më të rëndësishme pas bllokimit të procesit në Këshillin e Sigurimit. Presidenti Sejdiu edhe sot përsëriti qëndrimin se pala kosovare nuk do të presë deri në pakufi dhe do të kërkojë edhe zgjidhje alternative. “Nëse nuk do të ketë sukses në këtë qasje, po them një qasje të shpejtë, jo një qasje që do të ishte në shërbim të prolongimit të vazhdueshëm, të kërkohet zgjidhje alternative. E zgjidhje alternative është prapë ajo në bashkëpunim me faktorët e rëndësishëm, që e kanë mbështetur dhe e deklarojnë fuqishëm qëndrimin e tyre për mbështetje të pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Ekipi i Unitetit do të mblidhet edhe nesër në përpjekje të formësimit të një qëndrimi unik para takimit me sekretaren amerikane të shtetit. Kohëve të fundit, ky ekip megjithatë ka shënuar disa plasaritje, që po shfaqen hapur nga ana e anëtarëve të tij, Agim Çeku e Veton Surroi, të cilët tashmë e kanë thënë publikisht se nuk presin më që Këshilli i Sigurimit të mund të nxjerrë ndonjë vendim të përbashkët dhe favorizojnë një politikë më aktive kosovare, që e drejton procesin më shumë kah vendimi në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG