Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT PAJTOHET QË ZGJEDHJET TË MBAHEN KËTË VIT


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit ka vendosur që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen këtë vit, sipas orarit kushtetues, por ka kërkuar që organizimi i zgjedhjeve të mos justifikohet me shtyrje të mëtejme të procesit. Këtë qëndrim, Ekipi i Unitetit do t’ia paraqesë edhe sekretares amerikane, Condoleezza Rice, në takimin e 23 korrikut. Po ashtu, në këtë takim, sipas anëtareve të Ekipit të Unitetit, do të dërgohet porosia se Kosova është e gatshme dhe unike në qëndrimin për pavarësi. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se nga sekretarja Rice nuk do të kërkohet që të afatizohet procesi i pavarësimit. “Ne kemi thënë dhe kemi ujdi të plotë për konsideratën e lartë për kontributin dhe angazhimet e SHBA-ve në të gjithë proceset e deritanishme dhe në proceset në vijim. Kemi parasysh edhe deklarimet e tyre që janë të një baze shumë të thellë. Për ne është me rëndësi që të insistojmë thellë që ky proces të kryhet shpejt. Pra, sa më parë që të bëhet e gjithë ajo punë që do të rezultojë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Andaj, ne nuk kemi insistime që të thuhet në këtë datë apo në këtë ditë të ndodhë. Për ne është një insistim shumë i qartë, që të jetë një kohë shumë e shkurtër në kuadër të krejt të së mundshmes”, është shprehur presidenti Sejdiu. Megjithëse është pajtuar me qëndrimin e Ekipit të Unitetit, kryeministri Agim Çeku vazhdon të besojë se Kosovës i duhet përcaktimi i datës së pavarësisë. “Unë vazhdoj të mendoj se Kosova duhet të afatizojë procesin dhe të insistojë për këtë, sepse, siç thamë, mesazhi ynë që do të çojmë në Uashington është se Kosova është gati, është e gatshme për pavarësi. Në këtë proces të pavarësimit të Kosovës dëshirojmë të jemi dhe të konsiderohemi si partnerë dhe të marrim pjesë në këtë proces si partnerë; të jemi edhe adresa e tretë në këtë proces, mos të jetë vetëm Uashingtoni e Brukseli, por edhe Prishtina në radhë të parë”, ka thënë kryeministri Çeku. Ndryshe, vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit, presidenti Sejdiu e ka arsyetuar me faktin se Kosova, pavarësisht statusit, duhet të vazhdojë proceset e saj të brendshme demokratike. “Ekipi Negociator vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe komunale gjatë kësaj vjeshte, sipas agjendës së rregullt zgjedhore, është e domosdoshme, për të siguruar legjitimitetin e domosdoshëm të pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë. Ekipi Negociator është i vendosur që organizimi i zgjedhjeve të mos shërbejë si justifikim për shtyrje të reja të përfundimit të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Zgjidhja e statusit të Kosovës është prioritet absolut për Ekipin Negociator të Kosovës, të cilit i subordinohen të gjitha proceset tjera politike në Kosovë”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Anëtaret e Ekipit të Unitetit kanë premtuar se fushata parazgjedhore nuk do të ndikojë në procesin e statusit, meqë, sipas tyre, statusi do të jetë gjithnjë mbi interesat partiake. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se në Uashington do të dërgohet mesazhi i gatishëmrisë së Kosovës për pavarësi, por edhe nevoja e respektimit të proceseve tjera demokratike. “Në çdo rrethanë, ne do ta kultivojmë unitetin shtet-ndërtues të Ekipit të Unitetit, në mbështetje të plotë të Parlamentit të Kosovës”, ka pohuar Thaçi. Lideri i ORA-s, Veton Surroi, ka theksuar se gjatë fushatës parazgjedhore edhe mund të theksohen diferencat partiake, por ai siguroi se agjenda e statusit do të jetë çdoherë prioritet. “Porosia që dërgojmë te zonja Rice është se ne do të mbajmë zgjedhje. Jemi të vetëdijshëm se në procesin zgjedhor do të dalin diferenca, por agjenda shtetërore është mbi interesat partiake dhe mbi këtë agjendë jemi në EN dhe do të vazhdojmë deri në përfundimin e kësaj agjende, ose nëse ndodh më herët, deri te rilegjitimimi që del nga zgjedhjet apo nga një proces tjetër”, ka thënë Surroi. Anëtarët e Ekipit të Unitetit, pavarësisht debateve kundërthënëse të ditëve të kaluara mbi përcaktimin ose jo të datës për zgjidhjen e statusit, sot kanë siguruar se uniteti i tyre nuk është cenuar dhe se kjo gjë nuk do të bëhet as gjatë procesit zgjedhor. Ndryshe, në dritë të deklaratës së tij të djeshme, se për shkak të bllokimit rus, Këshilli i Sigurimit duhet anashkaluar, presidenti Fatmir Sejdiu ka sinjalizuar sot se mund të pajtohet me idenë e bartjes së procesit nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit, siç kanë propozuar zyrtarë të Bashkimit Evropian. Sejdiu ka thënë se është me rëndësi që procesi të kryhet sa më shpejt, në partneritet me faktorët që e kanë mbështetur Kosovën deri tash.

XS
SM
MD
LG