Ndërlidhjet

TEMPERATURAT E LARTA SJELLIN PROBLEME NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Kosova, prej fillimit të sezonit veror, është duke u ballafaquar me temperatura të larta. Këto ditë, temperaturat më të larta në shkallë vendi kanë arritur 37.6 gradë celsius, ndërkaq në dy ditët e ardhshme, temperaturat do të arrijnë në 38 gradë celsius, thotë Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Ai tha se këto masa ajrore, që kanë ardhur nga Afrika Veriore, do të jenë të qëndrueshme deri në ditën e hënë. “Në ditën e hënë do të ketë një ulje të temperaturave, por ulja më e madhe do të jetë ditën e mërkurë, prej 8 gradë celsius në shkallë vendi. Ndërkaq, në ditën e shtunë do të ketë edhe riga lokale shiu. Këto masa ajrore, që kanë ardhur nga Afrika Veriore, do ta lëshojnë vendin tonë dhe do të vijnë masa nga pjesa verilindore e rajonit”, tha Tahirsylaj. Temperaturat që kanë mbizotëruar këto ditë në Kosovë, janë normale për muajin korrik, thotë Tahirsylaj, për të shtuar se problemi është se në fillim të vitit kanë munguar reshjet e shiut dhe të borës. “Sasia e reshjeve nuk ka qenë e mjaftueshme gjatë dimrit, si dhe gjatë muajve mars dhe prill. Në muajin qershor ka pasur mbi 100 litra për metër katror, por ajo nuk ka qenë e mjaftueshme për të zbutur atë mungesë të muajve të parë vitit, pasi nuk ka pasur reshje të borës dhe të shiut”, tha Tahirsylaj. Ngritja e këtyre temperaturave ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve, thonë zyrtarë të sistemit shëndetësor. Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Prishtinë, tha se muajin e fundit, numri i pacientëve është rritur dukshëm. Ai tha se brenda 24 orësh, ndihmë mjekësore kërkojnë deri në 170 pacientë, 3 për qind prej të cilëve kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave të larta. “Me normativen ndërkombëtare, qendra emergjente brenda një viti duhet t’u ofrojë 18250 personave ndihmë mjekësore emergjente. Ndërkaq, ne vetëm për gjashtëmujorin e parë kemi 22968 raste, që kanë kërkuar ndihmë emergjente. Në 30 ditët e para, me ngritjen e temperaturës, qendra emergjente është ballafaquar me numër të madh të vizitave mjekësore”, theksoi Lenjani. Ndryshe, mijëra hektarë pyje i ka kapluar zjarri, në pjesë të ndryshme të Kosovës, për shkak të temperaturave të larta. Bislim Zyrapi, drejtor i departamentit për menaxhimin e emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se për lokalizimin e zjarreve janë angazhuar të gjitha njësitë e zjarrfikësve, pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it. Megjithatë, ai pohon se shuarja e zjarreve është vështirësuar, për shkak të mungesës së mjeteve adekuate për shuarjen e zjarreve nga ajri. “Vetëm prej muajit qershor e deri më sot, janë djegur 2470 hektarë pyje në viset malore, në pamundësi të reagimit të njësive të shërbimit të zjarrfikësve, po ashtu edhe në mungesë të ujërave në këto lartësi”, tha Zyrapi. Në anën tjetër, temperaturat e larta kanë prekur edhe përditshmërinë e banorëve të Prishtinës. Ujësjellësi Rajonal Prishtina tashmë ka filluar reduktimet e ujit në disa lagje periferike të Prishtinës, me qëllim të kursimit të ujit të pijshëm.
XS
SM
MD
LG