Ndërlidhjet

PROCESI I STATUSIT TË KOSOVËS I KALON GRUPIT TË KONTAKTIT


Këshilli i Sigurimit ia kaloi drejtimin e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës Grupit të Kontaktit. Kjo u bë e ditur përmes një deklarate të përbashkët të vendeve sponsorizuese të projektrezolutës për Kosovën.
"Na vjen keq, por ka qenë e pamundur të sigurojmë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit. Në këto kushte ne ndalojmë diskutimet për rezolutën", tha ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Jean Marc de la Sablierre, i cili lexoi deklaratën në emër të vendeve sponsorizuese të projektrezolutave për Kosovën.
Megjithatë procesi për përcaktimin e statusit vazhdon:
"Projektrezoluta jonë e fundit bën thirrje për një periudhë të kufizuar bisedimesh. Kemi vendosur të rinovojmë diskutimet brenda Grupit të Kontaktit dhe palët në këtë linjë", tha De la Sablierre, i cili ka shtuar se do vazhdojë mbështetja për popullin dhe institucionet e Kosovës:
"Popullit të Kosovës duhet t'i jepet mundësia për të realizuar zhvillimin politik dhe ekonomik. Ne jemi të vendosur që t'i ndihmojmë ata gjatë periudhës që shtrihet para nesh.
Zgjidhja në kohë e statusit të Kosovës do t'i mundësojë Serbisë të tejkalojë periudhën e konflikteve të viteve '90 dhe të shohë drejt një të ardhme të ndritshme evropiane dhe euroatlantike", tha amabasdori francez në Kombet e Bashkuara. Sipas de la Sablierre plani i Ahtisaarit mbetet të zbatohet nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje në bisedimet shtesë:
"Ne besojmë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresojmë që palët të arrijnë një marrëveshje. Nëse jo ne vazhdojmë të besojmë se plani i Ahtisaarit mbetet rruga më e mirë për të ecur përpara".
Ambasadori kinez, në cilësinë e kreut të rradhës të Këshillit të Sigurimit, theksoi se e kupton nevojën për më shumë kohë pasi cështja e Kosovës "është e ndjeshme dhe e komplikuar". Por në kapacitetin e ambasadorit të Kinës ai theksoi se palët duhet të bien dakord "në të kundërt nuk mund të imponohet zgjidhja, kur vihet në pikëpyetje ligji ndërkombëtar, vecanërisht integriteti territorial".
Në këtë frymë ishin dhe komentet e ambasadorit të Afrikës së Jugut.
Pas takimit ambasadori rus Vitali Curkin deklaroi se Rusia ia kishte bërë të qartë vendeve sponsore të rezolutës se Moska nuk do ta pranonte projektin në fjalë dhe nuk do abstenonte nëse do kishte votim.
"Jemi shumë të gëzuar që partnerët tanë pranuan mundësinë dhe nevojën për bisedime shtesë mes palëve. Ne do marrim pjesë aktivisht në proces dhe do marrim pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit më 25 korrik në Vjenë", tha Curkin.

Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG