Ndërlidhjet

PIERCE:"NXJERRJA NË VOTIM E REZOLUTËS ËSHTË ÇËSHTJE E DITËVE"


Karen PIERCE, zëvendësambasadore e Britanisë së Madhe në OKB

RADIO EVROPA E LIRË
Projekt rezoluta për Kosovën diskutohet të enjten. A mund të presim ndonjë votim?

KAREN PIERCE
Votimi vështirë se do të mbahet të entjen. Por, ne dëshirojmë ta sjellim rezolutën deri në përfundim shumë shpejtë, për arsye se kjo është përpjekja jonë e fundit, përpjekje e vullnetit të mirë, që ta kemi një tekst, që do të mbështetej nga rusët. Ne kemi bërë shumë përpjekje, gjatë disa javëve të kaluara, që të arrijmë në këtë pikë dhe ne shpresojmë se rusët do të përgjigjen reciprocikisht. E them me keqardhje, por në këtë moment, nuk duket se rusët kanë vullnet që të angazhohen në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ju kuptova drejtë, a mund të thuhet se kjo është projekt rezoluta e fundit për Kosovën, që do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit?

KAREN PIERCE
Ndokush do të thoshte kurrë mos thuaj kurrë. Por është e qartë se ne kemi arritur në fund të procesit aktual, ne kemi bërë disa përpjekje, kjo është projekt rezoluta e tretë në Këshillin e Sigurimit, në përpjekjet që t'i bindim rusët që të na bashkohen. Rusët janë partnerë në Grupin e Kontaktit dhe ne do të dëshironim që të lëvizim përpara së bashku me ta në statusin e Kosovës. Tash ne kërkojmë nga ata që të angazhohen seriozisht në hartimin e tekstit.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët mundësinë që Rusia ta bllokoj këtë projekt rezolutë. Çka do të ndodhë pas kësaj? Amund të thuhet se procesi do të dalë jashtë kornizave të Këshillit të Sigurimit?

KAREN PIERCE
Ky sigurisht është një opsion, nëse të gjitha rrugët e tjera janë të bllokuara. Ne, para se gjithash, dëshirojmë më shumë që të kemi proces në Këshillin e Sigurimit, ne dëshirojmë më shumë të kemi një zgjidhje të menagjuar për statusin e Kosovës, se sa një zgjidhje të pamenagjuar jashtë Këshillit të Sigurimit. Por, në këtë moment rusët nuk na kanë lënë shumë opsione. Ne nuk do të votojmë lidhur me tekstin menjëherë, për shkak se dëshirojmë që rusëve t'u japim rastin e fundit që të na bashkohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse do të jeni të detyruar që procesin ta kaloni jashtë Këshillit të Sigurimit, kush do të jetë përgjegjës më pas për këtë proces?

KAREN PIERCE
Unë nuk do të spekuloj se çka mund të ndodhë në një situatë të tillë hipotetike. Por, qartazi, ne dëshirojmë një finale që do ta forcoj stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Ne jemi mbështetës të fortë të propozimit të Ahtisaarit. Ne ende besojmë se pavarësia nën mbikëqyrje ndërkombëtare është mënyra më e mirë për të ecur përpara për Kosovën dhe rajonin. Nëse ne shkojmë jashtë Këshillit të Sigurimit, atëherë ne do të shohim se cilat rrugë më së miri i plotësojnë qëllimet tona. Prandaj, në këtë moment, nuk mund të them se çka do të bëjmë saktësisht nëse ky tekst bllokohet nga Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Në projekt rezolutën e fundit thuhet se Grupi i Kontaktit dhe BE-ja do të jenë përgjegjëse për bisedimet shtesë. Ku i bazoni shpresat për një rol konstruktiv të Rusisë në Grupin e Kontaktit?

KAREN PIERCE
Propozim rezoluta parasheh që Grupi i Kontaktit dhe Bashkimi Evropian do ta mbështesin sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe të dërguarin e tij të posaqëm gjatë periudhës prej 120 ditësh për bisedime të mëtejme. Mendoj se nëse rusët votojnë për këtë tekst, atëherë ky do të jetë një paralajmërim i gatishmërisë së tyre që të jenë konstruktiv në këtë periudhë prej 120 ditësh. Por, sinqerisht, ajo që është më e rëndësishme, është qasja e Beogradit. Ajo që na duhet, nëse ne dëshirojmë një prëfundim me marrëveshje për këtë periudhë të negociatave, është që të kemi një propozim realist nga Beogradi. Por, me keqardhje e them, ajo që duket se kemi për momentin është një propozim për ripërsëritje të autonomisë së vjetër, që Kosovën praktikisht e futë në një geto brenda Serbisë. Ne do të inkurajojmë Beogradin që të paraqesë një propozim realist që do të ketë parasysh gjendjen faktike në teren. Ndërsa realiteti është se rreth 90 për qind të popullatës së Kosovës dëshiron pavarësi dhe këtë fakt nuk mund ta injoroi askush.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni ndonjë përgjigje se si do të veprohet nëse nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet palëve edhe pas bisedimeve shtesë?

KAREN PIERCE
Nuk dëshiroj të spekuloj rreth kësaj çështje, sepse kjo do të ndërlikonte bisedimet. Por është e rëndësishme që sërish të thuhet se ne presim nga Beogradi që të dalë me një propozim serioz që do të hapte rrugën drejt destinimit të fundit të Kosovës dhe Serbisë dhe që është Bashkimi Evropian. Për të siguruar këtë ardhmëri Beogradi duhet të jetë në marrëdhënje të mira me fqinjët dhe kjo do të thotë edhe me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se coptimi i Kosovës do të jetë një nga opcionet në tryezën e bsiedimeve të ardhshme. A vazhdon të jetë bashkësia ndërkombëtare e vendosur kundër coptimit?

KEREN PIERCE
Nuk e dij nëse coptimi do të jetë një nga propozimet me të cilin do të dalë Beogradi. Nëse ata këtë e bëjnë, kjo do të ishte një pengesë, sepse duhet përkujtuar parimet e Grupit të Kontaktit sipas të cilave coptim të Kosovës nuk guxon të ketë. Coptimi nuk është në favor të paqës, sigurisë dhe stabilitetit dhe nuk do të jetë as në favor të serbëve të Kosovës. Rrjedhimisht, shpresojmë se askush nuk do ta çojë përpara këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Do t'u rikthehemi sërish afateve kohore. Sa kohë jeni të përgatitur t'i jepni akoma Rusisë, disa ditë, javë, muaj....?

KAREN PIERCE
Sgurisht që është çështje e ditëve. Nuk jemi duke nxituar për të nxjerrë rezolutën menjëherë në votim, sepse duam që Rusisë t'i japim kohë, që ta sudiojë ate dhe të na bashkohet. Por, njëkohësisht ne nuk jemi të përgatitur që këtë çështje ta zhagisim deri në pakufi.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG