Ndërlidhjet

KUÇI: “KOSOVA KA NEVOJË PËR AFATIZIMIN E ÇËSHTJES SË STATUSIT”


Hajredin KUÇI, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, si i shihni zhvillimet aktuale në lidhje me statusin e Kosovës, duke marrë parasysh se procesi tashmë është bllokuar në Këshillin e Sigurimit?

HAJREDIN KUÇI
Dinamika rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, ndoshta edhe me tendencë të prekjes në vetë përmbajtjen e saj, duket që ka shkaktuar ngecje, në veçanti në dinamikë, ndoshta mu për atë që dikush pretendon ta prekë edhe përmbajtjen. Në këtë drejtim, mendoj se vendi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është pretenduar dhe janë bërë orvatjet maksimale të jetë Këshilli i Sigurimit. Në këtë drejtim, duket që orvatjet kanë qenë të pasuksesshme, përballë atyre që kanë dëshiruar të vënë pengesa. Natyrisht se Kosova, por edhe partnerët e saj ndërkombëtarë duhet të orientohen tani në gjetjen e zgjidhjes dhe më pak ndoshta në vendin se ku do të gjendet zgjidhja.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, tek vendi që do të gjendet kjo zgjidhje, dje është propozuar që të bartet çështja e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në Bashkimin Evropian. Si e shihni këtë veprim?

HAJREDIN KUÇI
Në çdo rast, mendojmë se çështja e Kosovës dhe statusi i saj duhet të zgjidhet në rastin sa më të shpejtë të mundur dhe duke e ruajtur gjithsesi pavarësinë e plotë të Kosovës, duke ruajtur tërësinë territoriale të saj dhe njëkohësisht duke tentuar që të krijojë institucione funksionale dhe demokratike. Jam shumë i bindur që orvatjet duhet të jenë në këtë drejtim dhe angazhimi ynë, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Zhvendosja, do ta quaja, e çështjes së statusit të Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, ndoshta do të ishte mirë në kuptimin e heqjes së të drejtës së vetos, por ne në çdo rast do të preferonim që lojtarë apo akterë kryesorë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht edhe Unioni Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Pritet edhe një takim i delegacionit më të lartë të Kosovës me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleeza Rice. A prisni që çështja e statusit të marrë kahe të një dinamike më të shtuar?

HAJREDIN KUÇI
Është një respekt që bëhet, një interesim i shtuar në këtë nivel, jo vetëm për Grupin e Unitetit, por për çështjen e Kosovës në tërësi. Me siguri se ky takim ka përgatitjet e veta paraprake, por njëkohësisht ka edhe mesazhet e veta, qoftë ato simbolike për vetë takimin, por qoftë edhe nga ato që do të dalin nga përmbajtja e takimit. Mendoj se aty do të jetë së paku një sinjal i qartë për vijën nga do të shkojnë rrjedhat e statusit final të Kosovës dhe për aktivitetet, apo do ta quaja bashkërendimin e aktiviteteve në mes të Kosovës dhe partnerëve të saj, në radhë të parë SHBA-ve dhe Unionit Evropian. Me siguri se ky takim nuk do të jetë ai që do të krijojë ndonjë mrekulli të madhe, por do të krijojë qartësi, në radhë të parë për akterët tanë, për qytetarët, por edhe për rrugën tonë të përbashkët, që duhet ta ndjekim në çdo rast. Kosova, zhvillimin e vet, arritjen e statusit të vet final e sheh përmes bashkëpunimit të plotë me SHBA-të dhe me Unionin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse procesi i statusit vazhdon të zvarritet, cilat konsideroni se duhet të jenë hapat e Prishtinës dhe a mund të bartet procesi në Kuvendin e Kosovës?

HAJREDIN KUÇI
Në momentin, në të cilin gjendemi tani, Kosova ka nevojë për dy agjenda: agjendën vendore dhe ndërkombëtare. Në agjendën vendore, Kosova ka nevojë që të përfshijë unitetin politik sa i përket statusit final të Kosovës, menaxhimin e situatave, nëse ndodhin situata të krizës, mund të përfshijë gjithsesi investimin në mirëqenie ekonomike, por edhe angazhimet rreth legjitimitetit të institucioneve demokratike, që nënkupton edhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike. Në agjendën ndërkombëtare mendoj se Kosova ka nevojë të bëjë lobizim të shtuar dhe bashkërendim të aktiviteteve me SHBA-të në radhë të parë dhe Unionin Evropian. Ka nevojë gjithsesi të ofrojë projektet e veta dhe të mos e sjellë veten në atë gjendje që vetëm të pranojë projekte dhe të japë pëlqimin apo jo. Dhe, në veçanti, Kosova ka nevojë, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, të afatizojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të mos pranojë zgjidhje gjysmake, por të tregojë gatishmëri për zgjidhje permanente dhe zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të komplikohej procesi, nëse çështja e statusit nuk do të përmbyllet në mandatin e këtyre institucioneve dhe nëse ndërkohë do të organizohen edhe zgjedhjet e lira. Sa mund të ndikojë kjo në vetë procesin e statusit?

HAJREDIN KUÇI
Ne duhet të tentojmë që të ndajmë procesin e statusit final të Kosovës prej procedurave të domosdoshme demokratike. Në kuptimin e kësaj, mendojmë se në asnjë rast, askush në Kosovë nuk është i interesuar, që përmes ndonjë veprimi dytësor, ta dëmtojë statusin final të Kosovës. Por, njëkohësisht, nuk dua të them se ka edhe të tjerë, që përmes angazhimit rreth statusit final të Kosovës, e them ndër thonjëza, tentojnë ta ngulfasin demokracinë. Kosova ka nevojë për ecje përpara, në radhë të parë për statusin final të Kosovës dhe, në ndërkohë, bashkërendimin me zhvillimin e saj demokratik. Pastaj, të hapet rruga që për Kosovën të udhëhiqet nga njerëzit me legjitimitet të plotë demokratik. Sa më legjitimë që janë njerëzit në institucione, aq më legjitime do të jetë edhe përmbajtja e statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni edhe kryetar i Komisionit Kushtetues. Ku ka mbetur puna në lidhje me Kushtetutën dhe disa çështje të tjera, për të cilat fillimisht pati punuar Prishtina, që dilnin si obligime nga pakoja e Ahtisaarit?

HAJREDIN KUÇI
Ne, në Komisionin Kushtetues për asnjë rast nuk e kemi ndalur punën tonë. Normalisht se dinamika jonë ka qenë e përkushtuar në përputhje me zhvillimet që mund të jenë për statusin final të Kosovës. Mund të them se Kushtetuta e Kosovës është pjesë e procesit dhe procesi determinon nxjerrjen e Kushtetutës, e jo e kundërta. Ne do të ishim fatmirë nëse do ta kishim mundësinë që përmes Kushtetutës ta definojmë statusin, por kjo nuk mund të ndodhë. Pra, në këtë drejtim, mendoj se po punojmë, po i kryejmë angazhimet tona në mënyrë permanente, por me një dinamikë paksa të zvogëluar do ta quaja. Komisioni Kushtetues që e udhëheq unë, do t’i respektojë vendimet politike, legjitime të Kosovës dhe dinamikën e kërkuar nga ne, në kuptimin e afateve kohore. Procesi është statusi final i Kosovës, ndërsa Kushtetuta është pjesë e atij procesi.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG