Ndërlidhjet

logo-print

MBAJTJA E ZGJEDHJEVE KËTË VIT – VENDIM I (PA)QËLLUAR


Arton Konushevci

Vlerësimi i Ekipit të Unitetit që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen këtë vjeshtë, nga disa qytetarë është vlerësuar si i qëlluar, pavarësisht se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende.
Por, ka edhe të atillë që mendojnë se zgjedhjet do të kenë ndikim negativ në procesin e statusit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale edhe para zgjidhjes së statusit final, sipas Ragip Ahmetit, është vendim i qëlluar, pasi që, sipas tij, skena politike kosovare duhet freskuar me njerëz ose kuadro të rinj. “Populli është ngopur me disa situata. Këto zgjedhje duhet të mbahen gjithsesi. Afati, të cilin e ka përmendur OSBE-ja, do të jetë; Ekipi i Unitetit ka rënë dakord. Por, edhe populli është ngopur nga kjo strukturë udhëheqëse politike”, u shpreh Ahmeti. Vendimin e Ekipit të Unitetit që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vjeshtë, Ramadan Jashari e konsideron si të drejtë. Ai thotë se meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin pavarësinë e Kosovës, mbajtja ose jo e zgjedhjeve nuk do të ndikojë negativisht në procesin e statusit. “Pasi të gjitha forcat ndërkombëtare janë kah ana jonë, mendoj se në atë mënyrë ne jemi shumë më të kompletuar, jemi më të fortë dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të frikësohemi se mund të ndodhë diçka e papërshtatshme”, tha Jashari. Por, Refik Ademi konsideron se zgjedhjet nuk duhet të mbahen në këtë kohë. Ai thotë se politikanët e Kosovës duhet ta kenë prioritet mbi prioritetet tjera vetëm statusin e Kosovës. “Për status nuk kemi çfarë të flasim. Janë duke u interesuar më tepër për të siguruar karriget e veta, sesa për të zgjidhur statusin”, u shpreh Ademi. Edhe Ymer Llugaxhiu thotë se zgjedhjet do të kenë ndikim negativ në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Megjithatë, ai i beson Ekipit të Unitetit dhe vendimit të këtij ekipi për zgjedhjet. “Çështjen e statusit e ka marrë në dorë i forti dhe asnjë kosovar nuk duhet të ketë dyshim se nuk do të jemi të pavarur. Ky është fati ynë për herë të parë”, tha Llugaxhiu. Në anën tjetër, Demë Fetaj mendon se Ekipi i Unitetit duhet të angazhohet më shumë për zgjidhjen e statusit, e pastaj të mbahen zgjedhjet. “Mendoj se, së pari, Ekipi i Unitetit duhet të angazhohet me dinjitet, me këmbëngulje që të zgjidhet çështja e pavarësisë. Kur të zgjidhet çështja e pavarësisë, atëherë është shumë më lehtë të organizohen edhe zgjedhjet, sepse ata kandidatë që do të dalin në zgjedhje, kanë arsye për t’u thënë zgjedhësve se ‘ne, megjithatë, realizuam një kërkesë të kamotshme të popullit shqiptar'”, tha Fetaj. Ndrekë Augustini mendon se zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë që të vijnë liderë të rinj, që, sipas tij, do ta qeverisnin më mirë Kosovën. “Zgjedhjet patjetër duhet të mbahen, të rinjtë duhet ta marrin në dorë punën tonë”, tha Augustini.

XS
SM
MD
LG