Ndërlidhjet

PROCESI I STATUSIT LË PA PUSHIME DISA LIDERË KOSOVARË


Arton Konushevci

Për shkak të zhvillimeve rreth statusit, disa nga liderët e institucioneve të Kosovës si dhe të partive politike nuk do të pushojnë gjatë kësaj vere. Edhe pse nuk është marrë ndonjë vendim, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se presidenti Fatmir Sejdiu, për shkak të procesit të statusit, ashtu sikurse verën e kaluar, nuk do të pushojë as këtë herë. Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka vendosur që të mos shkojë në pushime verore. Zëdhënësja e tij, Ulpiana Lama, thotë se kryeministri vazhdimisht do të qëndrojë në Kosovë. Por, sipas Lamës, disa ministra të kabinetit qeveritar nuk do të ndjekin shembullin e shefit të tyre. “Qeveria është këtu, nuk shkon në pushime. Por, ndoshta ka disa ministra që mund të shkojnë në pushime, në pushimin vjetor që përkon me periudhën e verës”, tha Lama. Në anën tjetër, këshilltari për media në Kuvendin e Kosovës, Skënder Durmishi, ka njoftuar se gushti është muaj i pushimeve për parlamentarët. Kuvendi ka një plan të veçantë, i cili është miratuar vitin e kaluar dhe rregullon të gjitha ditët e pushimeve për deputetët. “Me një plan të veçantë, apo siç quhet kalendari vjetor i punës, i miratuar vitin e kaluar, gushti është muaji i pushimeve të rregullta, pushimeve vjetore të Kuvendit të Kosovës. Ky plan është miratuar vitin e kaluar dhe ka filluar të zbatohet që nga vera e vitit që shkoi. Pra, fjala është për deputetët, udhëheqësinë e Kuvendit, kryetarin dhe kryesinë, si dhe stafin e kabinetit”, ka bërë të ditur Durmishi. Në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Ekipit të Unitetit, Hashim Thaçi, sipas zyrtarëve të kabinetit të tij, nuk ka agjendë zyrtare deri më 15 gusht, por ata nuk konfirmojnë nëse lideri opozitar do të jetë në pushime verore në këtë kohë. Kurse, lideri tjetër opozitar, Veton Surroi, sipas zëdhënësit të partisë Ora, Ylli Hoxha, do të jetë gjatë tërë verës në Kosovë. Ndërkohë, Skënder Durmishi, nga Kuvendi i Kosovës, thotë se është diskutuar për një koordinim të mundshëm të pushimeve mes presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa asnjërin prej udhëheqësve më të lartë të vendit. “Është biseduar për këtë mundësi dhe sigurisht se do të dilet me një konstatim. Por, në këtë moment, ende nuk është vendosur se si do të jetë prioriteti, kush kur do të pushojë”, tha Durmishi. Megjithatë, pushimet e deputetëve të Kuvendit, sipas Durmishit, janë të kushtëzuara. Nëse e kërkon nevoja, brenda ditës duhet të kthehen në punë të gjithë ata deputetë, të cilët kanë punë me prioritet në Kuvendin e Kosovës. “Kalendari i pushimeve do të vlejë edhe sivjet, por me kushtin e domosdoshëm, me kushtin kryesor, që në çdo moment, në çdo situatë, brenda ditës të kthehen në punë të gjithë ata që kanë angazhime ose punë me prioritet në këtë proces”, ka theksuar Durmishi. Në anën tjetër, Ulpiana Lama, nga Qeveria e Kosovës, thotë se një numër i punonjësve të Qeverisë së Kosovës ka filluar pushimet e tyre me një lloj rotacioni, në mënyrë që mos të ketë probleme në funksionimin e institucioneve. “Një pjesë e tyre janë tashmë në pushime, një pjesë janë në punë dhe kështu është me një lloj rotacioni. Nuk ka probleme në rutinën e punëve, vazhdon normalisht të kryhet rutina e punës”, ka thënë Ulpiana Lama.

XS
SM
MD
LG