Ndërlidhjet

AQBK: RRITET BESIMI NË SEKTORIN BANKAR


Nadie Ahmeti

Sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm dhe i besueshëm dhe me këtë gjendje mund të krahasohet me sistemet bankare të të gjitha vendeve të rajonit. Kështu e kanë vlerësuar sot udhëheqësit e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës sektorin financiar, gjatë publikimit të raportit vjetor për vitin 2006. Ajri Begu, kryetar i Këshillit drejtues të këtij autoriteti, pohon se sektori bankar i Kosovës ka shënuar rritje të aktiviteteve dhe një rritje të besimit në tregun vendor, që, sipas tij, po reflektohet me rritje të kredive dhe depozitave. Kreditë në sektorin bankar në vitin 2006, sipas Begut, janë rritur për 24 për qind, duke arritur vlerën deri në 636 milionë euro. “Edhe në strukturën e depozitave kemi zhvillime pozitive, për shkak se depozitat e afatizuara rriten. Në strukturën e kredive ka ecuri pozitive, për shkak se kreditë me maturinë mbi dy vjet dhe kreditë afatgjate po shtohen. Ky është një tregues i mirë, për shkak se ekonomia gjithnjë po merr mjete kualitative më afatgjate dhe mund të llogarisë në investime më serioze”, u shpreh Begu. Sektori financiar i Kosovës sërish ka arritur përparim të vërtetë në ofrimin e shërbimeve financiare, duke mbështetur në këtë mënyrë zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe shtytjen drejt ekonomisë së tregut, tha Michel Svetchine, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës. Në këtë aspekt, sipas Svetchine, sektori financiar duhet të konsiderohet si një nga pasuritë e Kosovës. “Edhe pse Kosova ende konsiderohet si vend pak i rrezikuar, jo vetëm sa i përket statusit, por edhe kornizës ligjore në përgjithësi, megjithatë sektori financiar mbetet stabil”, tha Svetchine. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për mbikëqyrjen e sektorit financiar në AQBK, Hashim Rexhepi, thotë se viti 2006 për sistemin bankar ka qenë stabil, por edhe profitabil. Rexhepi thotë se rritja e besimit në banka në tregun vendor shihet nga paraqitja e produkteve të reja gjatë vitit 2006, pasi katër bankat më të mëdha kanë filluar të ofrojnë kredi me afat kthimi deri në 10 vjet. “Vlerësimi i përgjithshëm është se sektori financiar në Kosovë ka treguar performanca të mira dhe vazhdon trendin e zhvillimeve pozitive. Kështu, në përgjithësi, kisha thënë se sistemi bankar i Kosovës gjatë vitit ka qenë likuid, solvent dhe ka treguar nivel të mirë të profitabilitetit për pronarët e tyre. Këto performanca kanë të bëjnë në të gjitha aspektet e funksionimit të sistemit bankar të Kosovës”, pohoi Rexhepi. Ndryshe, sektori bankar i Kosovës përbëhet nga gjashtë banka komerciale me pronësi private, të cilat veprojnë përmes 220 njësive bankare në tërë Kosovën. Ndërkaq, në mars të vitit 2006, Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës i ka ndërprerë licencën Bankës Kreditore të Kosovës, pas vlerësimeve se kjo bankë nuk i përmbush kushtet e nevojshme, që të mbrojë klinentet e vet. Procesi i likuidimit të Bankës Kreditore të Kosovës ende është duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG