Ndërlidhjet

NË KOSOVË, GJENDJE ALARMANTE PËR SHKAK TË ZJARREVE


Nadie Ahmeti

Temperaturat e larta, që këto ditë kanë përfshirë Kosovën, vetëm për më pak se tri javë kanë shkaktuar djegien e mbi 1500 hektarëve të pyjeve, në pjesë të ndryshme të Kosovës. Ndërkaq, nga fillimi i qershorit e deri më sot, janë djegur rreth 2500 hektarë pyje. Autoritetet kompetente e cilësojnë këtë gjendje si alarmante. Muzafer Luma, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se tashmë janë 50 zona të përfshira nga zjarri. Shtatë prej tyre janë më të rrezikuara, ndërkaq vatrat më të rrezikuara, sipas Lumës, janë ato në kufi me vendet fqinje. “Në Viti kemi një brez, ku janë maksimalisht të angazhuar stafi, TMK-ja, Shërbimi i Zjarrfikësve, KFOR-i. Dhe, kemi hapur një shirit, një brez mbrojtës kundër zjarrit, sepse një zjarr i gjerësisë pesë kilometra nga Maqedonia, tashmë është afruar në kufi. Ndërsa në Pashtrik, zjarri që ka filluar që një javë, është në lokalizim e sipër, mirëpo intervenimi tokësor ka qenë shumë i vështirë edhe pasi që kjo zonë është e minuar”, tha Luma. Lokalizimi dhe shuarja e zjarreve është problem shumë i madh, shton ai, për shkak të pamundësisë për intervenim nga ajri me ujë. Dhe për këtë qëllim, Shtabi për Menaxhimin e Krizave, sipas Lumës, do të kërkojë sot nga Qeveria e Kosovës për kontraktimin e ndonjë kompanie nga jashtë, e cila do të intervenonte nga ajri. “Kemi kontaktuar me një kompani, fatmirësisht pronarët janë shqiptarë nga Kosova, të cilët, me seli në Bullgari, janë duke operuar në Sudam. Kemi marrë edhe konfirmimin pozitiv nga KFOR-i, që nga kjo kompani të bëhet shfrytëzimi i hapësirës ajrore të Kosovës për intervenim. Dhe, nëse gjithçka shkon mirë, nëse Qeveria jep sinjalin për tërheqjen e kostos së këtij operacioni, ne mundemi që nga nesër, eventualisht pasnesër, të fillojmë shuarjen e zjarreve nga ajri”, ka pohuar Luma. Bislim Zyrapi, drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se gjendja në Kosovë, sa i përket shpërthimit të zjarreve, është alarmante, ashtu si në tërë rajonin. Ai, megjithatë, thotë se përkundër prezencës së rrezikut që zjarri të përfshihet edhe në vendbanime, deri më tash pasoja në njerëz nuk ka pasur. “Në territorin e Prizrenit, në malet e Pashtrikut, kemi pasur dje një rast, ku zjarri ka dëmtuar disa shtëpi jo të banuara. Mirëpo, lokalizmi i tyre është bërë. Për momentin, rreziqe në vendbanime nuk kemi”, bëri të ditur Zyrapi. Ndryshe, për tejkalimin e kësaj gjendjeje, Qeveria e Kosovës ka formuar një komision ndërministror për menaxhimin e gjendjes në vend, që do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Lutfi Haziri dhe në të cilin janë të përfshirë përfaqësues të ministrive tjera, të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
XS
SM
MD
LG