Ndërlidhjet

REAGIME PAS KALIMIT TË PROCESIT TË STATUSIT NGA KS NË GK


Albana Isufi

Dështimi i miratimit të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe kalimi i çështjes së statusit te Grupi i Kontaktit nuk i ka zënë në befasi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët thonë se një veprim i tillë ka qenë më se evident. Këshilltari i presidentit të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se ky ka qenë një zhvillim i pritur, meqë, sipas tij, edhe ishte koha e fundit që të zhbllokohej procesi. “Ky vendim, që të përfundohet me përpjekje në Këshillin e Sigurimit, është një zhvillim që është pritur, për shkak të bllokadave dhe të destruktivitetit të Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se ka qenë koha e fundit që pesëshja evropiane, përfshirë edhe SHBA-të, të marrë një vendim rreth procedurës në Këshillin e Sigurimit. Flitet për një ngrirje të draft-rezolutës së fundit. Ne ende nuk kemi kurrfarë njoftimi zyrtar, por sido që të jetë, është koha e fundit që të qartësohet rruga drejt përfundimit të statusit të Kosovës”, ka thënë Hyseni. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë shprehur keqardhjen që dështoi zgjidhja përmes Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, beson se koncepti i pavarësisë do të mund të gjejë formën e zbatimit edhe përmes Grupit të Kontaktit. “Është një lëvizje, e cila, megjithatë, e nxjerr çështjen nga një bllokadë, e shkaktuar në Këshillin e Sigurimit nga ana e Rusisë. Kjo çështje tani do të kalojë në Grupin e Kontaktit dhe ne shpresojmë se vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, në bashkëpunim me Unionin Evropian, do të mund të arrijnë deri te një mënyrë, në të cilën pavarësia e Kosovës do të njihet edhe pa votë në Këshillin e Sigurimit”, është shprehur Qirezi. Në anën tjetër, Vlora Çitaku, zëdhënëse e PDK-së, partisë më të madhe opozitare, thotë se ka pasur indikacione se projekt-rezoluta nuk do të kalonte në Këshillin e Sigurimit. Ajo përshëndet kalimin e çështjes te Grupi i Kontaktit, pasi, sipas saj, gjërat do të lëvizin më shpejt përpara. “Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ne nuk mund të mbesim përjetësisht peng i qëndrimit të një shteti të vetëm në kuadër të Këshillit të Sigurimit, peng i qëndrimit refuzues të Rusisë. Normalisht që ne kemi parapëlqyer një zgjedhje përmes Këshillit të Sigurimit, mirëpo, meqë kjo ka dështuar, ne presim intensifikim të aktiviteteve diplomatike dhe harmonizim të qëndrimeve sa më parë, në kuadër të BE-së dhe SHBA-ve, në mënyrë që realiteti i Kosovës së pavarur të njihet sa më parë ndërkombëtarisht”, ka theksuar Çitaku. Ndërkohë, gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, propozoi datën 28 nëntor për shpalljen e pavarësisë, pasi, siç tha ai, dështimi i Këshillit të Sigurimit që të dalë me një rezolutë, si vendim i përbashkët për statusin e Kosovës, nuk lë shumë hapësira tjera veç deklarimit të pavarësisë. “Ne e kemi ofruar ditën 28 nëntor, që përputhet që nga tani, nga kthimi ynë nga Uashingtoni, me 120 ditë - si kërkesë e faktorit ndërkombëtar. Por, është edhe datë, të cilën ne e festojmë në historinë tonë dhe deshëm ta bëjmë edhe më madhështore këtë”, është shprehur Çeku. Propozimi i kryeministrit kosovar parasheh si bazë për statusin e Kosovës pakon e Ahtisaarit, respektimin e 120 ditëve të tranzicionit për largimin e UNMIK-ut, si dhe vendosjen e misionit civil ndërkombëtar pas statusit, siç parashihet me dokumentin e Ahtisaarit. Ndryshe, liderët kosovarë, gjatë kësaj jave, kishin kërkuar anashkalimin e Këshillit të Sigurimit, pasi, siç kanë thënë ata, Kosova nuk mund të mbetej peng i Rusisë përjetësisht.
XS
SM
MD
LG