Ndërlidhjet

logo-print

ABRAMOVITZ:"BISEDIMET E REJA MUND TË ÇOJNË DREJT COPTIMIT TË KOSOVËS"


Morton Abramovitz, anëtar i bordit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Abramovitz, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit diskutimi i projektrezolutave për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, siç pohojnë shumë vëzhgues, ka arritur në një pikë të vdekur. Për sa kohë fuqitë perëndimore do të këmbëngulin të gjejnë një zgjidhje në Këshillin e Sigurimit dhe çfarë pas kësaj?

MORTON ABRAMOVITZ
Gjithë situata është është shumë e ngatërruar. Rusët ishin të suksesshëm në një shkallë të madhe ta përçanin Perëndimin dhe të kërcënojnë marrëdhëniet transatlantike.
Edhe serbët ishin të sukseshëm në luftën e tyre për parandalimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën për momentin e kanë shtyrë.
Ajo që duket se po ndodh aktualisht është se Bashkimi Evropian është deklaruar pro bisedimeve nën mbikqyrjen evropiane, pasi nuk po arrihet mirëkuptim në Këshillin e Sigurimit. Bashkimi Evropian duket i vendosur të organizojë bisedime shtesë për të treguar se kanë arritur tashmë në metrat e fundit.
Por është e vështirë të besohet se ndonjë udhëheqës serb do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, apo nëse ndonjë udhqëheqës i Kosovës do mbetej aty ku është nëse pranon diçka më pak se pavarësia.
Në këtë kuptim pyetja është se për çfarë do bisedojnë? Përgjigjja e vetme që vjen në këto kushte është se do diskutojnë për copëtimin. Por, coptimi është shumë i rrezikshëm. Në këtë mënyrë kemi ardhur në një pikë të vdekur. Perëndimit i mbetet të kthehet në pikën ku kemi qenë më parë, duke theksuar se plani i Ahtisaarit është zgjidhja e vetme, të pranojë pavarësinë e Kosovës me të gjitha kushtet e parapara për mbrojtjen e pakicës serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet se e vetmja gjë për të cilin palët mund të flasin është coptimi i Kosovës. Por udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se coptimi është i papranueshëm.

MORTON ABRAMOVITZ
Kështu kanë thënë dhe udhëheqësit serbë, por çfarë ka mbetur për të folur. Diskutimet janë për statusin final. Të dyja palët e kundërshtojnë copëtimin, por çfarë i ka mbetur Perëndimit të bëjë ndryshe në këto negociata?

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se fuqitë perëndimore kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre, i bërë publik më parë se copëtimi nuk është opcion?

MORTON ABRAMOVITZ
Ajo që ata kanë thënë në publik, jo se e preferojnë atë si zgjidhje, mendoj se askush nuk e pëlqen coptimin, por së paku që u tha dhe nga ministri i jashtëm francez së nëse të dyja palët, shqiptarët dhe serbët bien dakord për këtë atëherë kjo pranohet. Kjo është ajo që kërkon edhe Rusia, një zgjidhje e pranueshme nga të gjitha palët.
Në fakt të gjithë do duan të shohin një zgjidhje të arritur me marrëveshje. Dhe gjëja e re është pikërisht copëtimi. Por mund të ndodhë që palët ta kundërshtojnë një gjë të tillë, ndonëse Kosova de facto është e ndarë, pasi Serbia kontrollon pjesën në veri të Mitrovicës. Është një gjë shumë e ngatërruar.
Por edhe nëse palët nuk bien dakord për mundësinë e copëtimit, sërish katër muaj është një shtyrje shumë e madhe dhe pyetja është çfarë më pas. Çfarë do diskutojë pas katër muajsh Grupi i Kontaktit? A do vazhdojë sërish negociatat?

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse copëtimi i Kosovës vihet mbi tryezën e bisedimeve, vetëm pak ditë më parë udhëheqësit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës deklaruan se kjo do t'i bashkohet Kosovës. Duke pasur parasysh dhe Maqedoninë, Bosnjën e me rradhë a shihni ndonjë skenar pa krye në Ballkan?

MORTON ABRAMOVITZ
Mendoj se copëtimi është katastrofë dhe nuk duhet të jetë aspak në tryezën e bisedimeve. Mendoj si ju, coptimi do krijojë një shtyerje të gjatë dhe do hapë kutinë e të këqijave. Megjithatë duhet gjëtur një mënyrë që të përmbyllet ky problem. Duke marrë parasysh dallimet mes dy palëve, shpresoj dhe kundërshtimin e palëve ndaj copëtimit, mbetet që zgjidhja e vetme është që Perëndimi ta shohë realitetin në sy dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës. A janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë? Nuk e di. Shpresoj që të jenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është folur dhe për mundësinë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën. Si ju duket kjo ide, a mund të sjellë dicka?

MORTON ABRAMOVITZ
Kjo për mua tingëllon si një shtyrje tjetër. Vonesat janë burim i paqartësive. Ne e shtymë këtë problem për pesë vjet dhe kjo ishte shkatërruese, nuk mund ta bëjmë sërish një gjë të tillë. Perëndimi duhet të arrijë në një përfundim se çfarë janë të përgatitur të bëjnë me Kosovën. Nëse duan ta shtyjnë për të ardhmen këtë problem duke parë mundësinë e bisedimeve të tjera, kjo nuk është formulë që ndihmon stabilitetin e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shpjegoni faktin që bashkësia ndërkombëtare, e cila investoi në procesin e negociatave të ndërmjetësuara nga zoti Ahtisaari, e mbështeti planin e tij, por aktualisht nuk duket e gatshme, kam parasysh disa vende evropiane, për ta pranuar dhe vënë në jetë planin Ahtisaari, qoftë dhe pa bekimin e Kombeve të Bashkuara?

MORTON ABRAMOVITZ
Fuqitë Perëndimore në një moment e mbështetën planin e Ahtisaarit. Problemi doli kur Rusia tha se do vinte veton ndaj këtij plani. Ky qëndrim shkaktoi pakënaqësi tek shumë njerëz, pasi nuk shohin ndonjë mundësi tjetër për të shfuqizuar 12-44. Rusët nuk po e lejojnë një gjë të tillë. Në këtë moment ndodhi dhe përçarja e vendeve perëndimore rreth asaj se çfarë duhet bërë, për më tepër kur disa vende janë shumë skpetike ndaj pavarësisë së Kosovës. Kështu Perëndimi u përça.

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë nëse nuk shfuqizohet 12-44 nuk ka ndonjë rrugë tjetër ligjore për të proceduar me statusin e Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
12-44 është baza për sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Duhet hequr qafe 12-44 për të hapur rrugën ligjore për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nëse kjo nuk bëhet dot, atëherë Perëndimi duhet ta ndajë mendjen nëse dëshiron të ecë përpara pa u shfuqizuar 12-44. Mendoj se kjo është thelbësore dhe duhet bërë shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
A do t'ia vështirësonte funksionimin Kosovës si shtet i pavarur mos-shfuqizimi i 12-44 edhe nëse fuqitë perëndimore vendosin ta njohin atë?

MORTON ABRAMOVITZ
Varet nga ajo se a do ta pranojnë të gjithë shtetin e pavarur të Kosovës. Nuk është një zgjidhje e shkëlqyer, por problemi është se aktualisht jemi në mes të një situate tepër problematike. Por nëse të gjitha vendet e njohin kjo do lejonte vendosjen e marrëdhënieve normale mes Kosovës dhe pjesës tjetër të botës. Në këtë mënyrë Kosova mund të ecë përpara duke pasur një lloj sigurie e qartësie.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, ambasador Abramovitz, çfarë kërkon Rusia?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk e kam të qartë. Ka shumë interpretime, për më tepër nuk jam ekspert i Rusisë. Miqtë e mi thoshin: mos u shqetëso Rusia do ta pranojë, por të gjithë dolën të gabuar. Nuk e di përgjigjjen e kësaj pyetje. Rusia ka marrë një qëndrim shumë kundërshtues dhe nuk më duket se do të mund të ndryshojë mendje edhe sikur të dojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekipi i Unitetit të Kosovës takohet javën e ardhshme me Sekretaren amerikane të Shtetit Rice. Ata kanë vendosur të mos kërkojnë data apo afate kohore për pavarësinë. Si e gjykoni këtë qëndrim? Njëherësh çfarë prisni nga politika amerikane aktualisht?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk e di, udhëheqësit e Kosovës duhet të vendosin se çfarë është në interesin e tyre, si ta marrin atë që duan dhe si të veprojnë me amerikanët.
Ky është një takim shumë i rëndësishëm për ta dhe shpresoj që të jenë të përgatitur mirë me një plan të qartë se si do procedojnë me pavarësinë.
Është takim shumë i rëndësishëm për ta dhe duhet të jenë të gatshëm të tregojnë se çfarë duan dhe të marrin atë që duan.

Bisedoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG