Ndërlidhjet

KOALICIONI ‘AD HOC’ KËRKON SHPALLJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Koalicioni i organizatave ‘Ad Hoc’ ka mbajtur sot, në Prishtinë, një protestë, në të cilën, në formë simbolike, u bë “shpallja e pavarësisë së Kosovës” dhe u kërkua nga Ekipi i Unitetit që të caktojë një datë përfundimtare për shpalljen e pavarësisë edhe nga Kuvendi i Kosovës. Përfaqësuesit e shoqërisë civile u bëjnë thirrje autoriteteve që të mos humbin më kohë dhe të miratojnë deklaratën e pavarësisë, ngase çdo shtyrje u tha se do të jetë shumë e dëmshme për Kosovën. Belul Zeka, përfaqësues i koalicionit ‘Ad Hoc’, tha se protesta e sotme lidhej me datën e rëndësishme, pasi që sot Ekipi i Unitetit zhvillon takim me sekretaren e shtetit, Condoleezza Rice, kështu që kërkesa kryesore ishte që të mos ketë më shtyrje, por afatizim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Ne, si shoqëri civile dhe qytetarë, dolëm me një kërkesë mjaft të qartë, që përfundimisht të caktohet një datë se kur do të shpallet pavarësia e Kosovës, pasi që të gjitha këto shtyrje, që u bënë deri më tani, konsiderohen se ishin shumë të dëmshme. Dhe, tani ky kërcënimi për negociata të reja, edhe vetë kalimi i çështjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit... Ne konsiderojmë se tani ka ardhur koha, që edhe vetë anëtarët e Ekipit të Unitetit të arrijnë një konsensus dhe të pajtohen për një datë definitive për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha Belul Zeka, duke sqaruar në vazhdim, se kërkesa e njëjtë i drejtohet edhe bashkësisë ndërkombëtare. Zeka konsideron se zvarritjet e zgjidhjes së statusit tani po reflektohen edhe te anëtarët e Ekipit të Unitetit, të cilët mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me finalizimin e statusit, kështu që kërkon nga ata të jenë unikë, në rrugën drejt shpalljes së pavarësisë. “Tani, edhe brenda Ekipit të Unitetit kemi dy zëra, kryeministrin Agim Çeku, i cili ka propozuar datën 28 nëntor dhe kryetarin e Partisë Reformiste Ora, i cili thotë se gjithçka duhet të përfundojë para Krishtlindjeve”, u shpreh Zeka. Në protestën e sotme ka marrë pjesë një numër i vogël qytetarësh. Sidoqoftë, përfaqësuesja tjetër e koalicionit ‘Ad Hoc’, Igballe Rugova, tha se edhe pse në numër të vogël të të pranishmëve, ata kanë dalë për t’i treguar botës edhe Parlamentit të Kosovës se qytetarët janë lodhur me premtime.
XS
SM
MD
LG