Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE KËRKOJNË ZGJIDHJE TË STATUSIT JASHTË KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Albana Isufi

Përfaqësuesit e partive politike konsiderojnë se vendet që përkrahin pavarësinë e Kosovës, si dhe vetë institucionet e Kosovës duhet të gjejnë një rrugë për zgjidhjen e statusit jashtë Këshillit të Sigurimit. Këto komente vijnë pas kundërshtimit të mbrëmshëm të projekt-rezolutës së pestë nga ana e ambasadorit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, Vitaly Curkin. Vehbi Miftari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se sponsorizuesit e projekt-rezolutës për Kosovën kanë shpenzuar të gjitha energjitë për të pasur një vendim përmes Këshillit të Sigurimit. Miftari thotë se në të njëjtën kohë, situata në Kosovë është shumë delikate dhe se faktori ndërkombëtar, por edhe institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për zgjidhje alternative. “Kërkesa për miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit ka qenë faza e parë rreth shkuarjes së përcaktimit të fatit të statusit të Kosovës. Nëse eventualisht kjo, sikur ka ndodhur edhe me draftin e pestë të projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurimit, nuk ndodh, sigurisht se institucionet do të marrin përgjegjësinë që u takon para votuesve, para qytetarëve tanë dhe do të thonë fjalën e tyre. Kuvendi është organi legjitim, i cili duhet të institucionalizojë vullnetin qytetar”, tha Miftari. Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se zhvillimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit kanë hyrë në një krizë të thellë. Krasniqi thotë se vendet që përkrahin pavarësinë, si dhe vetë institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa tjerë për të zgjidhur statusin. “Mendoj se Kosova duhet ta zhvillojë një komunikim ndryshe, sidomos me vendet që e kanë mbështetur dhe e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Ndoshta lidershipi i Kosovës, në bashkëpunim me këto vende, duhet të bëjë një strategji të re. Ndoshta rrugë e vetme do të mbetet shpallja e pavarësisë dhe kërkesa zyrtare për njohjen e kësaj pavarësie”, theksoi Krasniqi, i cili megjithatë, mendon se prioritet duhet njëherë të jenë zgjedhjet, për shkak të, siç thotë ai, legjitimitetit të institucioneve. Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, mendon se janë të tepruara zhvillimet në Këshillin e Sigurimit, të cilat me çdo kusht duan evitimin e vetos ruse. Ai thotë se është koha e fundit që perëndimi të bëjë një kthesë dhe, siç thotë ai, të rezonojë qartë se çdo cenim i vullnetit politik të Kosovës do të jetë me rrezik dhe me pasoja për stabilitetin në rajon. “Unë mendoj se është tepruar me të gjitha variantet dhe të gjithë kohën e humbur, duke kërkuar një zgjidhje në Këshillin e Sigurimit, pra me rezolutë. Edhe unë jam skeptik sikur pjesa dërrmuese në Kosovë, se do të ketë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Do të thosha se duhet kërkuar rrugë alternative dhe duhet gjetur zgjidhje jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse tash veç është ora pesë para 12”, u shpreh Luma. Nënkryetarja e Partisë Reformiste Ora, Teuta Sahatçia, thotë se tashmë është e qartë, se Rusia nuk do të pajtohet me asnjë projekt-rezolutë që parasheh pavarësinë e Kosovës. Kështu që, sipas Sahatçisë, me qëllim të evitimit të ndonjë eskalimi të situatës së sigurisë në Kosovë, blloku perëndimor, bashkë me institucionet e Kosovës, duhet të krijojë zgjidhje tjetër. “Mendoj se udhëheqësia jonë dhe miqtë tanë duhet ta kenë shumë parasysh këtë dhe të ndërmarrin hapa me apo pa Këshillin e Sigurimit, hapa të cilët do të sjellin deri te shpallja e pavarësisë dhe do të sjellin deri te një jetë normale për qytetarët e Kosovës”, tha Sahatçia. Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konsiderojnë se pavarësisht mundësisë që të vazhdojnë edhe më tej konsultimet për projekt-rezolutën e pestë, ajo nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit, për shkak të kundërshtimit rus dhe kinez. Oliver Ivanoviq, shef i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, beson se mund të ketë ndonjë lëvizje vetëm pas pushimeve verore, kur Franca të jetë kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit. “As kjo rezolutë, tash për tash, nuk duket se mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit. E reja është se edhe Kina gjithnjë e më tepër paraqitet me qëndrimin e saj, që nënkupton se qëndrimi i Rusisë mund të përforcohet. Mendoj se nuk do të ketë lëvizje deri në vjeshtë, pasi që shumica e zyrtarëve të OKB-së nga 15 korriku do të jenë në pushim vjetor”, tha Ivanoviq. Javën e kaluar, lideri i ORA-s, Veton Surroi, njëherësh edhe anëtar i Ekipit të Unitetit, ka thënë se koncepti i pavarësisë së Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit, ka vdekur. Sidoqoftë, Ekipi i Unitetit pritet që, gjatë kësaj jave, të formësojë një qëndrim unik për statusin, në mënyrë që në takimin me sekretaren amerikane, Condoleezza Rice, më 23 të këtij muaji, të shkojë me një propozim konkret për pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG